Ndërlidhjet

ANDERSON: STATUSI TË VENDOSET MENJËHERË PAS ZGJEDHJEVE NË SERBI


Aleks Anderson, shef i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Z Anderson në një raport të tij, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka paralajmëruar se procesi i statusit të Kosovës rrezikon të shkatërrohet nëse vendimi shtyhet për vitin 2007. Martti Ahtisaari tashmë e ka shtyrë vendimin për 2007. A besoni ende se procesi do të shkatërrohet?

ALEKS ANDERSON
Nuk kemi thënë se besojmë që procesi do të shkatërrohet. Mendoj se duhet bërë çdo përpjekje për të siguruar se procesi po lëviz butë dhe kjo ende mund të bëhet.
Ajo që mund të jetë e mirë nga vendimi për shtyrjen, është se Ahtisari i mbështetur nga anëtarët e Grupit të Kontaktit, ka thënë se ai do të paraqesë propozimin e tij shumë shpejt pas zgjedhjeve serbe. Nëse shikojmë në racionalizmin e shtyrjes, ne si Grup Ndërkombëtar i Krizave mendojmë se në mesin e bashkësisë ndërkombëtare ka mbizotëruar ideja se çdo gjë duhet bërë për të ruajtur demokracinë në Serbi, për t’u mos u dhënë partive demokratike në Serbi një atmosferë, ku Kosova do të ishte e humbur, dhe për t'u dhënë kështu përparësi partive radikale. Ne jemi pak skeptikë në përgjithësi rreth kësaj logjike, sepse ne duhet të shikojmë në programet e vetë partive politike serbe se çka ato në të vërtetë ofrojnë rreth qëndrimit ndaj integrimit të BE-së dhe qëndrimit ndaj Kosovës. Çka do të marrë bashkësia ndërkombetare nga Serbia, pas këtij vendimi për shtyrje, nëse do të ketë ndonjë vendim më racional për Kosovën ose jo. Mendoj se ka disa dyshime rreth kësaj. Megjithatë ekziston nje vlerësim, që vendimi kyç për Kosovën të merret përpara se të formohet qeveria serbe. Asnjë politikan serb nuk dëshiron që të jetë ai, i cili do të jetë në detyrë kur Serbia ta ketë humbur Kosovën. Kështu që në të vërtëte bashkësia ndërkombëtare mund t'i ofrojë një shërbim Serbisë duke vendosur për Kosovën në këtë kohë, Por, shtrohet pyetja nëse Grupi i Kontaktit dhe KS i OKB-se janë të gatshëm ta bëjnë këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra ju thoni se Grupi i Kontaktit dhe KS i OKB-së duhet të shfrytëzojnë në një mënyrë vakumin institucional në Serbi?

ALEKS ANDERSON
Ajo që ata nuk duhet lejuar është që kalendari i zgjidhjes se statusit të Kosovës të mos diktohet nga kalendari i zgjedhjeve në Serbi. Çka nëse, ashtu si në zgjedhjet e kaluara, të ketë një hendek tremujor derisa të formohet qeveria. Atëherë do të kemi çështjen e zgjedhjeve presidenciale, kështu që nga pikëpamja e Beogradit ekziston shpresa se duke e manipuluar formimin e qeverise dhe kalendarin e zgjedhjeve, ata do të mund të shtynin çështjen e statusit në kohë të pacaktuar. Mendoj se do të ishte vendim më i efektshëm nëse bashkësia ndërkombëtare merr vendimin për statusin menjëherë pas zgjedhjeve.

RADIO EVROPA e LIRË
Z. Anderson në raportin e ICG thuhet se cdo vonesë e mëtejme në vitin 2007 do ta ashpërsonte kohezionin e shqiptarëve të Kosovës. A mund të shpjegoni më shumë këtë?

