Ndërlidhjet

BAGDAD


Ish diktatori irakian Saddam Hussein është varur në orët e hershme të mëngjesit në Bagdad, për krime kundër njerëzimit.
Qendrat televizive perendimore dhe arabe kanë emetuar pamje pak çaste para ekzekutimit të dënimit më të rëndë, si dhe pamje pasi ish diktatori ka vdekur.
Gjykatësi irakian Munir Hadad ishte i pranishëm gjatë aktit të ekzekutimit.
"Saddam Husseini ishte i veshur në rroba të zeza ndërsa në duar e mbante Kuranin e tij. Është mbajtur normal, nuk është frikësuar. Ai tha se është mësuar të luftoj dhe të mos friksohet nga vdekja. Ndërkohë i tha dy lutje dhe foli për politikën duke mu drejtuar me fjalët, 'të tërheqi vërejtjen për iranianët. Ndërsa sa i përket Irakut ju rekomandojë për tolerancë'. Ndërkohë përsëriti edhe dy lutje dhe vdiq menjëherë", bëri të ditur gjykatësi Hadad.
Ndërkaq dëshmitari tjetër i ekzekutimit të Saddam Husseinit, këshilltari për Siguri Kombëtare i Irakut, Muvafak al-Rubaje, në një intervistë për rrjetin televiziv CNN tha se ky akt është zbatim i drejtësisë.
"Kjo nuk është hakmarrje por zbatim i drejtësisë. Duhet t'i shikoni qindra mijëra viktima që janë në varre apo varreza masive, pasi kundër tyre, përfshi edhe kurdët, u përdorën armë kimike. Për viktimat ky është është një satisfaksion", tha Rubaje.
Duke reaguar pas ekzekutimit, presidenti amerikan George Bush deklaroi se varja e Saddam Husseinit është bërë pas "gjyqit të drejtë-drejtësi që ai u kishte mohuar viktimave të regjimit të tij brutal".
Ndërsa kryeministri australian John Houard tha se Husseini, është trajtuar në bazë të ligjeve në Irak.
"Besoj se është heroizëm për një vend siç është Iraku i cili po kalon dhimbje dhe vuajtje dhe prap ishte i hapur në procesin ndaj dikujt i cili ka qenë tiran dhe shtypës brutal e i cili njëherësh ka vrarë popullin e vet", tha Houard.
Reagime të ngjashme kanë ardhur edhe nga zyrtarët e Britanisë së Madhe, Izraelit, Iranit dhe Afganistanit.
"Ekzekutimi i ish presidentit është çështje e qeverisë irakiane. Ne ju urojmë paqe dhe prosperitet popullit irakian dhe besoj se kjo nuk do të ketë ndonjë ndikim në Afganistan", tha presidenti afgan Hamid Kharzai.
Varjen e Saddam Husseinit, e ka dënuar Bashkimi Evropian. Komisioneri për Ndihma dhe Zhvillim i BE-së Luis Michell tha se BE-ja i dënon krimet e kryera nga Saddami por gjithashtu edhe ekzekutimin me vdekje. Ai shtoi se ekzekutimi ishte barbarik dhe se kjo mund ta shndrrojë Saddam Husseinin në martir.
Dënimin me varje e kanë dënuar edhe Rusia, India dhe Libia.
Lidhur me ekzekutimin e Saddam Husseinit reagoi edhe Vatikani.
"Ekzekutimi i dënimit më të rëndë, gjithmonë është tragjik. Është moment i hidhur, edhe nëse personi i dënuar është fajtor për krime të mëdha. Pozicioni i Kishës Katolike ndaj dënimit me vdekje është përsëritur disa herë. Vrasja e fajtorit, nuk është mënyrë e rindërtimit e drejtësisë dhe për pajtimin e shoqërisë. Ekzekutimi i Saddamit është tragjik dhe rrezikon të ushqejë frymën e hakmarrjes", tha zëdhënësi i Vatikanit, Ati Federiko Lompardi.
Nga ana tjetër shumë irakianë e kanë pritur me gëzim ekzekutimin e ish diktatorit.
"Kjo është një ditë e madhe për Irakun, në veçanti edhe pse përkon me ditën e Kurban Bajramit. Jemi të lumtur sepse ai e ka shkatërruar këtë shtet dhe e falenderojm Zotin që ai është ekzekutuar", tha një qytetar në Bagdad.
Nga ana tjetër pjesëtarë të komuniteti sunit në Irak, kanë shprehur zemërim për mënyrën se si është trajtuar ish diktatori i përmbysur.
Ndërkohë, sot kryeministri irakian Nuri al-Maliki ka kërkuar nga mbështetësit e regjimit të përmbysur që t'i bashkohen procesit politik. Në një kumtesë, Maliki tha se "dera është ende e hapur për të gjithë ata që nuk i kanë duartë e përgjakura".
XS
SM
MD
LG