Ndërlidhjet

ZËDHËNËSI KAKUK: VLERËSIMET E ICG-SË HIPOTETIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk kanë dashur t’i komentojnë vlerësimet e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave të njohur si ICG, duke thënë se këto vlerësime mbështeten në kushtëzime të tipit kjo do të ndodhë nëse ndodh ajo.
Këto vlerësime janë bërë pas publikimit të një buletini të ICG-së ku thuhet se ngritja eventuale e një akuze nga Tribunali i Hagës kundër kryeministrit Ramush Haradinaj, do të mund të shkaktonte një krizë të thellë politike dhe trazira.
Shefi i ICG për Kosovën Aleks Anderson, ka thënë për Evropën e Lirë se kryeprokurorja Del Ponte disa herë gjatë vitit të kaluar ka thënë se do të ngrihet një akuzë për krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së, ndërkohë që kishte edhe shume spekullime se një nga aktakuzat e mundshme do të ngrihet kundër kryeministrit të ri të Kosovës Ramush Haradinaj.
"Është ende e mundur që një aktakuzë e tillë të bëhet. Në një situatë të tillë do të ishte shumë e mundur që të shpërthente një krizë e gjerë politike në Kosovë, sidomos tani kur vetëm brenda pak javësh kryeministri ka dëshmuar se po bëhet efikas në këtë funksion," tha Anderson, duke vlerësuar se shqiptarët e Kosovës një aktakuzë të tillë nuk do ta shihnin si vënie në vend të drejtësisë, por si një tregues të asaj se si do të duket statusi i ardhshëm politik i Kosovës dhe mënjanimin e liderit më efikas do ta shihnin si minimin më të madh që i bëhet pavarësisë së Kosovës.
Anderson ka thënë se në vendlindjen e Ramush Haradinajt kjo do të shkaktonte një krizë edhe më të madhe dhe do të kishte reagim të bashkëluftëtarëve të Haradinajt, por edhe të të rinjve që nuk kanë marrë pjesë në luftë:
"Ne në disa javët e shkuara kemi bërë hulumtime dhe kemi vërtetuar se disponimi i atyre personave do të ishte mjaft radikal nëse kundër Haradinajt do të ngrihej aktakuza dhe situata e tillë do të ishte shumë e rrezikshme," ka vlerësuar Anderson.
Ndërkohë, zëdhënësi i UNMIK-ut, Gyorgy Kakuk tha se UNMIK-u është gjithmonë kureshtar të lexojë se çfarë thotë Grupi Ndërkombëtar i Krizave lidhur me situatën në Kosovë, ndërkohë që buletini i fundit flet vetëm në pak rreshta dhe kryesisht ka të bëjë me situatën e sigurisë në Kosovë, duke i mbështetur vlerësimet në hipoteza:
"Gjithshka që është thënë në këta pak rreshta është e mbështetur në kushtëzimet nëse do të ngritet akuza kundër Ramush Haradinajt, ndërkohë që një aktakuzë e tillë nuk ka ndodhur," tha zëdhënësi Kakuk, duke vlerësuar se çfarëdo që do të thuhej për këtë do të ishte një spekullim.
Sidoqoftë, shefi i ICG-së për Kosovën Aleks Anderson, tha se UNMIK-u dhe KFOR-i nuk mund të bëjnë shumë për situatën në Kosovë:
"Situata në Kosovë varet nga ajo se çfarë ndodh në Serbi dhe cila është qasja e tyre ndaj Kosovës. Nga liderët serbë dhe nga mediat ne kemi parë se ata duan të provokojnë më të keqen," tha Anderson duke e ilustruar këtë edhe me faktin se mediat dhe liderët serbë edhe ndërprerjen e rrymës në fshatrat serbe e quajnë diskriminim dhe thonë se ndodh vetëm në fshatrat serbe, gjë që sipas tij nuk është e vërtetë.
Prandaj, ka thënë Anderson, mediat serbe i janë shmangur vërejtjes sonë se agjenda e zyrtarëve të Beogradit përbëhet nga provokimet dhe disa faktorë në Beograd këtë e shohin si një shans për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në mënyrë që Beogradi do të kishte përparësi dhe do të përfitonte në rast të shpërthimit të dhunës në Kosovë nga ana e shqiptarëve.



XS
SM
MD
LG