ALEKS ANDERSON
Mendoj se bashkësia ndërkombëtare i ka vendosur prioritetet në mënyrë të gabuar kur bëhet fjalë për rastin e Kosovës dhe Serbisë.
Kemi parë një fokusim se çfarë mund të bëhet për të ruajtur demokracinë në Serbi. Sa i përket Serbisë, nuk ka ndonjë rrezik që ajo të bie për shkak të shtyrjes. Që të jemi të sinqertë këtë e rrezikojmë nëse ka shtyrje në rastin e Kosovës. E tërë ideologjia standardet para statusit, premtimet për rezolutën mbi statusin, aspiratat e GK se zgjidhja do gjendet ne 2006, si dhe moskompletimi i institucioneve të Kosovës, pushteti dual që vazhdon të ekzistojë mes institucioneve të Kosovës dhe UNMIK-ut japin nje pamje të institucioneve jostabile. Duhet qartësimi i statusit në një të ardhme shumë të afërt, me qëllim që të lejojmë Kosovën që vetë të stabilizohet dhe të shkojë përpara.
Shumë njerëz e shikojnë pranverën me nervozizëm. Nëse shohim të kaluarën e Kosovës, pranvera duket të jetë stina kur opsionet radikale dhe ekstreme vijnë në shprehje. Kemi pasur trazirat më 2004-tën, pastaj fillimin e luftës së UÇK-së në pranverën e vitit 1998, por edhe trazirat e vitit 1991 ndodhen në të njëjtën periudhë. Prandaj ka një nervozizëm në mesin e politikanëve kosovarë, në mesin e bashkësisë ndërkombëtare. Këta të fundit duhet t’i kushtojnë vemendje kushteve ne Kosovë, mundësisë që liderët e Kosovës të ruajnë unitetin në një situatë kur bashkësia nderkombëtare nuk po kushton vëmendjen e duhur.
Që të jem i sinqertë, GNK do të mundohet që të dërgojë mesazhe të ndryshme te komuniteti ndërkombëtar, që do të vendosë për statusin, dhe në anën tjetër dhe te kosovarët. Për ndërkombëtarët theksojmë se me urgjencë duhet marrë vendimi për statusin dhe të mos bazohen në stabilitetin relativ që kemi parë vitin e kaluar.

RADIO EVROPA E LIRË
GNK ka thënë se drejtimi në të cilin po lëvizin gjërat ofron më shumë potencial për jostabilitet. Pikësëpari për shkak të Rusisë, KS ka të ngjarë që që të miratojë formulat më të ngushta për pavarësinë e Kosovës. Çka mund të behët për të ndryshuar këtë drejtim?

ALEKS ANDERSON
Ajo që mund të bëjmë është që Grupi i Kontakti të jete realist sa i përket nevojës së shpejtë për zgjidhjen e statusit të Kosovë. Që të vënë autoritetin e tyre, ashtu sikurse edhe KS i OKB-se pas pakos për statusin që ish presidentit Martti Ahtisaari do ta paraqesë në janar apo në shkurt. Pastaj për KS të OKB-së që të miratojë atë. Do të jetë më pas thelbësore për KS të OKB dhe BE ta pranojnë Kosovën pas këtij vendimi si dhe në vitet e ardhshme, të njohin Kosovën dhe t’i mundësojnë asaj të funksionojë si shtet i pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur parasysh të gjitha zhvillimet e fundit, zgjdhjet ne Serbi, vendimin e GK dhe të Ahtisarit, kur realisht pritet që të zgjidhet statusi i Kosoves?

ALEKS ANDERSON
Në të vërtetë është një pyetje shumë e mirë, sepse në Prishtinë qëndrimi ndaj periudhës kohore dhe statusit dominues. Deri tash ka pasur shpresë se statusi do të zgjidhet më 2006, tash ka një fokusim në një shtyrje të vogël në muajt e parë të 2007-tës. Ne si Grup Ndërkombëtar i Krizave mendojmë se sa më shumë që të minimizohet shtyrja, do të jetë më mirë, dhe mbajtja peng e se ardhmes do të jetë më e vogël nëse shtyrja minimalizohet.

Intervistoi, ALBANA ISUFI



XS
SM
MD
LG