Ndërlidhjet

ZYRTARËT E LARTË NDËRKOMBËTARË DHE VENDORË SHPREHIN KEQARDHJE TË THELLË PËR POLICIN NGA NIGERIA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Një pjesëtar i policisë së UNMIK-ut është vrarë sot në mëngjes në qytetin e Prizrenit, nga shpërthimi që ka shkatërruar veturën e tij, kanë bërë të ditur zyrtarë të policisë ndërkombëtare në Prishtinë. Zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut Neeraj Singh, tha se rrethanat nuk janë qartësuar ende, por dihet se polici që ka humbur jetën është nga Nigeria:
"Sot në mëngjes në orën 8.20 në qytetin e Prizrenit, një polic i UNMIK-ut është vrarë nga shpërthimi që ka shkatërruar veturën, me të cilën viktima shkonte në punë," tha zëdhënësi Neeraj Singh. Ai tha se policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, por detajet për incidentin ende janë të panjohura për policinë:
"Në këtë fazë, rrethanat e incidentit dhe natyra e mjetit shpërthyes, nuk është mjaft e qartë dhe hetimet po zhvillohen në këtë drejtim," tha zëdhënësi Neeraj Singh.
Ai tha se ende është tepër herët të flitet për motivet e mundshme të këtij incidenti, ndërkohë që policia ende nuk ka një pistë të qartë të hetimeve dhe nuk ka ndonjë të arrestuar lidhur me rastin.
Tronditje për incidentin ka shprehur sot shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, i cili pas takimit me kryeministrin Haradinaj, tha se lajmin për vrasjen e policit nga Nigeria në një shpërthim në Prizren, e kishte marrë pak para takimit:
"Ne jemi shumë të tronditur dhe në emër të kolegëve shprehim tronditjen tonë të thellë edhe familjes, por në këtë fazë nuk kemi informacione të tjera," tha zoti Petersen.
Ndaj këtij rasti kanë reaguar edhe krerët e institucioneve të Kosovës. Muhamet Hamiti, zëdhënësi i presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, tha se presidenti ka shprehur keqardhjen për incidentin, në të cilin ka pësuar një pjesëtar i policisë që këtu po kryen mision paqeje:
"Dënojmë shpërthimin që ndodhi sot në Prizren. Kërkojmë hetim të shpejtë të rrethanave, në të cilat gjeti vdekjen një polic ndërkombëtar, siç marrim vesh nga informacioni ende i paktë për këtë incident të rëndë. Shprehim keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së pjesëtarit të policisë ndërkombëtare, e cila këtu është në mision paqeje."
Edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka shprehur tronditjen e tij për këtë incident:
"Ishte një lajm shokues për shpërthimin që ka ndodhur në Prizren ku ka humbur jetën një polic i UNMIK-ut nga Nigeria. Si qeveria e Kosovës dhe unë personalisht, jam i prekur nga ky lajm. Pasi të kemi informacione dhe të dhëna të tjera, ne po ashtu do t’u drejtohemi qytetarëve të Kosovës, por fillimisht them se është një lajm i dhimbshëm dhe një ngjarje shokuese që ka ndodhur".
Edhe zoti Jessen Petersen, ka ftuar të gjithë që të presin rezultatet e hetimeve për këtë rast dhe të mos futen në spekulime:
"Tani për tani do të sugjeroja që të gjithë ne ta theksojmë këtë incident tragjik, mirëpo nuk është mirë të futemi në çfarëdo spekulimesh lidhur me të," tha shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen.
Polici nga Nigeria, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është pjesëtari i parë i policisë ndërkombëtare, që ka humbur jetën që nga fillimi i këtij viti.






XS
SM
MD
LG