Ndërlidhjet

SURROI:"PAVARËSIA VJEN NË FORMËN E IDENTITETIT EVROPIAN"


Veton SURROI, kryetar i partisë ORA

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Surroi, meqë jemi në fundin e këtij viti, si do ta cilësonit atë në mënyrën më të përmbledhur?

VETON SURROI
Më të përmbledhur, ka qenë një vit negociatash, një vit ku Kosova bashkë me bashkësinë ndërkombëtare ka përcaktuar themelet kryesore të asaj që do të duhej të ishte Kosova e ardhshme e pavarur, e cila duhet të caktohet vitin e ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi tek e ardhmja e Kosovës, fundi i këtij viti është karakterizuar nga diskutimet për shtyrjen dhe vetë shtyrja e statusit. Si e ka përjetuar ekipi negociues i Kosovës këtë shtyrje?

VETON SURROI
Natyrisht që nuk ka qenë lehtë, dhe asnjë prej nesh nuk do të donte ta shtynte këtë punë. Mirëpo, ne e kemi pranuar me realizëm me atë se është një vendim i Grupit të Kontaktit se janë arsyet jashtë Kosovës për këtë zhvillim. Ne jemi të gatshëm ta rifillojmë punën, atë pjesën përfundimtare që ka të bëjë me rezolutën e re të Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, sa ka qenë i vështirë pranimi i arsyes për shtyrjen e statusit?

VETON SURROI
Ne nuk mund të hyjmë këtu tash, sepse është një interpretim - arsyet i kanë ata që e kanë shtyrë, për ne është me rëndësi që të mos ketë arsye të brendshme në Kosovë, prandaj duhet shpejtuar në mënyrë dramatike, do të thosha, përgatitjet për tranzicionin drejt shtetit të pavarur, sepse këtu kemi një ngathtësi të theksuar të institucioneve kosovare.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Surroi, a do të mund ta elaboronit pak më tepër këtë çështjen e arsyeve eventualisht të brendshme, çështjen e funksionimit të brendshëm të Kosovës në raport me statusin dhe me afrimin e përcaktimit të këtij statusi?

VETON SURROI
Ne kemi një tranzicion të natyrshëm, ne kemi funksionuar si protektorat ndërkombëtar, pa një ligjvënie burimore dhe tash duhet të kalojmë në një ligjvënie burimore dhe të shpejtuar që nga Kushtetuta e deri te ligjet. Çështja e dytë është se ky administrim i deritanishëm ka qenë i dyfishtë, ku në masë të madhe, UNMIK-u dhe administrata kosovare vetëm sa e kanë penguar njëra-tjetrën dhe jo e kanë komplementuar, por e kanë penguar në punët dhe po ashtu kanë shërbyer si një lloj mburoje por të mbuluar defiçencat e veta. Tash duhet të kalojmë në një administrim kryekëput kosovar të marrjes së përgjegjësive nga kosovarët dhe në këtë drejtim duhen bërë përgatitjet e duhura. Dhe, çështja e tretë është definimi i një partneriteti të ri ndërmjet Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Në këtë fazë po ashtu duhet ndërhyrë dhe duhet parë se si mund të ndihmohet në partneritet dhe jo në një prani ndërkombëtare e cila në masë të madhe do cungojë funksionimin, për shembull në institucionet e gjyqësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas shtyrjes së statusit, ju keni pasur një varg vizitash dhe takimesh jashtë Kosovës, ashtu siç kanë pasur edhe udhëheqës institucionesh dhe kolegë tuajt nga grupi negociues. A mendoni se keni arritur të shmangni ndikimet eventuale negative mbi cilësinë e statusit?

VETON SURROI
Misionet e mia, disa prej tyre kanë, ose disa më të theksuara kanë qenë të drejtuara nga një obligim i ri që kemi, një detyrë e re që kemi si negociatorë, e kjo është që të sigurojmë përkrahjen fundamentale të një pjese bukur të madhe të shteteve të botës në ato që na presin, pra presim që të ndikojnë në përkrahjen ndaj qëndrimit tonë që kemi, pas shpalljes së pakos të Ahtisarit. Na nevojitet përkrahje e shumë shteteve në hartimin e rezolutës së re të Këshillit të Sigurimit dhe në fund na nevojitet një përkrahje e shteteve për njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe pranimi i Kosovës në anëtarësi të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke u kthyer edhe një herë në Kosovë, sa e shihni ju të qëndrueshme qeverinë dhe qeverisjen aktuale në Kosovës pas zhvillimeve në Lidhjen Demokratike të Kosovës, si dhe duke pasur parasysh edhe zhvillimet e mëpastajme?

VETON SURROI
Mendoj se ka qenë një mungesë, një mangësi e madhe kjo formë e administrimit në Kosovë, kjo formë e qeverisjes në Kosovë, nëse mund të quhet qeverisje. Unë mendoj se është një pamjaftueshmëri për nevojat e Kosovës, por është një pamjaftueshmëri edhe për kapacitetin që ka Kosova për ta qeverisur vetveten. Në disa aspekte, në disa segmente, jo vetëm kjo, por qeveritë e formuara në kontinuitet, nga ky dhe koalicionet e tjera kanë qenë një shuplakë fytyrës qytetarëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A e sheh veten partia Ora dhe ju personalisht në riorganizimet eventuale të kësaj qeverisjeje?

VETON SURROI
Ne nuk e kemi përjashtuar, por për ne qeverisja si e tillë dhe pjesëmarrja në qeveri si të tillë, nuk paraqet ndonjë objektiv shumë të madh. Për ne edhe të qëndruarit në opozitë qoftë edhe të vetmuar, nuk do të na pengonte, nëse do të thotë se e ruajmë dinjitetin dhe integritetin tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në bazë të takimeve dhe bisedave të shumta që keni pasur, cila është e ardhmja e Kosovës dhe kur qytetarët e Kosovës do të mund ta dinë atë?

VETON SURROI
Mendoj se e ardhmja është caktuar historikisht, është një ecje historike, nuk është e sotme, nuk është e caktuar këtë vit, as në këtë dhjetëvjetësh, bile do të thosha në këtë shekull jo se jo. E ardhmja e Kosovës është përcaktuar në momentin kur një popull niset drejt rrugëtimit për lirinë dhe këtë e ka filluar shumë më herët. Dhe, tash po mbërrijmë në fazën e fundit – liria është aty, po na pret, në formën e pavarësisë, në formën e partneritetit dhe për herë të parë në formën e identitetit tonë shtetëror evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund, çfarë do t’u thoshit qytetarëve të Kosovës në ndërrim të viteve?

VETON SURROI
Shpresoj që ky vit t’i gjejë me shëndet të mirë, t’i gjejë familjet e tyre me shëndet. Mirëqenia nuk vjen me automatizëm, për këtë duhet të angazhohemi të gjithë së bashku që të jetë edhe përpjekje e madhe, por edhe kremte e madhe e lirisë sonë.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG