Ndërlidhjet

FAMILJARËT E TË PAGJETURVE PROTESTOJNË NË NATËN E VITIT TË RI


Zijadin Gashi


Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Pagjeturve të Kosovës ka shprehur sot pakënaqësi me punën e institucioneve të Kosovës por edhe atyre ndërkombëtare, lidhur me angazhimet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur e të pagjetur të luftës. Kryetari i këtij Këshilli, Haki Kasumi, tha se ende nuk dihet asgjë për fatin e 2202 personave të pagjetur. Duke shprehur indinjatën me angazhimet e institucioneve të Kosovës, Këshilli ka vendosur që të organizoj një manifestim pakënaqësie natën e vitit të ri, duke qëndruar para dyerve të Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës, kurse ndërrimin e mot-moteve, ky Këshill mëton ta pres në sallën e Kuvendit të Kosovës. Haki Kasumi tha se institucionet e Kosovës kanë bërë minimumin e tërë asaj që kanë premtuar lidhur me zbardhjen e fatit të të pagjeturve. “Shtruarja e çështjes së të pagjeturve në nivelin më të lartë që ishte insistim i yni i kahershëm në Vjenë është bërë në mënyrë formale dhe pa kurrfarë përgatitjesh nga përfaqësuesit e palës shqiptare. Puna e komisionit qeveritar për të pagjeturit gjithashtu ka përfunduar gjatë këtij viti, pa rezultate konkrete. Përafërsisht të njëjtën rrugë është edhe puna e Parlamentit të Kosovës për çështjen e të pagjeturve”, tha Kasumi. Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Pagjeturve të Kosovës ka vlerësuar se bisedimet për fatin e të pagjeturve me Beogradin kanë dështuar, kurse në takimet e Vjenës, kjo çështje është trajtuar vetëm si një agjendë sa për t’u përmendur, pa përgatitje paraprake. Pakënaqësitë e shumta të familjarëve dhe të afërmve të personave të pagjetur, do të manifestohen në formë protestash natën e vitit të ri nga ora 19:00 deri në 7 të mëngjesit të 1 janarit. Bajram Qerkini tha se kjo pakënaqësi do të shprehet në formë të qetë dhe nuk mëton të mos i lë rehat, si tha ai, autoritetet, por t’i rikujtoj udhëheqësit kosovarë se kanë marrë obligime mbi vete të cilat nuk janë duke i realizuar. “Një udhëheqës i Kosovës i cili i ka marrë votat e është rehat e nuk i ka 2202 veta të pagjetur, unë besoj se nuk ka aso shqiptari në Kosovë, e nëse ka, mjerisht, mjerisht, mjerisht që është udhëheqës. Së dyti, nuk kemi nevojë ne të marrim pëlqim a të hymë apo jo në Parlament, por duam të shprehim dëshiron tonë ku ne duam ta presim Vitin e Ri edhe t’u tregojmë se ata është dashtë të na e japin një përgjigje për ato vendime që janë miratuar në Parlament”, theksoi Qerkini. Në mesnatë, Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Pagjeturve të Kosovës ka planifikuar që protestuesit të presin ndërrimin e mot-moteve në sallën e Kuvendit, aty ku deputetët kosovarë kanë miratuar rezoluta e vendime lidhur me zbardhjen e fatit të pagjeturve, por me punën e të cilëve tani Këshilli shprehet i pakënaqur.



XS
SM
MD
LG