Ndërlidhjet

PROBLEMET E PAKICAVE JOSERBE NË VITIN 2006


Rrahman Paçarizi


Numri më i madh i pjesëtarëve të komunitetit turk, boshnjak dhe rom jeton në Prizren. Ata kryesisht suksesshëm marrin pjesë në jetën publike, disa merren me tregti, por thonë se shumë probleme ende nuk janë zgjidhur. Raima Sagdati, boshnjake nga Prizreni thotë se nuk është bërë asgjë për zbutjen e papunësisë. “Ky vit ka qenë shumë i vështirë dhe kriza ekonomike shkakton edhe krizë politike”, thotë zonja Sagdati, e bindur se deri sa të përcaktohet statusi gjendja nuk do të ndryshojë, por më pas është optimiste se do të bëhet më mirë. Shukri Gorani, turk nga Prizreni po ashtu papunësinë e sheh problemin më të madh. “Gjendja ekonomike është shumë e vështirë, rrogat janë të vogla dhe vështirë i dilet në krye”, thotë Gorani, duke shpresuar që vitin e ardhshëm të bëhet më mirë dhe që të punësohen sidomos të rinjtë.
Zyrtarët thonë se më shumë kompetenca në nivelin lokal, mbrojtja e të drejtave të pakicave dhe përdorimi i barabartë i gjuhëve janë kushte për integrim të suksesshëm të këtyre pakicave në Kosovë. Përfaqësuesit e atyre që tashmë quhen pakica joserbe thonë se përparimi i pozitës së tyre nis në nivelin lokal. Përfaqësuesi i pakicës boshnjake në Kuvendin e Kosovës Xhezair Murati thotë se decentralizimi mund t’i kontribuojë edhe zhvillimit.“Kur lëshohemi në nivelin e infrastrukturës kemi ndonjë sukses sa u përket pakicave, para së gjithash kur është fjala për rrugët lokale, ambulancat, ujesjellësit e kështu me radhë“, tha Murati.
Mahir Jagcilar, përfaqësues i Partisë Demokratike Turke thotë se është bërë shumëçka për pakicën turke, por ende jo sa duhet.“Për ne decentralizimi është më i rëndësishmi, pasi mjedisi me shumicë truke është Mamusha e Prizrenit, që është bërë komunë më vete“, tha Jagcilar, i cili e konsideron sukses botimin e disa librave shkollore në gjuhën turke, por mendon se ka nevojë edhe për të tjera.
Osman Osmani nga organizata joqeveritare, “Iniciativa 6”, që merret me problemet e romëve, thotë se problemet me të cilat përballen romët janë para së gjithash punësimi dhe arsimimi. “Bashkësia rome duhet të gjejë mundësinë që të punësohet më shumë, ndërsa çështja e dytë është arsimimi dhe shpresoj që më 2007 të kenë së paku një lëndë për ta mësuar gjuhën e tyre amtare”, tha Osmani.
Sipas të dhënave jozyrtare në Kosovë jetojnë rreth 50 mijë boshnjakë, 40 mijë turq dhe më shumë se 30 mijë romë. Përfaqësuesit e tyre kanë marrë pjesë aktive në Kuvend, por jo gjithmonë kanë qenë të kënaqur. Edhe pse janë pjesë e procesit negociues për statusin në Këshillin Konmsultativ për Komunitetet Pakicë, ata thonë se nuk kanë marrë pjesë substanciale në proces.
XS
SM
MD
LG