Ndërlidhjet

KUSH DO TË JETË USHTRUES DETYRE I KRYETARIT TË LDK-SË?


Albana Isufi

Tri javë pasi që u zgjodh kryetari i LDK-së, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka pezulluar funksionin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Korniza Kushtetuese parasheh që kryetari i Kosovës nuk mund të ushtrojë poste tjera zyrtare dhe as të jetë i punësuar tjetërkund. Baza juridike e institucioneve të Kosovës përcakton këtë me qëllim që kryetari i Kosovës të shërbejë si institucion i unitetit të qytetarëve të Kosovës. Vetë presidenti Sejdiu ka deklaruar se do të respektoje dispozitat e kësaj Kornize.
“Unë kam bërë një pezullim të ushtrimit të funksionit të kryetarit të LDK-së, duke pasur parasysh dispozitat kushtetuese dhe do të jem i angazhuar drejtpërdrejt në pozicionin e kryetarit të Kosovës, për të vazhduar me kontributin e tij në procesin e statusit dhe punëve tjera në baza ligjore dhe kushtetuese”, tha Sejdiu.
Zyrtarë për informim të LDK-se pohojnë se do të jetë nënkryetari i parë i LDK-së Eqrem Kryeziu ai që do të marrë kompetencat e ushtruesit të detyrës së kryetarit të partisë. Mirëpo, njëra nga 5 nënkryetarët e partisë Nekibe Kelmendi thotë se të 5 nënkryetarët do të kenë të njëjtat përgjegjësi.
“Unë nuk jam e njoftuar se a është lëshuar ndonjë komunikatë, por shikuar nga aspekti i statutit i LDK-së atëherë postin e ushtrojnë të gjithë nënkryetarët, “ tha Kelemendi.
Postin e kryetarit të partisë e pati ngrirë edhe presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, por kompetencat e kryetarit të partisë, z Rugova nuk i pati deleguar te askush.
Presidenti Fatmir Sejdiu është kryetari i parë i LDK-së, pas liderit të saj historik Ibrahim Rugova. Z Sejdiu është zgjedhur kryetar i LDK-së në Kuvendin Zgjedhor te 9 dhjetorit, ndërsa brenda 10 ditëve tjera është zgjedhur kryesia e re e partisë, nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm.
Nga Kuvendi i Gjashtë Zgjedhor është ndarë i pakënaqur krahu politik i Nexhat Dacit, i cili ka qene kunderkandidati i z. Sejdiu për kryetar të partisë. Ky krah thotë se u janë bërë padrejtësi duke lënë jashtë Këshillit të Përgjithshëm pothuajse të gjithë përkrahësit e z. Daci. Po ashtu krahu politik i ish kryetart te kuevdnit Nexhat Daci i konsideron jo legjitime edhe organet tjera drejtuese të partisë të zgjedhura pas Kuvendit.
XS
SM
MD
LG