Ndërlidhjet

GASHI: SYNOJ UNIFIKIMIN E KRAHËVE TË POLARIZUAR TË LDK-SË


Alush Gashi, kandidat për kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi. Kanë mbetur pak ditë deri në zgjedhjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ju jeni përfolur si një prej kandidatëve që do të konkurrojë për kryetarin e partisë, andaj ku e shihni pozicionin tuaj në LDK pas këtij Kuvendi Zgjedhor?

ALUSH GASHI
Fatmirësisht ne kemi pas një proces të mirë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, proces i cili ka demonstruar një interesim shumë të madh të qytetarëve për aderim e anëtarësim në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në të gjitha kuvendet e Lidhjes Demokratike të Kosovës është riafirmuar politika paqësore, si thelb i programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, është riafirmuar angazhimi i LDK-së për institucione demokratike e të qëndrueshme, ku qytetarët e Kosovës do të kenë një jetë me dinjitet, është nxjerrë në pah domosdoshmëria që LDK-ja të krijojë më shumë hapësirë për njerëz të ditur dhe mu në këtë kërkesë e shoh rolin tim. Mendoj se Kosova si shtet i pavarur do të dalë edhe në arenën ndërkombëtare dhe përveç aktivistëve e njerëzve të sakrificës, tash jemi në fazën kur Kosovës i nevojiten njerëz të ditur.
Si parti politike, e cila e ka një organizim të shkëlqyeshëm, unë ofroj një unitet, i cili do të garantojë zhvillimin e proceseve demokratike në Kosovë. Ky unitet sot është i domosdoshëm pas polarizimeve, të cilat janë krijuar me rastin e propozimit, por i cili është duke u zhvilluar në terren si imponim i një votimi të hapur me anë të nënshkrimeve, në njëfarë mënyre të përcaktimit të detyrueshëm se kush për kë është. Prandaj angazhimi im është që në Lidhjen Demokratike, këtyre dy krahëve të polarizuar t’u ofroj mundësinë e unifikimit dhe bashkëpunimit për të mirën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’i fituar zgjedhjet lokale e të përgjithshme, por edhe për të mirë të vendit në tërësi, si dhe bashkëpunimit rajonal.

RADIO EVROPA E LIRË
Dy kandidatët e tjerë për kryetar të LDK-së, kanë mbledhur nënshkrimet, atë që edhe ju e përmendët, andaj si do të procedoni ju dhe a do të kërkoni që kjo formë e konkurrimit të ndryshojë gjatë mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor?

ALUSH GASHI
Shikoni, është Kuvend, është Kuvend Zgjedhor dhe besoj që pas një debati, delegatët do të vendosin dhe sido që të vendosin unë do ta respektoj atë vendim. Fatmirësisht edhe zoti Fatmir Sejdiu, edhe zoti Nexhat Daci janë kandidatë të mirë dhe për mua është nder që do të jem në një garë me ta. Por, është bindja ime e thellë, dhe unë e kam kontestuar këtë propozim në ditën e propozimit se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka nevojë që përmes nënshkrimeve të ndahet në çdo proces zgjedhor. Andaj unë do të kërkoj prej delegatëve në Kuvendin e Lidhjen Demokratike të Kosovës që ta mbështesin kërkesën që në Kuvend në mënyrë të lirë të propozohen kandidatët dhe të votohet për kandidatin i cili do të jetë, ashtu si e shoh unë, i pari në mesin e të barabartëve. Tentimet për kopje të presidentit Rugova, ato koha do të tregojë se do të jenë dështime. Ne kemi mundësi që ta kemi një Këshill të Përgjithshëm të mirë, një kryesi të mirë dhe një kryetar, i cili do të punojë së bashku dhe do të jetë i pari në mesin e të barabartëve.
Natyrisht, kjo është qasja ime dhe unë do ta respektoj rezultatin që do të dalë nga Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Do t’i vazhdoj angazhimet e mia në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës dhe në zhvillimet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe aty që e shoh rolin primar është që të krijojmë raporte të mira me botën e lirë dhe mos të kundërvihemi.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG