Ndërlidhjet

Ç'DUHET BËRË DERI NË PËRCAKTIMIN E STATUSIT?


Zijadin Gashi, Prishtinë

Deri te vendimi për statusin, Kuvendi i Kosovës duhet të përgatisë vendin që ta presë pavarësinë me Kushtetutën, ligjet, simbolet dhe aktet e tjera përcjellëse që do ta bënin Kosovën një shtet modern e demokratik, thonë deputetë nga partitë më të mëdha politike në Kosovë.

Alush Gashi, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se Kuvendi duhet të vazhdojë të përcjellë punën e ekipit negociues dhe ta thërrasë atë sa herë që të jetë e nevojshme për të raportuar para parlamentit, lidhur me respektimin në tërësi të rezolutës së miratuar në Kuvend më 17 nëntor të vitit 2005, e cila rikonfirmon vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi e shtet sovran:

“Ne si grup parlamentar qëndrojmë fuqimisht për zbatimin në përpikëri të gjitha pikave të rezolutës së miratuar në Kuvendin e Kosovës, rezolutë e cila nuk është kontestuar nga asnjë grup parlamentar në këtë Kuvend. Ne si grup parlamentar, me mbështetje edhe të grupeve të tjera parlamentare, kemi kërkuar që delegacioni i unitetit të vijë në Kuvend, ata kanë ardhur në Kuvend, janë duke punuar në terren dhe do të vijnë përsëri në Kuvend”, u shpreh Alush Gashi.

Ndërkohë, deputeti tjetër nga radhët e partive në koalicionin qeverisës, Bajram Kosumi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vlerëson se Kuvendi duhet të marrë një rol shumë më aktiv sesa që ka aktualisht në procesin e statusit. Kuvendi mund të jetë drejtues dhe korrektues i këtij procesi, thotë Kosumi, duke propozuar që Kuvendi të miratojë dhe rekomandime për Ekipin Negociues. Së pari ai kërkon që negociatorët të sqarojnë para opinionit shtyrjen e vendimit për statusin dhe së dyti që Kuvendi t’i përgatisë aktet dhe dokumentet kryesore që i duhen një vendi për të qenë shtet funksional që nga dita e parë e vendimit për statusin:

“Kuvendi i Kosovës është fillimi i përgatitjes së dokumenteve, akteve themelore. Pas statusit përfundimtar të Kosovës, duhet t’i përgatisë vetë Kuvendi i Kosovës, siç janë çështja e Kushtetutës, simboleve të shtetit të Kosovës, ligjit për pushtetin lokal etj., që të them mos të rrimë kot duke pritur vendimin për statusin përfundimtar, por të bëhemi gati që Kosova të funksionojë si shtet”, tha Bajram Kosumi.

Ndërkohë, deputeti i subjektit më të madh opozitar, Hajredin Kuçi nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se përveç miratimit të akteve kryesore, Kuvendi duhet të jetë në përcjellje të përhershme të procesit të përcaktimit të statusit dhe se vendimet e këtij institucioni duhet të jenë në koordinim me qëndrimet e Grupit të Kontaktit, por duke respektuar në çdo kohë vullnetin e popullit për pavarësi e shtetin sovran të Kosovës. Në këtë aspekt, Kuçi nuk e përjashton mundësinë që Kuvendi të deklarohet për pavarësinë e Kosovës, por së pari ai preferon që të pritet rezoluta e re në Këshillin e Sigurimit për Kosovën:

“Duhet të jemi në përcjellje permanente të veprimeve të bashkësisë ndërkombëtare, në koordinim të plotë me faktorët relevantë, por mbi të gjitha ndoshta duhet t’i japim shans nxjerrjes së rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit, apo minimumi i minimumit debllokimit të Rezolutës 12 44. Pastaj duhet t’i bëjmë dhe aktet përcjellëse, përfshirë dhe shpalljen e Kosovës shtet sovran e të pavarur dhe në këtë drejtim Kuvendi duhet të jetë në kontakt me kohën dhe kurrsesi prapa kohës e ndoshta edhe jo kundër kohës”, theksoi Hajredin Kuçi.

Sidoqoftë, deklarimet e deputetëve se Kosova duhet të përgatitet për fazën e pas statusit, duke miratuar kushtetutën, ligjet e domosdoshme, simbolet dhe çështjet e tjera, këto qëndrime megjithatë kanë mbetur ende në fazën e nismave të grupeve parlamentare, pasi që Kuvendi deri më tash nuk ka shqyrtuar e as miratuar procedurat për miratimin e këtyre akteve.



XS
SM
MD
LG