Ndërlidhjet

JANJIQ:"TASH STATUSI I ARDHSHËM, PËRFUNDIMTARI PAS 5 VJETËSH"


Dushan JANJIQ, Forumi për Marrëdhënie Etnike /Beograd/

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Janjiq, si e shihni fushatën parazgjedhore në Serbi pas vendimit të Ahtisaarit që vendimi për statusin e Kosovës të shtyhet pas 21 janarit?

DUSHAN JANJIQ
Mendoj se këtu nuk ka lidhje direkte ndërmjet këtyre dy zhvillimeve. Vazhdimi i afatit, të cilin e pranuan edhe Shtetet e Bashkuara, është pasojë e propozimit të Ahtisaarit, i cili qartazi nuk arriti ta kryejë punën e tij. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara as që janë përpjekur të provojnë se cilat janë kërkesat e Rusisë lidhur me çështjen e Kosovës. Pra, kjo temë është krejtësisht tërthorazi e ndërlidhur, dhe Serbia gjithnjë e më shumë po shfrytëzohet si pretekst nga Grupi i Kontaktit, sidomos para opinionit shqiptar. Mendoj se ky është një hap tejet i keq, i cili edhe më shumë do t'i ngarkojë marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Për sa i përket fushatës, vështirë që ndonjë parti, përfshirë dhe Partinë Demokratike të Serbisë, do të mund ta përdorë argumentin e Kosovës dhe negociatat si një sukses. Ajo që me gjasë do të jetë e pranishme, është se partitë do të premtojnë se kanë zgjidhje magjike për Kosovën, gjë që tashmë ka filluar ta bëjë Mladen Dinkiq. Por kjo është një çështje tjetër, e cila nuk ka lidhje me shtyrjen e vendimit, por ka lidhje me një praktikë në Serbi që Kosova, ashtu si në periudhën e Millosheviqit, të trajtohet vetëm si çështje ideologjike dhe manipulative.

RADIO EVROPA E LIRË
Lidhur me këtë Koshtunica paralajmëroi se Kosova duhet të jetë temë qendrore jo vetëm në fushatën e Partisë Demokratike të tij, por e të gjitha partive.
Nga ana tjetër, disa analistë të Perëndimit kanë deklaruar se kjo bëhet me qëllim që zgjedhësit të shmangin vëmendjen nga problemet tjera në vend. Çfarë është qëndrimi juaj për këtë?

DUSHAN JANJIQ
E thashë se kjo është një praktikë dhe ndoshta një kalkulim i gabuar që partitë serbe e kanë që nga koha e Millosheviqit. Ato thjesht nuk e kuptojnë se opinioni në Serbi nuk është shumë i interesuar për çështjen e Kosovës. Fundja, përvoja nga referendumi ishte shumë e qartë, se nëqoftëse ngulet këmbë vetëm në Kosovën, atëherë vështirë se do të mund të sigurohet një dalje e votuesve më e madhe se 53 %. Unë pres që partia e Koshtunicës, partia G17 dhe në përgjithësi partitë qeveritare, do ta shfrytëzojnë temën e Kosovës për të treguar se ato kujdesen për çështjet me interes shtetëror dhe kombëtar. Por ato do të mashtronin veten nëse do të mendonin se kjo është tema kryesore, e cila mund të sigurojë dalje më të madhe të votuesve. Duhet patur parasysh se për fitoren e partive demokratike nevojitet një dalje e zgjedhësve mbi 53 %, prandaj qytetarët me siguri, prej tyre, do të presin shumë më tepër se sa rrëfimet tashmë të njohura se si e kanë penguar pavarësinë e Kosovës. Sidomos në këtë situatë, kur tashmë është shpallur dhe këtu dihet se Ahtisaari do të vijë 3 ditë pas zgjedhjeve. Prandaj, qytetarëve nuk do të mund t'u flitet shumë për shtyrjen e vendimit. Siç e dini, problemi i Kosovës po zgjat aq shumë, sa që opinioni në Serbi nuk mendon se shtyrja është zgjidhje. Hulumtimet e opinionit publik që u bënë nga fundi i verës, kanë treguar se 55 % e opinionit në Serbi pret një lloj zgjidhje, dhe se ekziston gatishmëria që një zgjidhje e tillë të kërkohet ndërmjet autonomisë brenda Serbisë dhe të ashtuquajturës pavarësi të kushtëzuar. Nga ana tjetër, elementet e planit të Ahtisaarit tashmë dihen. Pra, kjo nuk është një letër aq e fortë, dhe kushdo që të luajë në këtë letër, do të gabojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Janjiq, zyrtarët ndërkombëtarë disa herë kanë deklaruar se zgjidhja për statusin e Kosovës është shtyrë me qëllim që në Serbi të mund të fitojnë forcat demokratike. Sa janë reale pritjet e këtilla, dhe a mendoni se kjo mund të ndodhë?

