Ndërlidhjet

ALEX GRIGOREV: KOSOVA NUK ËSHTË PRECEDENT


"Së pari nuk mendoj se Kosova është një "konflikt i ngrirë". Ka shtatë vjet që rrjedhë dhe është një situatë të cilën komuniteti ndërkombëtar është i aftë që ta zgjidhë. Nuk e di se sa afër jemi në këtë pikë me vendet e tjera. Kosova nuk është një precedent dhe do të ishte shumë kundër produktive për të gjithë ne ta shihnim Kosovën si një precedent. Çdo konflikt është unik", thotë Alex Grigorev, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Projektin për Marrëdhënie Etnike me seli në Princeton (SHBA).

RADIO EVROPA E LIRË
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari ka vendosur që ta shtyjë raportin e tij deri më 21 janar të vitit të ardhshëm, menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi. Kjo shtyrje nuk ishte e mirëpritur në Kosovë, pasi më parë ishte thënë se raporti do të paraqitej këtë vit. Pra, si e shihni ju këtë situtatë?

ALEKS GRIGOREV
Disa vështrime më vinë ndërmend lidhur me vendimin e zotit Ahtisaari. Para së gjithash, më lejoni t'i vë në dyshim personat, të cilët po përpiqen ta dramatizojnë këtë shtyrje dhe të krijojnë imazhin e pasojave të rënda të mundshme për procesin e statusit për shkak të kësaj ngjarjeje. Shtyrja është më pak se një muaj, madje një periudhë e parëndësishme tri javore. Ndërsa nga ana tjetër duhet të kihet parasysh natyra monumentale e detyrës së zotit Ahtisaari. Kjo shtyrje nuk e vë në diskutim apo në pikëpyetje vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare që të zgjidhin problemin e statusit të Kosovës. Kjo shtyrje është gjithashtu një dëshmi tjetër e kompleksitetit të procesit, që komuniteti ndërkombëtar e filloi para një viti. E kam theksuar në më shumë se një rast, se statusi i Kosovës është po aq për Serbinë sa është për Kosovën. Kosova nuk është në ishull i izoluar dhe na pëlqeu apo jo, Kosova influencon rajonin rreth saj dhe rajoni për rreth influencon Kosovën. Gjithashtu do doja të ftoja ata që janë përgjegjës për situatën brenda Kosovës dhe ata që janë përgjegjës për përcaktimin e statusit, ta shihnin këtë shtyrje të Ahtisaarit si një mundësi për të vazhduar përmirësimin e gjërave në terren nga njëra anë, dhe cilësinë e zgjidhjes së ardhshme nga ana tjetër. Kjo shtyrje gjithashtu është një kontroll i realitetit, për ata në Kosovë dhe në komunitetin ndërkombëtar, të cilët po presin që statusi të përfundohet, në mënyrë që të fillojnë të përmirësojnë situatën ekonomike dhe sociale në Kosovë. Siç sugjeron edhe kjo shtyrje, afatet kohore, madje edhe ato të përcaktuara nga instancat më të larta të komunitetit ndërkombëtar, mund të ripërcaktohen. Dhe nëse pritet për këtë apo atë afat kohor, mund të duhet shumë kohë para se qytetarët e Kosovës të mund të shohin përmirësime pozitive të jetëve të tyre. Megjithëse koha deri në 21 janar është sigurisht e shkurtër, gjithsesi paraqet një dritare të paparashikuar dhe të papritur për liderët kosovarë që të fillojnë të mendojnë për Kosovën e pas statusit, dhe për vizionin e një të ardhmeje më të mirë që do të jenë në gjendje t'ua paraqesin të gjithë qytetarëve të Kosovës, menjëherë pasi të vendoset statusi. Një vizion i tillë duhet të paraqitet sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo është gjithashtu një dritare mundësie për ndërkombëtarët, dhe kur them ndërkombëtarët, mendoj pikë së pari për Bashkimin Evropian, që të përshpejtojnë përgatitjet e tyre për një angazhim më të thellë në Kosovë dhe për përgatitjen e një strategjie, e cila do t'u tregonte vendeve të rajonit të Ballkanit, se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një mundësi reale dhe që Bashkimi Evropian i respekton premtimet dhe angazhimet e veta, veçanërisht ato për një integrim të mundshëm, sepse tjetërsimi i vendeve të Ballkanit nga Bashkimi Evropian, do të kishte një efekt shkatërrimtar, jo vetëm për këto vende, por për Evropën si të tërë.

RADIO EVROPA E LIRË
Shpjegimi ishte se ndoshta kjo shtyrje do t'i ndihmoj forcat demokratike në Serbi për të arritur fitore ndaj forcave radikale atje. A mendoni se kjo me të vërtetë do t'i ndihmoj forcat demokratike në Serbi?

