Ndërlidhjet

MOTI I ÇUDITSHËM I BINDI NJERËZIT SE KLIMA PO NDRYSHON


JULIE CORWIN

Shkencëtarët thonë se viti 2006 mund të jetë viti kur opinioni botëror më në fund e vetëdijësua për idenë se klima në Tokë me të vërtetë po ngrohet.
Ndoshta më në fund raportet e shkencëtarëve dhe politikëbërësve u treguan bindëse, por duket se më bindës ishte vetë moti i çuditshëm që mbizotëroi.

Çështja e ndryshimeve klimatike asnjëherë nuk ishte larg nga titujve kryesorë të lajmeve gjatë vitit 2006. Në janar të këtij viti, Shërbimi Kombëtar Meteorologjik amerikan njoftoi se 9 nga 10 vitet më të nxehta janë shënuar që nga viti 1995 e këtej.

Në shkurt, ekspertë për akullnajat e Grenlandës, paralajmëruan shkrirjen e lumenjve të ngrirë, duke hedhur kështu akull në Oqeanin Atlantik dy herë më shumë se sa një dekadë më herët.
Edhe politikanët dhe politikëbërësit kanë debatuar mjaft për ndryshimet klimatike.

Në tetor, ish drejtori i Bankës Botërore, Nicholas Stern publikoi një studim, të mbështetur nga Qeveria Britanike ku paralajmëroi se bota ka dështuar në evitimin e pasojave nga ngrohja globale.
Megjithatë më bindës se raportet, filmat, apo konferencat shkencore, ishte vetë moti.

"Publiku në përgjithësi ka një apo dy vite që është përfshirë në këtë çështje, ashtu siç nuk ishte përfshirë më parë, thjesht për shkak të pasojave nga ndryshimet klimatike. Duke u bazuar në atë që ndodh me klimën, këto ndryshime ishin shembuj konkret se çfarë mund të shohim në të ardhmen. Uraganë të fuqishëm dhe valë të të nxehtit përcëllues. Të gjitha këto i kanë bërë ndryshimet edhe më të qarta", thotë Michael Oppenheimer, profesor i shkencave gjeologjike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin amerikan Princeton.

Oppenheimer thotë se verën e kaluar në Amerikë dhe Evropë janë shënuar temperatura rekorde të larta. Për shembull korriku ishte muaji më i nxehtë që nga koha kur ka filluar matja zyrtare e temperaturave në Holandë, Belgjikë, Gjermani, Irlandë dhe Britani.
Një valë e ngjashme e goditi Evropën në verën e vitit 2003.

Oppenheimer thotë se këto vera të nxehta mund edhe të mos jenë të lidhura me ngrohjen globale. Ato thjesht mund të jenë anomali në sistemin tonë normal meteorologjik.

Michael Mann është drejtor i Qendrës për Studime Gjeologjike në Pensilvani.
"Ajo që njerëzit kuptojnë nga dita në ditë vërtetë ka ndikim të fortë në mënyrën se si e pranojnë këtë problematikë. Ndryshimi klimatik është ndryshim i gradual, ndaj njerëzit me kalimin e kohës do t'i përshtaten", thotë Mann.

James Hansen, drejtor i Institutit për studime të Gjithësisë pranë NASA-së, në nëntor pati deklaruar se botës i ka mbetur më pak se një dekadë që të ndërmarrë aksione vendimtare për t'u mbrojtur nga dëmet e pakthyeshme, që do të shkaktonin ndryshime katastrofike.
Shpejtësia me të cilën ngrohja globale mund të çojë në ndryshime katastrofike të ambientit, shumë herë është kontestuar. Shkencëtarët parashikojnë se nëse shkrihen akullnajat e Grenlandës, niveli i detrave mund të rritet 5 deri në 6 metra, që do të shkaktonte përmbytjen e disa qyteteve më të mëdha në botë. Në vitin 2005, sasia e akullnajave të shkrira në Grenlandë ishin dyfish më shumë se në vitin 1996.

Por, Oppenheimer thotë se shqetësim kryesor është natyra e paparashikueshme e ndryshimeve klimatike.
"Ajo që me të vërtetë na shqetëson është se nuk mund t'i parashikojmë gjërat. Kur flasim për këtë e kemi parasysh tërë sistemin e planetit Tokë", thotë ai.

Oppenheimer konkludon se ndryshimet globale klimatike mund të shkaktojnë dhjetëra miliona refugjatë të mjedisit që do të largoheshin nga vendet e thata për të ndërtuar jetët e tyre gjetkë.


XS
SM
MD
LG