Ndërlidhjet

“KOSOVA: PAFUNDËSISHT E VARUR”


Washington Times

E rrethuar nga Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, Kosova është dëshmi e gjallë e paaftësisë së Kombeve të Bashkuara për të zgjidhur problemet. Deri më tash, Kombet e Bashkuara është dashur ta zgjidhin statusin përfundimtar të Kosovës, ta rindërtojnë infrastrukturën, ta eliminojnë korrupsionin dhe të mundësojnë që Kosova të qeveriset nga institucionet e veta, por këto synime ende nuk janë përmbushur.

Edhe shtyrja e vendimit për statusin është një si nervozizëm i Kombeve të Bashkuara. Kosova në fakt qeveriset nga këshilltarët që vijnë nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Madje, disa departamente të qeverisë së Kosovës kanë më shumë këshilltarë se punëtorë vendorë dhe në këtë mënyrë vendorët nuk mund të bëjnë shumë, sepse të shumtën e kohës kalojnë me këshilltarët. Disa nga këta këshilltarë ndërkombëtarë, Kosovën e shohin si vendin e tyre jetësor të punës dhe jo si mundësi për bartjen e njohurisë së tyre. Në këtë kuadër, amerikanët janë ata që e kanë kuptuar më së miri misionin e tyre, por janë të frustruar me byrokracinë e pafundme të Kombeve të Bashkuara.

Njerëzit e OKB-së ngurrojnë shpesh që të marrin vendime nga frika se do të mund të kritikoheshin dhe në këtë mënyrë vendimet thelbësore vonohen me vite të tëra.

Disa në perëndim, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara kanë frikë se një Kosovë e pavarur do të mund të shndërrohet në një shtet mysliman radikal. Por, kosovarët në përgjithësi janë sekularë – mund të shëtitësh gjatë gjithë ditës rrugëve të Prishtinës dhe rrallë ndonjëherë mund të vërresh ndonjë grua me shami në kokë, e aq më pak me veshje fetare. Në veshje dhe sjellje, kosovarët e shohin veten si shumica e evropianëve, gjë që edhe janë. Megjithatë, rreziku i paqartësisë rreth statusit që vazhdon dhe zhvillimi i ngadalshëm ekonomik, do të mund të nxiste disa të rinj të pakënaqur që t’u bashkohen grupeve radikale myslimane.

Kosova ka ende mundësi reale që të bëhet një vend i suksesshëm me ekonomi të zhvilluar, por gjithashtu mund të zhytet në kaos, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk fillon të veprojë me më shumë vendosmëri dhe mençuri.

Aktualisht, Kosova mund të shihet si dështim jashtëzakonisht i shtrenjtë ose si sukses i pakompletuar. Në Kosovë nuk ka mungesë ekspertize vendore dhe ndërkombëtare, por ka mungesë lidershipi. Çështja tani ka të bëjë me faktin nëse shefi i administratës ndërkombëtare, Joachim Ruecker, ka mësuar nga gabimet e paraardhësve të tij dhe nëse ai do të fillojë të zbatojë një lidership të mençur dhe të vendosur, që deri më tash ka munguar.

XS
SM
MD
LG