Ndërlidhjet

BURNS: SHBA-TË MBËSHTETIN ZGJIDHJEN SA MË TË SHPEJTË TË STATUSIT


Augustin Palokaj, Bruksel

Ka mbaruar sot në Bruksel konferenca dy ditëshe e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-së me çka është shënuar fundi i kryesimit të Belgjikës në këtë organizatë dhe pas kësaj kryesimin do ta marrë Spanja.

Takimi dy ditësh është karakterizuar me shumë diskutime rreth Kosovës, por në dokumentet zyrtare përfundimtare nuk është arritur të përmendet shumë për statusin e Kosovës, pos deklaratës për rolin e OSBE-së në Kosovë edhe në të ardhmen.

Mbetemi të gatshëm të vazhdojmë angazhimin në Kosovë, duke u bazuar në ekspertizën e organizatës, në zhvillimin dhe monitorimin e institucioneve demokratike, të drejtave të njeriut përfshirë dhe të komuniteteve, sundimit të ligjit etj, thuhet në deklaratën e OSBE-së, për rolin e misionit të kësaj organizate në Kosovë.

Por për Kosovën kanë folur shumë përfaqësues të vendeve anëtare të OSBE-së. Kështu edhe në ditën e dytë të konferencës ministrore në Bruksel, Nënsekretari amerikan i Shtetit Nicholas Burns ka kërkuar që të veprohet shumë shpejt rreth vendimeve për statusin e Kosovës.
Nicholas Burns edhe ditën e dytë ka përsëritur se ndihet i habitur me deklaratat e ambasadorit të Rusisë në Beograd, i cili ka kërcënuar me veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për statusin e Kosovës, nëse ai nuk do të ishte i pranueshëm për të dyja palët.

Nicholas Burns ka përsëritur se deri më tani nuk është dëgjuar asnjë diplomat rus të jetë kërcënuar me veto.
Jam shumë i habitur se si një ambasador i një anëtari të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mund të kërcënojë me veto, kur ende as nuk e kemi propozimin e Ahtisarit, ka thënë Burns, duke nënvizuar se mund të ketë qenë ndoshta dhe keqinterpretim deklarata e ambasadorit rus.
Nicholas Burns ka thënë se në një afat prej rreth një muaj pas zgjedhjeve në Serbi, pra kah fundi i muajit shkurt apo fillimi i marsit, duhet të vendoset statusi i Kosovës.

Por se rusët mendojnë ndryshe, ka dëshmuar sot edhe Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov, i cili në Bruksel ka thënë se nuk mund të ketë, siç është shprehur ai, afate artificiale për statusin e Kosovës.

Lavrov ka përsëritur se vendi i tij angazhohet që zgjidhja për statusin e Kosovës të arrihet, siç u shpreh ai, me marrëveshje mes të dyja palëve përmes negociatave kjo marrëveshje të jetë e pranueshme për të dyja palët.
Lavrov nuk ka përsëritur kërcënimet për veto në Këshillin e Sigurimit, por as nuk e ka hedhur poshtë një gjë të tillë.

Gjatë takimeve të ministrave të OSBE-së ka patur disa takime bilaterale dhe kështu edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Drashkoviq është takuar edhe me Nënsekretarin amerikan Nicholas Burns dhe me Ministrin e Jashtëm të Rusisë Sergej Lavrov.

Pas këtyre takimeve Vuk Drashkoviq është munduar t'u shpjegojë gazetarëve se ka marrë mbështetje se do të ketë negociata të tjera për statusin e Kosovës, por mendime që nuk i ka konfirmuar askush tjetër pos tij.

Vuk Drashkoviq në fjalimin e tij ka përsëritur qëndrimet tashmë të njohura se Serbia as me kërcënime as me shpërblime, nuk do të pajtohet me krijimin e një shteti të dytë shqiptar në territorin e saj.
Nëse ka një Kinë me dy sisteme, pse të mos ketë një Serbi me dy sisteme, ka thënë ai, duke përsëritur se shqiptarët mund të qeverisin me Kosovën, por ajo duhet të mbetet brenda kufijve të Serbisë.

Por shumë folës sot kanë thënë se Kosova do të zgjidhet përmes një procesi nën udhëheqjen e OKB-së dhe se ajo nuk mund të krahasohet me ndonjë problem tjetër të pazgjidhur diku tjetër në botë.



XS
SM
MD
LG