ALEKS GRIGOREV
Mendoj se është një pyetje shumë e mirë, por mendimi im është që kjo do të varet nga vetë demokratët e Serbisë, nëse ata mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Nuk mendoj se komuniteti ndërkombëtar mund të krijojë një ambient të ndryshëm politik në Serbi; mund të ndihmojë, por përgjegjësia ndodhet në duart e politikanëve serbë. Forcat demokratike mund të kenë sukses vetëm nëse votuesve në Serbi do t'u paraqesin një vizion më të qartë për një perspektivë më të mirë demokratike, për një të ardhme evropiane. Nëse i hedhni një sy hulumtimeve të opinionit publik, të cilat janë bërë në Serbi gjatë vitit të kaluar, do të shihni zgjuarsinë befasuese të elektoratit serb, shumica e të cilit është shumë realiste për vlerësimin e situatës së tyre brenda dhe rreth Kosovës. Shumica e votuesve serbë janë të shqetësuar për zhvillimin e tyre dhe për perspektivën e një të ardhme më të mirë. Mendoj se forcat demokratike do të kishin sukses, nëse do t'u prezantonin votuesve serbë pamjen realiste se ku qëndron Serbia, ku qëndron Kosova, pse dhe si u gjendëm në këtë situatë. Kur shoh se si funksionon Kosova sot, i ngjan shumë më tepër një protektorati ndërkombëtar të vetëqeverisur sesa një autonomie thelbësore brenda Serbisë. Kjo nuk është në asnjë mënyrë rezultat i politikave të qeverive demokratike serbe të pas vitit 2000. Ky është rezultati direkt i politikës së Millosheviçit dhe Sheshelit, i politikës, të cilën radikalët sot ëndërrojnë ta ringjallin pothuajse 7 vjet pas përfundimit të luftës. Kjo ishte një politikë që shkaktoi një ndryshim dramatik në statusin e Kosovës. Që nga dita e parë, demokratët e Serbisë janë përpjekur t'i menaxhojnë pasojat e kësaj politike andaj shpjegimi i këtij realiteti kompleks, por i kuptueshëm për qytetarët e Serbisë, do të ishte ndoshta mundësia më e mirë për demokratët. Një shpjegim i tillë i shoqëruar me, siç thashë, një vizion të një perspektive më të mirë demokratike evropiane të Serbisë do t'i ndihmonte forcat demokratike në garën e tyre politike me forcat e tjera serbe në 21 janar.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas raportit të zotit Ahtisaari për statusin e Kosovës, kjo çështje do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit. Moska ka thënë se nëse ky raport nuk është në linjë me pritjet e Rusisë, atëherë ndoshta Rusia do ta shfryzëzoj veton. Nga këndëvështrimi juaj, a është kjo e mundshme?

ALEKS GRIGOREV
Gjithçka është e mundur. Rusia sigurisht e bën të qartë në çdo rast që ka këtë instrument të fuqishëm në dorë. Në fakt, ky instrument i Kombeve të Bashkuara është kaq i rëndësishëm për Rusinë sa që e bën atë pa asnjë dyshim, një fuqi globale. Vetëm katër vende të tjera në botë janë me kaq fat sa të kenë këtë fuqi. Rusia e vlerëson këtë instrument dhe kjo është arsyeja përse Rusia e ruan këtë instrument pa abuzuar me të. Ka pasur shumë pak raste në të cilat Moska ka përdorë veton e saj. Shpresoj që gjithashtu kësaj radhe, një marrëveshje do të jetë e mundur të arrihet midis anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, para votimit të tyre, në mënyrë që të mos arrihet deri te vetoja. Kështu, ky koncert pushtetesh do të ishte i suksesshëm në zgjidhjen e çështjeve të tjera të rëndësishme globale.

RADIO EVROPA E LIRË
Moska thotë se çështja e Kosovës është precedent për të ashtuquajturat "konflikte të ngrira" në territoret ish sovjetike. Çka mendoni ju, a është Kosova precedent?

ALEKS GRIGOREV
Së pari nuk mendoj se Kosova është një "konflikt i ngrirë". Ka shtatë vjet që rrjedhë dhe është një situatë të cilën komuniteti ndërkombëtar është i aftë që ta zgjidhë. Nuk e di se sa afër jemi në këtë pikë me vendet e tjera. Kosova nuk është një precedent dhe do të ishte shumë kundër produktive për të gjithë ne ta shihnim Kosovën si një precedent. Çdo konflikt është unik. Për shembull, nëse e merrni dhe krahasoni Kosovën dhe Abkhazinë, ka ndryshime të jashtëzakonshme të historisë së vendeve, historisë së konflikteve, në lojtarët të cilët përfshihen në to, në demografinë e popullësive, në situatën e refugjatëve dhe të përgjigjes ndaj të kthyerve, në natyrën e situatës së pas konfliktit, administratës së pas konfliktit, historisë së negociatave midis palëve në konflikt, njohjes së tyre të dyanshme, të legjitimitetit të tyre etj, lista mund të vazhdojë pafund. Do të thoja, që çdo konflikt është unik dhe kërkon një zgjidhje unike. Kjo është arsyeja përse shpresoj që zgjidhja që do të arrihet për Kosovën, do të jetë e përmbledhur si duhet dhe do të jetë e pranueshme për të gjithë anëtarët e Grupit të Kontaktit dhe Këshillit të Sigurimit. Sigurisht, një situatë ideale që do ta ëndërronim do të ishte një zgjidhje e pranueshme si për Beogradin ashtu dhe për Prishtinën.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund të kësaj interviste dëshiroj t'ju pyes për statusin final të Kosovës. Si e shihni ju atë?

ALEKS GRIGOREV
Do të preferoja të mos flisja për natyrën politike të statusit të Kosovës, jashtë termave të cilat ju i njihni dhe që janë përcaktuar nga Grupi i Kontaktit. Kosova ka një potencial të mirë. Ajo që dëshiroj ta shoh, është Kosova si një vend i zhvilluar, me një ekonomi në zhvillim, një demokraci që funksionon shumë mirë dhe me sundim të ligjit, një vend ku njerëzit mund ta jetojnë jetën e tyre, ti rrisin fëmijët e tyre, të ëndërrojnë për një të ardhme më të mirë, pavarësisht nëse është serb, shqiptar, rom, turk etj. Dhe mendoj se Kosova do të jetë një vend i tillë.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG