Ndërlidhjet

PËRFUNDON SAMITI I NATO-S NË RIGË


Augustin Palokaj, Rigë

Mbështetja për përpjekjet e Marti Ahtisarit që të përfundojë procesin e statusit të Kosovës dhe që ai status të jetë i pranueshëm për popullin e Kosovës, sikur dhe gatishmëria e NATO-s për të ndihmuar në ndërtimin e një sistemi kosovar të sigurisë, janë porositë kryesore që shefat e shteteve të vendeve të NATO-s, i kanë dërguar Kosovës nga samiti i Rigës, i cili ka përfunduar sot.

Në anën tjetër NATO-ja, pa asnjë kusht, në mënyrë paksa të papritur, ka vendosur sot të pranojë në programin e Partneritetit për Paqe Serbinë, Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi. Këto vendime sipas zyrtarëve të NATO-s dhe atyre të shteteve anëtare, janë porosi poiltike, me qëllim të stabilizimit të rajonit të Ballkanit në prag të zgjedhjeve në Serbi dhe në prag të propozimit të Ahtisarit në prag të statusit të Kosovës.

Sa i përket Kosovës në deklaratën e Samitit të Rigës thuhet se NATO-ja mbetet e gatshme që të përgjigjet shpejt ndaj çdo kërcënimi të sigurisë në Kosovë. Duke nënvizuar se NATO-ja do të mbetet në Kosovë për të luajtur një rol të rëndësishëm në implementimin e aspekteve të sigurisë nga zgjidhja e statusit, në deklaratë thuhet po ashtu se NATO-ja do të bashkëpunojë ngushtë edhe me popullin e Kosovës, Bashkimin Evropian dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë për të promovuar stabilitetin dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një sistemi të sigurisë së Kosovës, i cili do të ishte nën kontroll demokratik dhe me përfaqësim etnik dhe do të kishte legjitimitet në tërë Kosovën.

NATO-ja edhe nga ky samit ka dërguar porosinë se nga të gjitha palët në procesin e statusit kërkojnë të punojnë me Ahtisarin në mënyrë konstruktirve, të dëshmojnë fleksibilitet dhe të plotësojnë standardet ndërkombëtare. Ndërkohë, si vendim të rëndësishëm për tërë rajonin, është konsideruar pranimi i tre shteteve në Partneritet për Paqe, dhe këtë e tha dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer.

"Kemi vendosur të marrim një vendim shumë të rëndësishëm politik, rëndësia e të cilit mendoj unë është shumë e thellë dhe ajo është që të ofrojmë Partneritet për Paqe për Serbinë, Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi, ka thënë Scheffer, duke nënvizuar se do të vëzhgohet bashkëpunimi i këtyre vendeve edhe me Tribunalin e Hagës.

Burimet diplomatike nga disa vende të NATO-s, kanë thënë se deri tek ky vendim ka ardhur me ndryshimin e qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat mendojnë diplomatët se ky vendim politik do të sjellë dobi në prag të zgjedhjeve në Serbi dhe zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Si dëshmi se do të ketë lëvizje politike në realizimin e qëllimit që të ketë më pak NATO në Ballkan dhe më shumë Ballkan në NATO, Samiti i Rigës ka konfirmuar se në samitin e ardhshëm, do t'u dërgohen ftesat e reja për anëtarësim vendeve që përmbushin standardet, duke emëruar Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë.

" Kemi dërguar një mesazh të qartë shteteve të cilat kanë Planin e Veprimit për Anëtarësim, shteteve të cilat aspirojnë anëtarësim në NATO, në samitin e ardhshëm në vitin 2008. Ato shtete që do të përmbushin standardet do të marrin ftesa për anëtarësim, ka thënë Scheffer.

Edhe presidenti amerikan Xhorxh Bush, ka shprehur mbështetjen amerikane për aspiratat e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, për anëtarësimin e tyre në NATO.


XS
SM
MD
LG