Ndërlidhjet

GRATË VIKTIMA MË TË SHPESHTA TË DHUNËS FAMILJARE NË KOSOVË


Albana Isufi, Prishtinë

Gratë kosovarë janë më të pafuqishmet në Evropë, vlerëson shefi i UNDP-s në Kosovë Frode Mauring. Ai thotë se kjo shihet në të gjitha sferat e jetës, duke filluar nga punësimi.

“Në çdo të punësuar 2 janë burra dhe një është grua. Këto shifra në disa komuna janë edhe më të këqija. Në Malishevë në çdo të punësuar 5 janë burra dhe një është grua.Shtrohet pyetja a kanë vendosur gratë e Malishevës që të mos punojnë, apo dikush tjetër po vendos në vend të tyre”, pyet Mauring, i cili thotë se dhuna kundër grave ka lidhje me statusin e saj social dhe pafuqishmërisë së saj.
Ai i bëri këto komente në një tryezë mbi zbatimin e rregullores së UNMIK-ut për mbrojtjen kundër dhunës në familje.

Visare Gashi- Gorani nga Agjencia për Barazi Gjinore e kryeministrisë, thotë se dhuna në familje nuk duhet të konsiderohet si çështje private, por për të penguar atë duhet të veprojnë mekanizmat përkatës.

“Kur ka dhunë në një shoqëri nuk mund të jemi të sigurtë në vlerësimin se kemi përparim në sferën e barazisë, mirëqënies dhe të zhvillimit të qëndrueshëm. Duhet marrë parasysh se ky fenomen nuk ndikon vetëm tek gratë. Por ka ndikim tek të gjithë anëtarët e familjeve të tyre dhe të shoqërisë", thotë zonja Gashi.

Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit Hilmi Jashari, vlerëson se dhuna ndaj gruas përbën një shkelje të madhe të të drejtave të njeriut. Kjo dhunë sipas tij lë pasoja të paparashikueshme.

“Kjo dukuri shkakton pasoja për viktimën e dhunës, duke ndjellë kuptohet dhimbje, frikë dhe shqetësime, duke ndikuar në zvogëlimin e produktivitetit dhe kontributit të saj në familje dhe në shoqëri dhe shpenzimet ose shterrimi i mjeteve të shërbimeve sociale, të shërbimeve të institucioneve të drejtësisë, sistemit gjyqësor dhe asaj të shëndetësisë."

Sipas UNIFEM-it çdo e treta grua në botë të paktën njëherë në jetën e saj është përballur me dhunë. Abuzuesit zakonisht kanë qenë njerëz që viktima i ka njohur.

“Dhuna kundër grave nuk është dhunë që e godet vetëm Kosovën, por është çështje globale dhe Kosova nuk përbën përjashtim. Por, ne të gjithë duhet të punojmë për ta penguar atë. Reduktimi i saj lidhet edhe me zhvillimin njerëzor”, thotë Mauring, sipas të cilit duhet të ketë mbrojte efektive ligjore dhe mekanizma që ndihmojnë viktimat e dhunës.

Visare Gashi nga qeveria, pohon se tashmë të drejtat e gruas mbrohen me ligj. Por, sa respektohet ligji edhe në praktikë?
“Në shoqëritë pak a shumë patriarkale siç është Kosova, gratë janë të eksponuara dhe janë në rrezik të madh nga dhuna familjare, duke marrë parasysh disa aspekte tradicionale, shoqërore, që gruan e paraqesin si një qënie pak a shumë inferiore. Shumë shpesh heshtja e grave thekson faktin se dhuna familjare konsiderohet si çështje private dhe se të flitet publikisht për këtë çështje do ta turpëronte gruan dhe familjen e saj", thotë zonja Gashi.

Ombudspersoni i Kosovës pas hulumtimeve në terren, ka hartuar një raport mbi dhunën familjare dhe dhunën në familje. Raporti i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës për shqyrtim.




XS
SM
MD
LG