DUSHAN JANJIQ
Mendoj se ky është një shërbim shumë i keq si për problemin e Kosovës, ashtu dhe për forcat demokratike në Serbi. Nga e gjithë ajo që dij, sërish pohoj se shtyrja nuk u bë për këtë, por për shkak të udhëheqjes së keqe të procesit në Vjenë dhe për shkak të mosgatishmërisë së Grupit të Kontaktit që të ballafaqohet me konkretizimin e kërkesave të Rusisë. Pra edhe kësaj radhe, shqiptarët dhe serbët duhat të paguajnë çmimin për diskutimet e të mëdhejve brenda Grupit të Kontaktit.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse në zgjedhjet fiton pushteti aktual, a mendoni se do të ndryshonte diçka në raport me statusin e Kosovës?

DUSHAN JANJIQ
Sa i përket asaj nëse ndonjë parti në Serbi do të pranonte pavarësimin e Kosovës, edhe këtu asgjë nuk do të ndryshojë. Kushdo nga bashkësia ndërkombëtare që pret diçka të tillë, ai thjesht nuk e din se ku qëndron problemi i Serbisë dhe i Ballkanit. Pra, nuk ekziston ndonjë parti politike, e cila do të njihte Kosovën e pavarur. Siç dihet, në 3-4 vitet vijuese do të jetë i ashtuquajturi "statusi i ardhshëm", i cili nuk nënkupton pavarësi të plotë. Ajo që është kryesorja, është se në rast të fitores së forcave demokratike, mund të vijë deri te një qasje më konstruktive në zbatimin e marrëveshjes. Marrëveshja do të nënkuptonte që këto 3 vjet të shfrytëzohen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve në Kosovë dhe institucioneve të Kosovës dhe shumicës shqiptare, e dyta duhet të ripërtrihet bashkëpunimi ndërmjet Prishtinës e Beogradit, dhe kuptohet që Prishtina të ndihmohet në mënyrë konstruktive në angazhimin e saj për zbatimin e standardeve.
E treta, pritet që ai pushtet ta përgatitë opinionin që në një të ardhme jo të largët, për 3-5 vjet, të përballet me çështjen e statusit final. Kështu që mendoj se të gjitha ato fjalët për pavarësi të plotë, kanë qenë premtime të cilat politikanët shqiptarë u kanë bërë masave të veta prej vitit 1992, ndërsa politikanët e Beogradit këtë e kanë keqpërdorur për t'u treguar si mbrojtës. Në thelb, pasi është thënë se kërkohet statusi i ardhshëm, dihej se ai nuk është status final, që don të thotë se nuk është pavarësi e plotë. Tash Perëndimi pret nga Beogradi që para së gjithash t'i përgatitë serbët për një jetë në Kosovën shumëetnike, ndërsa nga udhëheqësit shqiptarë pret t'i shpjegojnë shumicës shqiptare se ardhmëria qëndron te demokracia.
Për mua, zgjedhjet në Serbi do të jenë të rëndësishme nëse do të dalin edhe shqiptarët nga jugu i Serbisë, dhe me këtë të japin kontributin kyç për argumentet e Prishtinës dhe të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të forcave demokratike në Beograd, se serbët duhet të marrin pjesë në institucionet kosovare. Nëse dalja në zgjedhje do të jetë mbi 53 %, pres që të fitojnë partitë e bllokut demokratik, të cilat do të përgatitin një plan shumë serioz për jetësimin e statusit të ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund z. Janjiq, si e paramendoni situatën nëse fitojnë radikalët?

DUSHAN JANJIQ
Më duhet të them se kjo nuk do të ndodhë sepse vetë radikalët sikur po ikin nga fitorja. Një mendim i tillë është në nivelin e imagjinatës. Por edhe nëse fitojnë, në botën e sotme ka shumë pak hapësirë që radikalët të mund ta ndryshojnë rrjedhën e historisë. Thënë shkurt, pas luftës askush nuk mund ta fitojë një luftë, të cilën e ka humbur. Serbia e ka humbur luftën kundër NATO-s, pavarësisht që NATO-ja, ashtu si Millosheviqi, nuk pranon se ishte në luftë.
E dyta, Serbia nuk e ka kapacitetin që ta kthejë Kosovën nën kontrollin e saj, të paktën nuk e ka në një të ardhme të afërt. Pra radikalët sigurisht që do të duhej dalëngadalë të heqin dorë nga retorika e tyre e ashpër dhe ta pranojnë realitetin, ashtu siç do të duhet ta pranojë secili që do të vijë në pushtet.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG