Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

ZGJEDHJET PALESTINEZE, MUNDËSI PËR FILLIMIN E RI


Breffni O'Rourke

Të djelën më 9 janar, palestinezët do të dalin në zgjedhje për të zëvendësuar udhëheqësin e ndjerë Yasser Arafat.
Zgjedhjet shihen si mundësi kyçe për ringjalljen e procesit të paqes midis arabëve dhe izraelitëve.
Por me afrimin e votimit, dhuna u përshkallëzua pas sulmet e palestinezëve kundër izraelitëve, të përcjella me vërsulje të shkallës së gjerë të Izraelit në Gazë.
Ndërkohë, fushata parazgjedhore po ashpërsohet gjithnjë e më shumë.
Zgjedhjet për zëvendësimin e presidentit të Autoritetit Palestinez Yasser Arafat, shihen si mundësi për një fillim të ri për izraelitët dhe palestinezët, si mundësi për arritjen e paqes.
Shumë optimizëm është përqëndruar te Mahmud Abbas, favoriti i zgjedhjeve të së dielës. Abbas, një i moderuar i favorizuar nga Uashingtoni, muajin e shkuar i ngjalli shpresat kur tha se duhet të marrë fund kryengritja 4-vjeçare kundër Izraelit.
Por së fundi, në atmosferën e fushatës zgjedhore ai rrënjësisht ndryshoi. Në kohën e përleshjeve që ndodhën në Gazë, Abbas shpejt e ndërroi fjalimin e moderuar me retorikë të linjës së fortë.
Të martën, Abbas e quajti Izraelin "armiku sionist" pasi forcat izraelite vranë 7 palestinezë në Gazë, pak pas sulmit me mortaja kundër kolonëve izraelitë.
"Ne lutemi për shpirtërat e martirëve tanë, të cilët u vranë nga armiku sionist në Beit Lahiya", tha Abbas.
Izraeli menjëherë u kundërpërgjigj. Ministri i Jashtëm Silvan Shalom tha se vërejtjet e Abbasit ishin të papranueshme, madje edhe për vulgun e fushatës elektorale.
"Ai tani i përdor fjalët, të cilat nuk janë dëgjuar një kohë të gjatë. Ne besojmë se edhe kur bëhet fjalë për zgjedhjet, ai nuk mund të përdorë deklarata të tilla", tha Shalom.
Javën e shkuar, gjatë fushatës në Bregun Perëndimor, në një skenë tjetër të pazakonshme, militantët e mbanin Abbasin mbi supe. Ngjarja nxiti kritika nga Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell.
Turi Munthe është analist nga Instituti Mbretëror në Londër.
"Pikëpamja ime është se kjo duhet të shihet në dritën e zgjedhjeve. Vite me radhë, Abbas ka qenë i moderuar, dhe tani vetëm përpiqet të fitojë sa më shumë vota", thotë Munthe.
Por nëse zgjidhet, Abbas do të duhej ta transformojë retorikën populiste në politikë, e cila do t'i bashkonte të gjithë palestinezët.
Sa i përket Izraelit, ai pret që udhëheqësia e re palestineze të heqë dorë nga militantët nëse dëshiron të ketë progres në planin e paqes. Këtë e rikujtoi të martën edhe kryeministri Ariel Sharon.
"Ne shpresojmë që udhëheqësia e re e Autoritetit Palestinez do të zgjedhë ta luftojë terrorizmin dhe ta çojë procesin përpara. Në atë rast, ne do të ishim të gatshëm t'i bashkërendojmë çështjet e sigurisë dhe elementet e tërheqjes nga Gaza", tha Sharon.
Mouin Rabbani, analist nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, thotë se Abbas apo kushdo që do t'i fitojë zgjedhjet, do të mund t'i kontrollojë militantët deri në atë masë sa të mund të nxjerrë koncesione nga Izraeli.
"Nëse ai do të mund të shkojë te liderët e fraksioneve dhe komandantët e militantëve me një plan të qartë, sipas të cilit, ndërprerja e sulmeve dhe ulja e armëve, do të pasohet me përfundimin e pushtimit izraelit, atëherë militantët do ta kenë vështirë t'i vazhdojnë sulmet", thotë Rabbani.
Nga ana tjetër, nëse presidenti i ri shkon te militantët duar bosh dhe vetëm me preferenca që dhuna të zëvendësohet me vazhdimin e bisedimeve, atëherë ai me gjasë do të përbuzet, përfundon Rabbani.

XS
SM
MD
LG