Ndërlidhjet

MOORE:"DEMOKRATËT DO TË ASHPËRSOJN KURSIN NDAJ RUSISË"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara përfunduan me fitoren e demokratëve që tani e tutje do të kontrollojnë Dhomën Përfaqësuese dhe Senatin, për herë të parë pas vitit 1994. Ku qëndrojn rrënjët e suksesit të demokratëve dhe çfarë sinjalizon epilogu i zgjedhjeve?

PATRICK MOORE
Sigurisht ajo në të cilën janë fokusuar dhe kanë theksuar të gjitha mediat është fakti që njerëzit nuk janë të kënaqur me udhëheqjen e luftës në Irak, që po shkakton shumë humbje në njerëz, po zgjat shumë, po humben shumë para në të, ka pyetje lidhur me seriozitetin e autoriteteve irakiane. Pra ka shumë pyetje. Një pikë tjetër është numri i madh i skandaleve të korrupsionit nga të cilat u preken republikanët. Pastaj qëndron fakti që republikanët janë në Shtëpinë e Bardhë prej 6 vitesh dhe kanë patur shumicën në Kongres për 12 vjet dhe si në çdo pjesë të botës, kurdoherë që njerëzit janë shumë gjatë në pushtet bëhen arrogantë, nuk i dëgjojnë votuesit dhe mendoj se ka patur një ndjenjë të fuqishme mes votuesve që kishte ardhur koha për ndryshim, kishte ardhur koha për të shkundur njerëzit në pushtet. Kjo është një traditë shumë e vjetër në politikën amerikane, që njerëzit në mënyrë periodike preferojnë të shohin strukturat e pushtetit të shkundura, sepse thjesht duan t'i mbajnë gjërat të freskëta dhe transparente.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, cili do të jetë drejtimi i politikës së jashtme të SHBA-ve pas zgjedhjeve, sidomos kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit, Iranin dhe të tjera?

PATRICK MOORE
Zgjedhjet e tanishme kishin të bënin me pushtetin legjislativ, Dhomën Përfaqësuese dhe Senatin. Nuk përfshinë pushtetin ekzekutiv, presidencën, e cila do të mbetet siç është tani edhe dy vjet të tjera, deri në vitin 2008. Çfarë rëndësie apo kuptimi ka pushteti legjislativ për politikën e jashtme? Dhoma Përfaqësuese që është dhoma e ulët e Kongresit me 435 anëtarë, duhet të miratojë gjithshka që ka të bëjë me financat. Për shembull paratë për Irakun duhet të kalojnë përmes Dhomës Përfaqësuese. Senati i cili ka 100 anëtarë aprovon marrëveshje dhe emërime. Për shembull nëse presidenti Bush do të riemërojë ambasadorin e tij në Kombet e Bashkuara John Bolton, i cili është në një emërim të përkohshëm, kjo duhet të aprovohet nga Senati. Gjithashtu diçka tjetër që duhet të aprovohet nga Senati janë marrëveshjet tregtare. Pra nëse presidenti do të miratojë një lloj marrëveshjeje të favorshme tregtie, le të themi me Rusinë ose për shembull ta anëtarësojë Rusinë në Organizatën Botërore të Tregtisë, apo nëse do që të ketë një marrëveshje të re të tregtisë së lirë me disa vende në Amerikën Latine, do i duhet që për këtë marrëveshje të siguroj miratimin e demokratëve në Senat. Partia Demokratike, shumica e të cilës i ka rrënjët në lëvizjen sindikaliste, është shumë më tepër protekcioniste sesa Partia Republikane. Republikanët tradicionalisht janë parti e biznesit, ndërsa demokratët me rrënjë të thella në sindikata, janë shumë skeptikë apo plot dyshime për çfarëdolloj legjislacioni, që mund të kishte ndikim në punësimin ose pozitën e punëtorëve amerikanë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, shtypi rus ka shfaqur brengosje për mundësinë që politika e Uashingtonit ndaj Rusisë të ashpërsohet, për faktin që një numër i madh i demokratëve të njohur, kanë kundërshtuar fuqishëm presidentin Putin. Si e komentoni ju këtë aspekt?

PATRICK MOORE
Shembulli të cilit sapo iu referova është ai që ka të bëjë me Organizatën Botërore të Tregtisë. Amerikanët dhe rusët kanë debatuar për këtë çështje prej muajsh. Ka patur disa spekullime që në mes të nëntorit kur të mblidhet samiti i Azisë në Hanoi të Vietnamit, presidenti Bush dhe ai Putin do të takoheshin në margjinat e kësaj konference dhe do të binin dakort për një marrëveshje, të cilën presidenti Bush do mund ta kalonte shpejt përmes Kongresit në përbërjen e vjetër dhe të ishte gjithshka gati për rusët, para Kongresit të ri, në të cilin kjo punë do të ishte më e vështirë për Rusinë.
Cila është çështja ose aspekti i kritikës së demokratëve ndaj Rusisë?
Kemi tendencën të shohin republikanët si një parti më konservative gjë që është e vërtetë. Por republikanët gjithashtu kanë tendencën të jenë një parti pragmatikësh, një parti të cilën gjermanët e quajnë "real politik", të politikës praktike dhe biznesit dhe ata kanë tendencën të jenë në disa raste më pak ideologjikë. Ndërsa demokratët, të cilët vijnë nga ajo që në Evropë do të quhej një origjinë social demokrate apo sindikaliste, shpesh i marrin çështjet si të drejtat e punës dhe të drejtat e njeriut tepër seriozisht dhe kemi disa anëtarë të shquar të Dhomës së Përfaqësuese, kryetaren e re të Kongresit Nensi Pelosi, kryetarin e ri të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, kongresmenin Tom Lantosh, që janë kritikë shumë të njohur të këtij lloji të regjimit autoritar. Tom Lantosh është veçanërisht kritik i Rusisë, ndërsa Nensi Pelosi njihet si një kritike e ashpër e autoritarëve në Kinë, saqë mediat kineze kanë filluar që tani që ta sulmojnë atë. Ndërsa kemi patur një eksperte për Rusinë, Sekretaren amerikane të Shtetit Kondoliza Rajs, që zakonisht ka qenë mjaft diplomatike në kritikat e saj për Moskën, mendoj se nga kongresmeni Lantosh dhe nga demokratë të tjerë të shquar, si në Dhomën Përfaqësuese ashtu dhe në Senat, mund të presim të dëgjojmë një gjuhë shumë më të ashpër ndaj Rusisë në dy vitet e ardhshme.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG