Ndërlidhjet

ZGJIDHJA E STATUSIT DO TË NDIKOJË NË RRITJEN E ZHVILLIMIT EKONOMIK


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Zhvillimi ekonomik i Kosovës edhe vitin tjetër do të përballet me vështirësi, ndonëse ekspertët shpresojnë se me zgjidhjen e statusit përfundimtar, do të fillojë një cikël i ri i investimeve. Muhamet Mustafa, kryetar i Institutit për Hulumtime Zhvillimore “RIINVEST”, pohon se në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm do të ketë rënie të konsumit.

“Në vitin e ardhshëm, ndoshta pjesën e dytë do të ballafaqohemi më një rënie të konsumit, për shkak të rënies së prezencës ndërkombëtare. Por, megjithatë ne presim një ndryshim cilësor. Kosova është duke hartuar strategjinë e zhvillimit, e cila do t'i ketë prioritetet e veta zhvillimore,” tha zoti Mustafa.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se zgjidhja e statusit përfundimtar do të ndikojë në rritjen e zhvillimit ekonomik, pasi që në këtë mënyrë Kosova do të ketë qasje në institucionet financiare ndërkombëtare.

“Pikërisht mendoj se kjo është një mundësi e re që Kosova deri më tani nuk e ka pas. Dhe qasja në institucionet financiare ndërkombëtare do ta ndihmojë zhvillimin e Kosovës. Por për politikat ekonomike në Kosovë duhet të pasur kujdes nga politik bërësit që këto politika të jenë joshëse për investitorët potencialë që Kosova i ka, qoftë të huaj apo vendorë”, tha zoti Shahini.

Edhe zoti Mustafa, shpreson se ekonomia e Kosovës do të ringjallet nëpërmjet investimeve të huaja.
“Viti i ardhshëm pres që të jetë fillimi i një cikli të ri investimesh në Kosovë. Kur e them këtë, një nga faktorët që duhet të bëhet si parakusht për të filluar një cikël më serioz investimesh është edhe zgjidhja e statusit”, tha zoti Mustafa.

Por në këtë kuadër edhe institucionet vendore duhet të krijojnë infrastrukturë dhe politika të mirëfillta ekonomike, në mënyrë që të avancojnë biznesin privat, thotë zoti Shahini.
“Dhe ne shpresojmë se do të jetë një vit që do të ketë zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik, duke pasur ndryshime të politikave ekonomike që avancojnë zhvillimin e biznesit privat,” tha zoti Shahini.

Edhe investimet në projektet kapitale nga qeveria e Kosovës, që në këtë vit sipas zotit Shahini, kanë qenë shumë të vogla, do të ndihmojnë rritjen e zhvillimit ekonomik në Kosovë, duke rritur numrin e të punësuarve.

“Me siguri që Kosova ka shumë nevojë për më shumë projekte kapitale, sepse në Kosovë mungon infrastruktura fizike në radhë të parë. Duke filluar nga shërbimet publike, energjia, uji, rrugët dhe të gjitha këto qeveria e Kosovës, mendoj se në këtë vit duhet të bëjë më shumë se në vitet e kaluara, sepse kërkesat e qytetarëve janë shumë të mëdha," tha zoti Shahini.

Sidoqoftë, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, zhvillimi i ulët ekonomik, Kosovën edhe këtë vit e lë me 60 përqind të papunë. Gjithashtu në raport thuhet se po për këtë shkak, në Kosovë 37 përqind e popullatës jetojnë në varfëri me më pak se 1.42 euro në ditë, ndërkaq 11 përqind të qytetarëve jetojnë në varfëri ekstreme me më pak se 93 centë në ditë.

XS
SM
MD
LG