Ndërlidhjet

KOSOVA NDJEK RRUGËN E RREZIKSHME NË PLANIFIKIMIN E MISIONIT TË ARDHSHËM NDËRKOMBËTAR


The Independent

Kosova ka vendosur që të ndjekë rrugën e Bosnjë e Hercegovinës, duke i dhënë një fuqi të balancuar mbikqyrësve ndërkombëtarë dhe duke i injoruar udhëheqësit e zgjedhur.

Misioni i Bashkimit Evropian që pritet të marrë përgjegjësitë nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të ketë pushtet të mjaftueshëm mbi autoritetet vendore dhe do të jetë i ngjashëm me misionin jofrytdhënës të komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë.

Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë perëndimore presin që vendimi i ardhshëm i Kombeve të Bashkuara mbi statusin e Kosovës të rezultojë me një pavarësi të kushtëzuar, përkundër kundërshtimeve që ka Serbia në këtë drejtim. Me zgjidhjen e statusit politik, në planin e Kombeve të Bashkuara është paraparë edhe themelimi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, ngjashëm si misioni në Bosnjë. Kjo zyrë do të ketë pushtetin që të anullojë vendimet e qeverisë së Kosovës, ligjet që do të miratohen nga Kuvendi dhe të shkarkojë zyrtarë, politika e të cilëve nuk i përmbahet standardeve të Bashkimit Evropian.

Një pushtet i tillë i misionit ndërkombëtar në Bosnjë, tashmë ka krijuar një antipati kundër Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, veçanërisht tek serbët dhe kroatët e Bosnjës.
Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë gjithashtu do të mbikqyrë edhe policinë e Kosovës, sistemin e drejtësisë, doganat dhe institucionet e ndëshkimit.
Përveç Prishtinës, zyra do të ketë edhe dy përfaqësi të tjera, një në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila është e banuar me shumicë serbe dhe një tjetër në Beograd.

Në plan nuk përmendet pavarësia, por vetëm përshkruhet ajo që do të ndodhë pasi të jetë zgjidhur statusi. Megjithatë, ky plan, i cili është krijuar nën mandatin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimi Evropian, Javier Solana, parasheh hapat që do të çojnë deri tek prania e bllokut evropian në Kosovë.

Pasi të jetë qartësuar statusi, Zyra Civile Ndërkombëtare do ta zëvendësojë administratën e Kombeve të Bashkuara, paqeruajtësit e NATO-s ndërkaq dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë do të vazhdojnë të mbeten në Kosovë, njësoj sikurse në Bosnjë.

XS
SM
MD
LG