Ndërlidhjet

KELMENDI:"NUK KA KRIZË KOALICIONI"


Nekibe KELMENDI, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, javën që po e lëmë pas Kuvendi i Kosovës është ballafaquar me mungesë kuorumi. Disa kanë deklaruar se kjo është pasojë e zhvillimeve në LDK pas Kuvendit Zgjedhor te kësaj partie. Si i shihni ju këto zhvillime?

NEKIBE KELMENDI
Seanca e së shtunës i ka demantuar të gjitha ato parashikime, që janë dhënë më herët qoftë nëpërmjet mediave, qoftë me analiza të ndryshme të analistëve. Patët rastin të shihni se LDK ishte unike, LDK ishte e tëra e pranishme, LDK ishte në atë përbërje që ishte edhe para Kuvendit zgjedhor, që do të thotë se nuk ka ndryshuar në këtë pikëpamje asgjë dhe mund të them se jam e lumtur që megjithatë deri më tash një unitet brenda LDK-së po manifestohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të thotë ju nuk pajtoheni me pohimet se Kuvendi mund të futet në një krizë e rrjedhimisht edhe koalicioni qeverisës?

NEKIBE KELMENDI
Po edhe kjo u demantua. Ne bashkë votuam me koalicionin qeverisës ligjin më të rëndësishëm për Kosovën për një vit kalendarik, siç është ligji për Buxhetin e Kosovës. Ishin të pranishëm gjithsej 72 deputetë në Parlamentin e Kosovës, prej tyre me 65 vota u miratua ligji, që do të thotë se nuk ka pasur krizë koalicioni. Ka votuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e edhe 6+. Kanë votuar të gjithë deputetët e LDK-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, partitë opozitare po vazhdojë të kërkojnë rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e një koalicioni gjithëpërfshirës. A mendoni se do të mbijetojë koalicioni aktual LDK- AAK deri në zgjedhjet e ardhshme?

NEKIBE KELMENDI
Mendoj se koalicioni është i qëndrueshëm dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit të tij. Kurse sa i përket qeverisë që kërkohet nga opozita , këtë e kemi provuar dhe nuk ka dhënë asnjë rezultat. Pse të kthehemi prapa? Pse të bëjmë hapa retrogradë, kur mundemi me këtë qeveri ta çojmë çështjen përpara deri në zgjedhjet e ardhshme, e pastaj kushdo që të fitojë mund t’ia urojmë fitoren.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqenëse Kosova është në fazën e përcaktimit të statusit final, si reflektojnë të gjitha këto deklarata e hipoteza në këtë proces?

NEKIBE KELMENDI
Unë besoj se bashkësia ndërkombëtare tanimë e ka krijuar bindjen për potencialin udhëheqës të Kosovës, të institucioneve të Kosovës dhe mendoj se nuk do të reflektojë. Në anën tjetër periudha e gjatë e negocimit me grupin e z Ahtisaari dhe të gjitha çështjet, që i kemi zgjidhur, qoftë të natyrës teknike, qoftë standardet – standardet shtesë që janë kërkuar nga ne, ne i kemi përmbushur dhe nuk shoh se kjo do të mund të ndikojë të ndërrojnë ndonjë mendim lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës- e kam fjalën ndryshimi i mendimit për të keq.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi jemi në fund të vitit, i cili është karakterizuar me procesin për përcaktimin e statusit përfundimtar. Si e vlerësoni rrjedhën e deritashme të këtij procesi?

NEKIBE KELMENDI
Mendoj se ky vit që po e lëmë pas ka qene jashtëzakonisht vit i mundimshëm për ne, ka qenë vit që ka kërkuar shumë angazhim nga ne, shumë punë, shumë maturi politike, por edhe fleksibilitet në shikimin e të drejtave dhe ngjarjeve që janë zhvilluar në Kosovë. Unë mendoj se ky fundvit do të karakterizohet me lënien prapa të një qeverisje nga ana e bashkësisë ndërkombëtare dhe pres që me mbarimin e këtij viti për një periudhë shumë të shkurtër të vitit të ardhshëm të transferohen të gjitha kompetencat në institucionet vendore, sepse kanë treguar edhe aftësi edhe qëndrueshmëri për të qeverisur me Kosovën, me popullin e Kosovës dhe mendoj se ndoshta është e arsyeshme deri diku që në fushën e drejtësisë dhe të rendit të kemi një mbikëqyrje të lehtë civile. Ndërkaq, sa i përket trupave të NATO-s, të KFOR-it mendoj se ata duhet të qëndrojnë edhe më tutje, derisa ata ta vlerësojnë se është e nevojshme që të qëndrojnë këtu. Por, mendoj se me zgjidhjen e statusit, Kosova do ta ketë edhe ushtrinë e vet e cila do të jetë thuajse një krah i NATO-se dhe do të veprojë së bashku me NATO-n për qëllimet e caktuara, për ruajtjen rendit dhe qetësisë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, përmendet këto objektiva për Kosovën e ardhshme. A mendoni se do të përfshihen këto në pakon për statusin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari që pritet ta paraqesë në fund te janarit?

NEKIBE KELMENDI
Këtë do të dëshiroja. Por, se çka do të përmbajë pakoja, nuk mund ta paragjykojë dhe parashikojë sepse nuk kam pasur qasje në atë pako të tij.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se do të zgjidhet statusi përfundimtar?

NEKIBE KELMENDI
Pas pakos që do ta shpalosë Z Ahtisari pas zgjedhjeve në Serbi, do të kalojë një kohë me negociatat mes vendeve të Grupit të Kontaktit. Besoj se deri nga qershori do të përfundoje e gjitha.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi janë disa çështje që institucionet e Kosovës duhet t’i kryejnë gjatë periudhës së transicionit, siç janë hartimi i kushtetues, ligji zgjedhor dhe simbolet shtetërore. Sa janë duke punuar institucionet dhe a mund të arrihen këto për një periudhë të shkurtër kohore?

NEKIBE KELMENDI
Jo, këto nuk mund të bëhen deri në fund të janarit. Paraprakisht duhet të dihet statusi i Kosovës, që të mund të bëhen këto, të vihen në letër këto ligje. Por, për ne kjo nuk paraqet vështirësi. Ne jemi në pritje të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës dhe pastaj do të hartojmë të gjitha këto ligje që janë më se të nevojshme për një shtet, sepse një shtet duhet të ketë se pari kushtetutën, si akt më të lartë, pastaj ligjin për simbolet shtetërore, ligjin për të drejtat e minoriteteve, ligjin për himnin kombëtar e kështu me radhë.

Intervistoi: Albana ISUFI
XS
SM
MD
LG