Ndërlidhjet

HYSNI SHAQIRI: TANI E TUTJE DO TË VEPROJ SI DEPUTET I PAVARUR


Hysni Shaqiri, nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shaqiri, cilat janë arsyet e dorëheqjes suaj nga funksionet partiake dhe nga posti i nënkryetarit të Kuvendit të Maqedonisë?

HYSNI SHAQIRI
Me përfundimin e konfliktit të armatosur dhe arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, unë mendoj se kisha një obligim moral timin, jo vetëm ndaj popullatës time që ishte në luftë, por edhe ndaj gjithë çështjes shqiptare, që ose të merrja pjesë në politikë, ose të rrija në shtëpi. Dhe u mundova që të jem aty ku janë të gjithë, shumica, struktura më e madhe e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Mora për obligim dhe detyrë që të ndihmoj procesin paqësor, ta ndihmoj zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të jem në funksion të interesave të përgjithshme të shqiptarëve, sepse ajo detyrë është për çdo intelektual, për çdo politikan, por mendoj se borxhi ndaj popullatës nuk përfundon me asnjë vepër çfarëdo që të jetë. Fatkeqësia është aty që, gjatë gjithë kësaj kohe që veprova, fitova përshtypje se BDI-ja është shumë pak për zgjidhjen e problemeve. Këtu më tepër u akumuluan problemet dhe sidomos u harruan zonat e dala nga lufta. Kishte shumë pak interesim qoftë në politikat investuese, qoftë në përfshirjen në mënyrë të drejtë dhe adekuate të kuadrove shqiptarë, sidomos të strukturave të ish- UÇK-së. Unë kam bërë vërejtjet e mia, e në punën time, angazhimin tim jam munduar që këto të jenë pjesë e politikës të vetë Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të vihet gjithë struktura udhëheqëse, në funksion të zgjidhjes së këtyre problemeve. Nga gjithë ajo që sugjerova, unë mendoj se në fund nuk arrita që të kem një forcë politike, ta ndihmoj me forcën time këtë proces dhe ta jap atë kontribut, sidomos për zonën e pjesës së Kumanovës dhe pjesë të tjera. Kjo, sepse çështjet nuk duhet t'i shikojmë në mënyrë të ndarë apo parciale, por çështja është e përgjithshme dhe në këtë drejtim duhet të punojmë. Fitova përshtypjen se veprimi i BDI-së u bë si veprim politik i një klani, një pjese, që i jepte të drejtën shumë më tepër për çështje të imta, sesa u vu në funksion të çështjeve të përgjithshme kombëtare. Këtu kanë qenë thyerjet e mia, këtu nuk kam arritur të gjej gjuhë të përbashkët dhe të jem në funksion të asaj detyre, për të cilën u përcaktova dhe që mendoj se është në interesin e të gjithë shqiptarëve. Dorëheqja ime, mendoj se do të jetë në funksion të korigjimit të vetë Bashkimit Demokratik për Integrim dhe nuk duhet të shërbejë si akt për të rrënuar dikë, apo për të keqpërdoruar dikë. Gjithë këtë e bëj, edhe pse jam i vetëdijshëm që humbës jam unë vetë personalisht, me qëllim që tani e tutje BDI-ja të bëjë çmos të veprojë dhe të konsolidohet si një strukturë shumë më serioze dhe të synojë që t'u japë hapësirë kuadrove, që kanë aftësi dhe vlera profesionale, që t'i shtyjnë këto procese përpara. Përndryshe, çdo anashkalim i këtyre parimeve që unë i synoj, është dështim i çfarëdo politike, çfarëdo kursi politik, qoftë i BDI-së, qoftë dhe i partive të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e komentoni refuzimin e dorëheqjes suaj nga ana e kryesisë së BDI-së?

HYSNI SHAQIRI
Ajo është çështje e tyre. Unë, në aktin e dorëheqjes dhe në momentin kur e kam marë këtë hap, direkt e kam marë me Ali Ahmetin, si kryetar i BDI-së. Deri te ky hap, edhe pse mendoj se është shumë i rëndë për mua, kam ardhur pas konstatimit, se nuk mundet më tutje Hysni Shaqiri ta shohë veten në një pozitë, ta quajmë ndoshta edhe të mjerueshme, sepse janë kërkuar llogari shumë të mëdha për Hysni Shaqirin, meqënëse vjen nga zona e krizës. Unë në pamundësi që të kem fuqi, forcë politike për t'i ndihmuar dikujt, se ne duhet të jemi në funksion të popullatës, jo të vetëvetes, vendosa të ndërmarr këtë hap. Sa u përket tani këtyre lojërave që luhen, nëse duhet të jetë Hysni Shaqiri në kryesinë qëndrore dhe ta arsyetojë dorëheqjen e vet, unë atë do ta bëj me 24 janar, kur parlamentit do t'i drejtohem me atë që mundëson rregullorja e punës dhe do ta them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Asgjë nuk do të mundohem të them më tepër se ajo që është e vërtetë, sepse jo vetëm unë, por të gjithë kemi për borxh dhe obligim që të qëndrojmë shumë drejt dhe vertikalisht para problemeve, të cilat kanë të bëjnë me interesat e përgjithshme. Këtë e ndiej për obligim dhe mendoj se do të vazhdoj të punoj në këtë drejtim, edhe vetëm si individ. Lidhur me kërkesat e tyre për të qenë në mbledhjen e Kryesisë, mendoj se sikur të ishte ajo në funksion të diçkaje, nuk do nguroja të shkoja në atë mbledhje. Por nuk kam pse të shkoj dhe për çfarë të shkoj, sepse të gjitha analizat që i kam bërë, kanë çuar deri tek akti i dorëheqjes prej të gjitha funksioneve partiake. Është krejt e pallogjikshme dhe do të kishte qenë shumë e paarsyeshme që unë ta mbaj postin e nënkryetarit të parlamentit, në kohën kur tërhiqem nga të gjitha postet partiake. Tani mendoj se me siguri e kam hapur rrugën që BDI-ja të ketë një person tjetër në këtë post dhe ta strukturojë edhe në nivel partiak, për të cilin ndoshta mendon se do t'i bëjë punët më mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të jetë angazhimi juaj i ardhshëm politik? A do të jeni dhe më tej deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim?

HYSNI SHAQIRI
Megjithë dorëheqjen time nga të gjitha funksionet partiake dhe nga posti i nënkryetarit të parlamentit, do të mbetem deputet. Por veprimi im i mëtejshëm do të jetë i pavarur dhe gjithë angazhimin tim do ta kem në funksion të përmbushjes së Marrëveshjes së Ohrit, në funksion të proceseve që kanë të bëjnë me paqen e stabilitetin, në funksion të asaj që është proces i reformave dhe i proceseve integruese. Do të mundohem deri në fund që ta japim kontributin tonë sidomos në avancimin e çështjes jo vetëm të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe për interesin e përgjithshëm të gjithë shqiptarëve në Ballkan.

Intervistoi: Vullnet Poshka


XS
SM
MD
LG