Ndërlidhjet

MESIC FAVORITI KRYESOR NË RAUNDIN E DYTË TË ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE


Presidenti aktual kroat, Stipe Mesic, ka fituar 49 % të votave në zgjedhjet e djeshme presidenciale në Kroaci, derisa në vendin e dytë u rendit Jadranka Kosor, aktualisht zëvendëskryeminsitre, me afro 20 për qind të votave. Por pavarësisht rezultatit Mesic e Kosor do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve që do zhvillohet më 16 janar, pasi kandidati fitues është ai që merr mbi 50 për qind të votave.
Menjëherë pas bërjes publike të rezultateve mesnatën e shkuar Mesic iu drejtua mbështetësve të tij.
"Dua t'i falenderoj të gjithë ata që më dhanë votën. Kjo do të thotë se ata e kuptojnë që Kroacia është në drejtimin e duhur dhe se ata synojnë të arrijnë standardet e një bote të zhvilluar. Dhe kjo është ajo tek e cila ne besojmë" tha Mesic, për të vazhduar me rëndësinë që ka raundi i dytë i këtyre zgjedhjeve.
"Në raundin tjetër të zgjedhjeve presidneciale ne do vendosim drejtimin në të cilin do të ecë Kroacia; nëse vendi do të ecë përpara në shekullin e 21-të apo do të kthehet pas. Unë ju ofroj vizionin e duhur për një Kroaci të shekullit të 21-të moderne, dinjitoze dhe të pavarur", ka theksuar Mesic.
Ndërkaq kandidatja tjetër presidenciale, Kosor, në deklaratën e bëra pas dhënjes së rezultateve theksoi se për të më shumë rëndësi kanë njerëzit se politika.
"Mesazhi im është se njerëzit kanë më shumë rëndësi se politika. Mendoj se këtë e kam vërtetuar me punën time. Mesazhi i dytë është se nëse fitoj raundin e dytë të zgjedhjeve do jem një presidente e fortë dhe e ndershme për të gjithë ata që mbrojnë interesat kombëtare të Kroacisë", tha Kosor, për të cilën pak analistë mendojnë se do mund të fitojë zgjedhjet. Por ata theksojnë se më i rëndësishëm është fakti se të dy kandiatët në raundin e dytë janë pro perëndimorë.
Tomisllav Jakic është analist kroat që ka shërbyer më parë si këshilltar politik i Mesicit. Ai është i bindur në fitoren e presidentit Mesic më 16 janar.
"Ndaj të njëjtin mendim me ata që thonë se në kushtet aktuale raundi i dytë nuk do të sjellë befasi. Presidenti Mesic do të fitojë, pasi në raundin e parë kundërshtarët e tij, të gjithë së bashku, nuk fituan sa Mesic vetëm", sqaron Jakic.
Ndërkaq në mesin e 13 kandidatëve presidencialë befasi ka qenë Boris Miksic, që u rendit i treti me 17.8% të votave. Miksic, i cili ka pasur si parrullë të fushatës së tij "Një njeri i ndershëm për president" vjen nga biznesi ku ka nisur një projekt miliona dollarësh në Shtetet e Bashkuara. Analisti kroat Jakic thotë se rezultati i Miksic tregon se kroatët janë të lodhur me fytyrat e njëjta të politikës kroate dhe njëherësh kërkojnë më shumë ndershmëri.
"Miksic ishte një i huaj në politikën kroate dhe jo shumë i njohur për publikun vendas. Gjatë 20 viteve të fundit ai ka jetuar në Shtetet e Bashkuara ku dhe është dëshmuar biznesmen i suksesshëm. Ai luajti disi me tonet nacionaliste dhe njëherësh kundërshtonte bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës, cfarë i shkon për shtat votuesve të djathtë" thotë anaklisti Jakic, i cili beson se votuesit e Miksicit do t'i japin votën e tyre për Kosor në raundin e dytë. Megjithatë edhe kjo nuk do mund t'i japë fitoren zëvendëskryeminsitres aktuale.

Ron Synovitz
XS
SM
MD
LG