Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: ZHVILLIMET NË RIGË ISHIN TË PAPRITURA


"Oferta e Rigës, nuk është asgjë që do t'i ndihmojë Serbisë që të vazhdojë të mbajë Kosovën, pasi ata nuk e kanë patur atë që nga viti 1999. Por kjo në njëfarë mënyre tregon që serbët kanë fituar një pikë në shantazhet e tyre nga vendet e perëndimit, sepse vendet e perëndimit nuk u treguan të mençura dhe i dhanë Serbisë një vend në tavolinën e bisedimeve, pasi Serbia kishte humbur çdo të drejtë mbi Kosovën", thotë, pos tjerash, analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore, duke komentuar pranimin e Serbisë në Partneritetin për Paqe të NATO-s në samitin e Rigës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, Serbia këto ditë i është bashkuar Partneritetit për Paqe të NATO-s. Vendimi është marrë befas, ndërsa kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës ka thënë se vendimi tingëllon si shpërblim për mosbashkëpunimin e Serbisë në kapjen e Mlladiqit.

PATRICK MOORE
Ajo që njohim nga mediat e ditëve të fundit është se ky vendim ishte rezultat i një ndryshimi të opinionit sekondën e fundit në delegacionin e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Holandës. Duket se ajo që ndryshoi mendjen e amerikanëve ishte një letër nga presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, dërguar shefit të sigurisë së Shteteve të Bashkuara, në të cilën ai u lut në terma shumë të fuqishme për mbështetje dhe si shkëmbim premtoi se do të bënte ç'ishte e mundur që të siguronte se Serbia do të ndiqte politika pro evropiane dhe do të bashkëpunonte me Hagën. Gjithë kjo është mjaft mirë dhe kjo është pak a shumë linja të cilën presidenti Tadiq e ka ndjekur që nga koha që u bë president. Problemi qëndron nëse ai e ka me seriozitet, gjë që ndoshta edhe e ka, por a është në gjendje të bëjë diçka, dhe nuk jam i sigurt se e ka pushtetin për të ndryshuar diçka, dhe nëse e ka patur, pse nuk ka vepruar gjatë këtyre viteve që ka qenë president, kjo thjesht nuk ka logjikë. Ajo që duket se ka logjikë është se kjo është një lloj mbështetjeje që vendet perëndimore i kanë dhënë Tadiqit dhe miqve të tyre të tjerë në rajon, për shkak të zgjedhjeve serbe që mbahen në janar. Siç e kemi thënë në intervistat tona gjatë gjithë kohës, bisedimet aktuale për statusin gjithashtu janë influencuar fuqishëm nga periudha e mbajtjes së zgjedhjeve serbe. Edhe vendimi në Rigë u influencua pikërisht nga e njëjta gjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica ka deklaruar se bashkëpunimi më i afërt me NATO-n do t'i ndihmojë Serbisë për të ruajtur sovranitetin ndaj Kosovës.

PATRICK MOORE
Kjo është mënyra tipike që flet Koshtunica. Ne të gjithë e dimë se ai bën këto deklarata mjaft arrogante dhe kokëforta. Koshtunica gjithashtu i pret zgjedhjet e janarit, sepse siç e di, në sondazhet e opinionit publik nuk ka rezultate të mira në krahasim me ato që ka patur më përpara. Prandaj mendoj se po flet shumë ashpër. Gjithashtu mendoj se ajo që kemi këtu nga oferta e Rigës, nuk është asgjë që do t'i ndihmojë Serbisë që të vazhdojë të mbajë Kosovën, pasi ata nuk e kanë patur atë që nga viti 1999. Por kjo në njëfarë mënyre tregon që serbët kanë fituar një pikë në shantazhet e tyre nga vendet e perëndimit, sepse vendet e perëndimit nuk u treguan të mençura dhe i dhanë Serbisë një vend në tavolinën e bisedimeve, pasi Serbia kishte humbur çdo të drejtë mbi Kosovën dhe tani serbët po thonë: dakort, ne jemi në këtë proces tashmë dhe nëse doni që të tregohemi të arsyeshëm, ose nëse doni që miqtë tuaj të arsyeshëm si zoti Tadiq të fitojnë zgjedhjet, atëhere duhet të na jepni diçka. Dhe kjo diçka që duam është anëtarësimi në Partneritetin për Paqe, edhe pse nuk u jemi përmbajtur zotimeve dhe nuk i kemi plotësuar kushtet. Cilat ishin kushtet? Arrestimi i Mlladiqit dhe dërgimi i tij në Hagë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri i Kosovës Agim Çeku ka vizituar Moskën dhe zyrtarët rusë kanë thënë se Rusia do të njohë pavarësinë e Kosovës, vetëm pasi ta ketë bërë Serbia. Zyrtari rus Konstantin Kosachyov gjithashtu ka thënë se "Moska sërish në formë të prerë fton Prishtinën për kontakte të drejtpërdrejta me Beogradin".

PATRICK MOORE
Çështja këtu nuk është ajo e njohjes, pasi ajo nuk do të jetë e nevojshme. Ajo që do të jetë e nevojshme këtu është sigurimi i mospengimit nga ana e rusëve të pavarësisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që ata të mos vënë veton dhe nuk ka asgjë më shumë që zoti Çeku apo çdokush tjetër në vend mund të bëjë për këtë çështje. Kjo, sepse ajo për të cilën rusët po punojnë realisht është një marrëveshje, jo me qeverinë në Prishtinë, por ata po kërkojnë për marrëveshje me qeveritë në Shtetet e Bashkuara dhe në Londër. Dhe ajo që supozohet se kërkojnë është arritja e një marrëveshjeje, në të cilën Shtetet e Bashkuara do ta lenë Rusinë të bëjë ç'të dojë në Gjeorgji. Nuk jam i sigurt se ajo do të ndodhë. Por as unë nuk e prisja se çfarë ndodhi në Rigë. Gjithsesi nga perspektiva e Moskës, Kosova nuk është e rëndësishme, Serbia nuk është e rëndësishme, Ballkani nuk është një rajon realisht i rëndësishëm, përveç se për investime ekonomike. Ajo që rusët kanë ndërmend në këtë mes kur flasin për Kosovën, kur takohen me zotin Çeku, kur takohen me zotin Tadiq apo Koshtunicën, është mendimi për ish zonat sovjetike afër kufijve të tyre që rusët i quajnë fqinjët e parë. Ata po kërkojnë mënyrat se si të shantazhojnë vendet baltike, po përpiqen të gjejnë mënyra që sërish të sjellin Ukrainën dhe Gjeorgjinë nën kontrollin e tyre, dhe kjo është ajo që po bëjnë. Kjo është pjesë e një loje të madhe shahu, në të cilën zonat e Ballkanit nuk janë shumë të rëndësishme për to.
Intervistoi Melazim Koci
XS
SM
MD
LG