Ndërlidhjet

XHAKARTË/INDONEZI


Zyrtarët e lartë për ndihma të Kombeve të Bashkuara thanë se furnizimet me ujë tashmë kanë filluar të mbërrijnë te 700 mijë banorët në Sri Lankë, të cilët u goditën nga katastrofa e cunamit.
Nënsekretari Jan Egeland i tha televizionit amerikan se brenda 72 orëve, pret që këta njerëz të furnizohen edhe me ushqim.
Kombet e Bashkuara thanë se qeveritë janë zotuar për rreth 2 miliardë ndihma të menjëhershme.
Sekretari i përgjithshëm Kosi Annan tha se do t'u bëjë "thirrje masovike" liderëve botërorë në samitin në Xhakartë për të ndihmuar vendet e goditura nga cunami shkatërrues.
Zyrtarët e shëndetësisë druajnë nga shpërthimi i sëmundjeve, por kryeministri i Tajlandës Thaksin Shinawatra shprehu bindje tjetër.
"Mund t'ju sigurojmë se gjithçka kontrollojmë në mënyrë të përsosur. Në Tajlandë nuk do të ketë shpërthim të sëmundjes", tha Shinawatra.
Në Uashington, sekretari amerikan i shtetit Colin Powell u nis sot për në Azi në krye të delegacionit, që do t'i adresojë nevojat e njerëzve të goditur nga katastrofa.
Powell shoqërohet nga Jeb Bush, i vëllai i presidentit amerikan, i cili ka patur përvoja në menaxhimin e përpjekjeve humanitare në katastrofat e ngjashme në Floridë.
XS
SM
MD
LG