Ndërlidhjet

REGJISTRIMI I PËRGJITHSHËM I POPULLSISË BËHET NË PRILL 2007


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, duhet të mbahet në muajin prill të vitit të ardhshëm, pavarësisht nga zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës, thonë në Ministrinë e Punëve Publike.

Abdulla Bytyqi nga kjo ministri, thotë se pas përfundimit të regjistrimit testues, i cili nga ministria është vlerësuar i suksesshëm, ky institucion është gati të fillojë regjistrimin e përgjithshëm, nëse për një gjë të tillë vendos Kuvendi i Kosovës.

"Regjistrimi i përgjithshëm nuk do duhej të lidhej me çështjen e statusit, për shkak se statistikat i nevojiten Kosovës. Kjo nuk ka të bëjë shumë me statusin, por në qoftë se Kuvendi i Kosovës dhe përfaqësuesi special që kanë kompetenca ekskluzive në këtë fushë, konsiderojnë se regjistrimi i popullsisë duhet të shtyhet pikërisht për çështje të statusit, atëhere ne nuk mund të bëjmë diçka. Është në dorën e tyre që të vendosin", tha zoti Bytyqi.

Në Kosovës, tha zoti Bytyqi, tashmë po zhvillohen shumë procese, dhe mosregjistrimi i popullsisë e vështirëson realizimin e tyre.
"Regjistrimi është i nevojshëm për Kosovën, në rradhë të parë që nuk është mbajtur prej 25 vjetësh, dhe e dyta, për shkak se u hap rrugë shumë proceseve zhvillimore," thotë zoti Bytyqi.

Në regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë do të përfshihen të gjithë ata që kanë qëndruar më shumë se një vit në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, tha zoti Bytyqi. Ndërkaq kosovarët që jetojnë në migrim, nuk do të regjistrohen, por vetëm do të numërohen.

"Janë standarde ndërkombëtare këto, nuk janë standarde që ne i kemi shpikur dhe ne po i kërkojmë. Në bazë të rekomandimeve ndërkombëtare, qytetarët që nuk jetojnë mbi 12 muaj nuk mund të regjistrohen. Në formularë ekziston një vend ku është lënë një pyetje, ne do të hymë në procesin e numërimit. Përndryshe nuk mund të regjistrohen," thotë zoti Bytyqi.

Kriteret do të jenë të njëjta edhe për të zhvendosurit serbë që jetojnë jashtë Kosovës, tha zoti Bytyqi. Por disa nga pjesëtarët e komunitetit serb, që jetojnë në Kosovë, e kanë bojkotuar regjistrimin testues dhe në këtë drejtim, zoti Bytyqi shpreson se në regjistrimin e përgjithshëm do të marrin pjesë të gjithë.

"Ne besojmë që deri në atë periudhë serbët do të këndellen nga ajo dëshira e regjimit të Beogradit për të kërkuar nga ata që të mosdalin. Do të këndellen dhe do ta shohin që është e nevojshme për ta për të dalë në regjistrim", tha zoti Bytyqi.

Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave do të kushtojë deri në 6 milion euro. NJë pjesë të kësaj shume duhet t'a ndajë qeveria, ndërkaq afër 4 milion euro pritet të grumbullohen nga donatorët. Regjistrimi i fundit i përgjithshëm i popullatës që jeton në Kosovë është bërë në vitin 1981.



Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG