Ndërlidhjet

PARTITË OPOZITARE NUK DO TË MARRIN PJESË NË SENCËN E NESËRME TË KUVENDIT


Albana Isufi, Prishtinë

Aprovimi i Buxhetit të Kosoëvs për vitin 2007 nuk dihet nëse do të bëhet nesër, pasi sërish opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në seancën kur do hidhet në votim miratimi i buxhetit. Mungesa e opozitës mund të rrezikojë kuorumin, siç ndodhi tre ditë më parë, gjë që çoi në ndërprerjen e seancës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Jakup Krasniqi, tha sot se PDK nuk pajtohet me këtë buxhet. Ai ditë më parë e cilësoi atë buxhet të varfërisë dhe të padijes.

“Kemi thënë që nuk e miratojmë, nuk e votojmë, bile as marrim pjesë aty ku votohet për buxhetin e vitit 2007. Kam njoftuar edhe kryetarin e Kuvendit dhe shefat e grupeve të tjera parlamentare. Nesër ne nuk marrim pjesë në seancë”, tha Krasniqi.

Ngjashëm do të veprojnë edhe deputetët e partisë tjetër opozitare ORA. Anëtari i Kryesisë së Kuvendit Gazmend Muhaxheri, thotë se Ora nuk do të jetë faktori, që do të krijojë kuorumin në seancën e nesërme.

“Grupi Parlamentar i partisë reformiste Ora është deklaruar qartë nuk do t’ia krijojë kuorumin koalicionit qeverisës. Nëse e kanë kuorumin për ta aprovuar buxhetin, ne ndoshta do të jemi në seancë. Pra, nëse e kanë të krijuar, ne do të jemi në seancë dhe do të votojmë kundër”, tha Muhaxheri.

Në seancën e kaluar, përveç opozitarëve kanë munguar edhe disa deputetë të partisë që ka shumicën në Kuvend -LDK-së. Kjo qe vlerësuar se vjen si pasojë e zhvillimeve në LDK dhe ndarjes së saj në dy krahë, pasi që me largimin e opozitës, koalicioni nuk arriti të sigurojë shumicën e domosdoshme për të vazhduar seancën.

Besa Gaxherri deputete, që i përket krahut politik të ish-kryetarit të Kuvendit Nexhat Daci, thotë se ky krah përkrah parimisht aprovimin e buxhetit. Por, ajo personalisht nuk mund të marrë pjesë në fillim të seancës së nesërme.

“Në kërkuam, jo deputetët e krahut të Dacit, por shumica e deputetëve që seanca të fillojë në orën 11, ndërsa kryesuesi i seancës tha në 10. Unë po deklarohem këtu sot, se para orës 11 nuk vij në seancë. Mos të merret kjo si ndonjë shantazh, ashtu ta quaj, ndoshta është fjalë e rëndë, por unë para orës 11 nuk do të vij dhe kryetari i Kuvendit që nuk mund ta shikojë, pasi që është me interes aprovimi i buxhetit dhe ta shtyjë seancën, atëherë shihet se këtu dikush po i përgatit këto gjëra”, tha Gaxherri.

Është e paqartë nëse do votohet buxheti nesër, apo siç ka deklaruar kryeministri Agim Çeku ditë më parë, se rrugëdalja nga kjo gjendje mund të gjendet në marrëveshje me shefin e UNMIK-ut.

Si autoriteti kryesor në Kosovë, shefi i UNMIK-ut mund të shtyjë për një kohë miratimin e buxhetit, përderisa Kuvendi të tejkalojë këtë bllokadë. Por, vetë shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker i ka bërë thirrje Kuvendit që ta miratojë më shpejt buxhetin.


XS
SM
MD
LG