Ndërlidhjet

XHAKARTË


Liderët botërorë i vazhduan vizitat në viset e Oqeanit Indian të goditura nga cunami katastrofik.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan e vizitoi rajonin më të goditur, provincën Açeh të Indonezisë, ku tha se është i shokuar nga shkalla e shkatërrimeve.
"Udhëtuam përgjatë bregut perëndimor të ujdhesës Sumatra, dhe më duhet të pranoj se kurrë nuk kam parë shkatërrime të tilla", tha Annan.
Në Tajlandë, sekretari i jashtëm i Britanisë Jack Straw tha se rreth 440 britanikë mund të kenë vdekur, dyfish më shumë se'ç vlerësohej më parë.
"Numri i viktimave britanike të konfirmuara në gjithë rajonin është 49. Përveç kësaj, policia tha se 391 të tjerët, me gjasë sigurisht mund të konsiderohen si viktima", tha Straw.
Ndërkaq në Sri Lankë, sekretari amerikan i shtetit Colin Powell tha se është i impresionuar nga përgjigja ndaj katastrofës.
"Bashkësia ndërkombëtare është mobilizuar në një mënyrë të paparë deri sot, që njerëzve t'u ndihmohet t'i rindërtojnë shtëpitë, shkollat dhe bizneset e tyre, por mbi të gjitha t'i rindërtojnë jetërat", tha Powell.
Bilanci i të vdekurve nga tërmeti i 26 dhjetorit dhe cunami është më shumë se 150 mijë njerëz.
Qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare janë zotuar të japin mbi 4 miliardë dollarë ndihma, ndërsa vetëm individët kanë grumbulluar rreth 900 milionë dollarë.
XS
SM
MD
LG