Ndërlidhjet

LDK-JA ME KRYESI TË RE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka zgjedhur sot kryesinë e re të partisë. Kryesia e re është zgjedhur përmes një votimi të hapur sipas listës së propozuar nga kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu.

Në mbledhje morën pjesë 94 nga 107 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, pasi në takimin e sotëm, që është dhe i pari i Këshillit të ri të përgjithshëm të LDK-së, nuk kanë marrë pjesë mbështetësit e krahut politik të Nexhat Dacit. Kryetari i LDK-së, Sejdiu tha se do të bashkëpunojë ngushtë si me kryesinë e re, ashtu edhe me të tjerët dhe se kjo listë sipas tij, nuk është përjashtuese për askënd.

“Mendoj se me këta njerëz, por edhe me të tjerët, do të jem shumë i afërt, sepse për mua nuk ka listë përjashtuese, por do të vazhdojmë në projektin tonë të rëndësishëm dhe në misionin e rëndësishëm që ka LDK-ja në skenën politike të Kosovës”, tha Sejdiu.

Kryesia e re e LDK-së ka 21 anëtarë, 5 nënkryetarë dhe sekretarin e përgjithshëm. Nënkryetar i parë është zgjedhur Eqrem Kryeziu, ndërsa nënkryetarët e tjerë janë Kolë Berisha, Nekibe Kelmendi, Fadil Ferati dhe Lutfi Haziri. Ndërkaq, sekretar i përgjithshëm i partisë është zgjedhur Ramë Manaj.

Kryetari Fatmir Sejdiu tha se ende nuk ka vendosur lidhur me dy postet e tij dhe nëse ai do t’ia bartë tani e tutje kompetencat e kryetarit të LDK-së, nënkryetarit të parë, Eqrem Kryeziut apo ndonjërit prej nënkryetarëve, pasi që Sejdiut, Korniza Kushtetuese nuk i lejon të ushtrojë postin e kryetarit të partisë, përderisa është dhe president i Kosovës. Vendimin për postin e ushtruesit të detyrës së kryetarit të LDK-së, Sejdiu tha se do ta marrë në konsultime me kryesinë e re.

“Unë do të kem parasysh që të bëj hapat e tjerë në pajtim me dispozitat kushtetuese, por do të shohim me kryesinë e LDK-së, do ta analizojmë gjithë procesin dhe natyrisht edhe çështjen se kush do të ketë në këtë rrugëtim të përbashkët që do të jemi bashkë, një barrë të themi, të fokusuar në kuptimin e kryesisë së LDK-së. Pra, nuk kam marrë ende ndonjë vendim, do të shohim bashkasi”, u shpreh Sejdiu.

Nga takimi i sotëm, e pakënaqur me formën e zgjedhjes së Kryesisë, sikurse edhe të vetë Këshillit të Përgjithshëm është shprehur Melihate Tërmkolli, kryetare e Forumit të Gruas në LDK. Ajo kishte vërejtje në formën se si është zgjedhur kryesia përmes votimit të hapët dhe jo përmes votimit të fshehtë.

“Është çështje e Këshillit të Përgjithshëm, ju e dini Këshilli i Përgjithshëm nuk u zgjodh me votim të fshehtë edhe kjo kryesi është zgjedhur në atë mënyrë dhe po them nuk ka asgjë të keqe, po mos të ishte trumbetimi i madh që ka bërë ajo e ashtuquajtura kryesi e kryesisë që të bëhen me votime të fshehta, që të respektohet statuti e të tjera, e as në këtë rast nuk është respektuar”, theksoi Tërmkolli.

Duke i komentuar pakënaqësitë e shumta në LDK që nga Kuvendi zgjedhor e këndej, kryetari Sejdiu tha se besonte që nuk do të përçahet, por do të vazhdojë të ruajë unitetin e saj.

“Unë nuk e konsideroj se është përçarje e LDK-së nëse LDK-ja përfundon një proces, një cikël të zgjedhjeve dhe krijon një strukturë që ta udhëheqë në periudhën e mëtutjeshme”, vlerësoi Sejdiu.


Nga ana tjetër, zgjedhjen e kryesisë së LDK-së dhe nënkryetarëve në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm, krahu politik i ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci e ka quajtur jolegjitime, meqenëse sipas tyre është shkelur statuti i partisë.

Përkrahësit e Nexhat Dacit, kanë bojkotuar mbledhjen e sotme të këtij këshilli.
Ish-zëvendëskryeministri Adem Salihaj nga ky krah, thotë se në LDK tashmë është krijuar një ndasi e thellë. Salihaj konsideron se nëse jo ndarje, ndasia tashmë është e qartë brenda LDK-së.
“Që është krijuar një ndasi tepër e madhe është realitet”, tha Salihaj.

Salihaj nuk ka sqaruar se çfarë do të bëhet me krahun e Nexhat Dacit në të ardhmen. Por ai ka thënë se qëndrimet e këtij krahu për të ardhmen do të artikulohen në ditët në vijim.

Pas mbledhjes, kryetari i LDK-së Fatmir Sejdiu dhe kryesia e re e kësaj partie vunë lule dhe bën homazhe pranë varrit të presidentit Rugova, themelues dhe drejtues i LDK-së për 16 vite.



XS
SM
MD
LG