Ndërlidhjet

ÇËSHTJA E TË ZHDUKURVE PJESË E TAKIMIT KOSHTUNICA - PETERSEN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Komisioni qeveritar për persona të zhdukur kërkon një takim me shefin e UNMIK-ut, para se ai të udhëtojë në Beograd, ku do të diskutojë me autoritetet e atjeshme edhe në lidhje me ndriçimin e fatit të personave të pagjetur të luftës. Kryetarja e Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur Nysrete Kumnova, thotë se për të arritur rezultate konkrete në këtë drejtim, bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kushtëzojë kreditë dhe ndihmat Beogradit, ngjashëm siç ka vepruar me rastin e lirimit të personave të burgosur që mbaheshin pas luftës në Serbi. Kumnova, vlerëson se aktualisht janë duke u bërë disa hapa konkretë, që mund të shpejtojnë ndriçimin e fatit të këtyre personave:
“Besoj që do të përfundojë kjo çështje madhore, sepse edhe kryeministri është i interesuar të zbardhet fati i djemëve. Edhe pse Kosova ka shumë çështje të pa përfunduara kjo është çështje prioritare dhe besoj se do të kryhet dhe marë fund”, tha Kumnova.
Duke pasur parasysh se lufta ka lënë si pasojë jo vetëm një numër të konsiderueshëm të personave të pagjetur, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë, por ka dhe një numër të konsiderueshëm të kufomave të zbuluara nëpër varreza masive në Serbi dhe Kosovë, identiteti i të cilave nuk është zbuluar ende. Në këtë drejtim, sipas zonjës Kumnova, puna e komisionit do të orientohet dhe në zbulimin e identitetit të kufomave të zhvarrosura në Kosovë:
“Edhe në Kosovë dihet që ka trupa nëpër varreza masive. Do të angazhohem më tepër që të pyesim pse kanë ngecur ose kanë mbetur pa u identifikuar ose pa iu kthyer familjeve, kur dihet që ne gjithmonë i jemi drejtuar Serbisë që t’i kthejë të gjithë njerëzit të gjallë apo të vdekur menjëherë, tani do të pyesim pse kanë mbetur këto të pazgjidhura në Kosovë”, theksoi Nysrete Kumnova.
Çështja e personave të zhdukur do të jetë një prej pikave në agjendën e bisedimeve të kryeadministratorit Soren Jessen Petersen me autoritetet e Beogradit më 17 janar. Vetë Petersen ka thënë se nuk do të lejojë që kjo çështje të mbetet peng e zgjidhjes së prioriteteve të tjera politike.
Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore në Prishtinë, që nga mbarimi i luftës e këndej, numri i personave që familjarët e tyre i kanë paraqitur si të zhdukur ishte 5602 veta. Prej këtij numri, 893 persona janë gjetur të vdekur, trupat e të cilëve u janë dorëzuar familjeve të tyre, ndërkaq 439 prej rasteve të paraqitura janë gjetur të gjallë. Në bazë të këtyre të dhënave, del se numri i përgjithshëm i personave që vazhdojnë të llogariten si të zhdukur mbetet 3192 persona.
Këtu përfshihen 2460 shqiptarë, 529 serbë dhe 203 pjesëtarë të grupeve të tjera etnike. Që nga viti 2002, kur edhe ka filluar procesi i kthimit të kufomave nga Serbia, numri i trupave të riatdhesuar ka arritur në 404 veta.



XS
SM
MD
LG