Ndërlidhjet

JO MË SHTYRJE PËR KOSOVËN


The New York Times

Kosova tash e shtatë vjet administrohet nga Kombet e Bashkuara, duke mos qenë shtet i pavarur, por as krahinë e Serbisë. Kjo ka marrë fund pasi pushtetarët e Serbisë kishin tentuar të vrisnin ose dëbonin shqiptarët, ndërsa NATO kishte filluar luftën për t'i shpëtuar ata.
Status quo-ja nuk është e qëndrueshme dhe rrjedhimisht pritej që Marti Ahtisari nga fundi i këtij viti të bënte të ditur që kishte ardhur koha për një pavarësi të mbikqyrur për Kosovën.

Por, ky vendim është shtyrë për periudhën pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, nga frika se ai mund të forcojë pozicionet e ultranacionalistëve serbë. Kjo shtyrje, nga disa të tilla, duhet të jetë e fundit. Pas luftës së vitit '99 nuk ka ekzistuar mundësi reale për bashkëjetesën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pa stabilitetin që sjell shtetësia, në Kosovë nuk do të ketë investime nga jashtë, ndërsa ekonomia do të stagnojë. Mungesa e perspektivës ekonomike është duke u shëndrruar në ushqim për nacionalizmin shqiptar dhe gjithnjë, përderisa nuk zgjidhet statusi, është fare e mundur që zemërimi të dalë në siperfaqe.

Sidoqoftë, madje edhe nëse Kosova do të shkojë drejt shtetësisë, bashkësia ndërkombëtare duhet të mbajë prani substanciale ushtarake dhe këshilldhënëse, me qëllim të sigurimit të të drejtave të pakicës serbe dhe për të inkurajuar zhvillimet demokratike.

Beogradi gjithmonë do ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe rruga më e mirë për të zbutur reagimin e tij është që Serbisë t'i premtohet anëtarësimi eventual në Bashkimin Evropian dhe sinjal i qartë se Evropa do të ndjekë trajtimin e saj ndaj fqinjit të ri, përkatësisht Kosovës.

Nga ana tjetër kosovarët duhet ta kenë të qartë se investuesit dhe gjithë të tjerët do të përcjellin me kujdes se si do t'i trajtojnë ata serbët e Kosovës.

XS
SM
MD
LG