Ndërlidhjet

KREMTA E KURBAN BAJRAMIT ME MESAZHE PAQEJE, TOLERANCE DHE SOLIDARITETI


Rrahman Paçarizi

Besimtarët myslimanë në Kosovë kanë festuar sot ditën e Kurban Bajramit, duke dërguar mesazhe për paqe, tolerancë dhe solidaritet ndërmjet njerëzve, pavarësisht nga dallimet entike, fetare, racore e të tjera. Falja qendrore e Kurban Bajramit për Kosovë u mbajt në Xhaminë e Madhe të Prishtinës, udhëhequr nga kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës myftiu Naim Tërnava. Ai tha ndër të tjera se viti në të cilin do të hyjmë është tepër i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. “Ne kemi bindje të thellë se Kosova do të jetë e pavarur, pasi kjo është dëshirë e patjetërsueshme e shumicës së qytetarëve në Kosovë. Në këtë kohë kur Kosova ka nevojën më të madhe që të jemi bashkë e të lëmë mënjanë zënkat për të jetësuar pavarësinë e Kosovës sonë”, tha myftiu Naim Tërnava, duke kërkuar nga spektri politik i Kosovës më shumë guxim politik dhe më shumë vetëpërgjegjësi. Kryeministri Çeku ka vizituar sot selinë e Bashkësisë Islame për të uruar për festën e Bajramit. “Kjo festë, për mua si kryeministër është një rast i mirë që ta falënderoj Bashkësinë Islame të Kosovës dhe myftiun Tërnava personalisht, për punën e shkëlqyer që janë duke e bërë dhe për mesazhet e tyre të qarta, të pjekura, për tolerancë, solidaritet dhe unitet që janë mesazhe që në këtë moment na nevojiten më së shumti”, tha kryeministri. Ndërkaq, kryetari i Kuvendit Kolë Berisha uroi që festat e tjera të kremtohen në pavarës. “Erdha të uroj Bashkësinë Islame për festën e Bajramit që është festë e pjesës më të madhe të popullit të Kosovës. Dëshirojmë që festat e tjera t’i festojmë në ditë më të mira dhe në pavarësinë e Kosovës”, tha zoti Berisha. Hashim Thaçi, kryetar i partisë më të madhe opozitare Partisë Demokratike të Kosovës tha se kjo është ditë e sakrificës dhe solidaritetit. “Sot është dita e sakrificës dhe respektit për të gjithë që ata njerëz që kanë sakrifikuar për Kosovën, për solidaritet me të gjitha kategoritë sociale, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por edhe institucional me familjet e dëshmorëve, fëmijët jetimë dhe me familjet, fati i anëtarëve të të cilave ende nuk dihet”, tha zoti Thaçi.
Ndërkaq, Steven Schook, zëvendësi i përfaqësuesit special të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, tha se kishte ardhur që personalisht të shprehte urimet dhe falënderimet për udhëheqësit e Bashkësisë Islame. “Unë pata mundësinë që të vij personalisht për të uruar gjithë të mirat për Bajram dhe për të shprehur nderimin tim për aftësitë udhëheqëse që kanë treguar jo vetëm udhëheqësit fetarë, por edhe të tjerët”, tha zëvendësshefi i UNMIK-ut Steven Schook.
Myftiu Tërnava, duke iu drejtuar mijëra besimtarëve në orët e hershme të mëngjesit ka kërkuar nga ata që të jenë bamirës dhe humanë.

XS
SM
MD
LG