Ndërlidhjet

HUMAN RIGHTS WATCH ANALIZON TË DREJTAT E NJERIUT NË ISH VENDET SOVJETIKE


Andrew Tully, RFE/RL Washington

Në Rusi, raporti thotë se vazhdojnë torturat e policisë dhe poshtërimi i rekrutëve të rinj ushtarakë. Raporti fajëson qeverinë e presidentit Vladimir Putin për zhdukjen dhe ekzekutimin pa gjyq të opozitarëve të Çeçenisë. Në të njëjtën kohë, kritikon rebelët çeçenë për abuzime të ngjashme, sikurse ishte rrethimi vdekjeprurës i shkollës në Beslan.
Anketa e Human Rights Watch thekson se Putin në të vërtetë ka vënë tërë pushtetin nën vete. Në raport nuk theksohet vetëm kontrollimi i mediave elektronike nga Kremlini, por edhe lëvizja e Putinit që guvernatorët rajonalë të mos zgjidhen nga rajonet, por të emërohen nga presidenti.
Drejtoresha për Evropën dhe Azinë qendrore e Human Rights Watch, Rachel Denber, thotë se askush nuk duhet të befasohet me lëvizjen e Putinit që të centralizojë pushtetin në presidencën e Rusisë, marrë parasysh favorizimin e tij të përhershëm për qeveri të fortë centraliste.
Denber i tha Radios Evropa e Lirë se Putin, me centralizimin e pushtetit, do të ndihmojë që të mos korruptohen politikanët. Por, ajo shton se do të jetë njësoj vështirë si për anëtarët e administratës, ashtu edhe për guvernatorët lokalë, që të mos preken nga korrupsioni:
"Jam e sigurt se nga perspektiva e Kremlinit, të emërosh guvernatorët është rruga drejt uljes së korrupsionit. Por, nga perspektivat e tjera, me këtë gjë korrupsioni zhvendoset në vend tjetër", thotë Denber.
Sipas grupit Human Rights Watch, Bellorusia po ashtu vazhdon të udhëhiqet si të ishte shtet sovjetik.
Raporti vë në pah zgjedhjet e tetorit të kaluar për 110 anëtarët e Parlamentit, në të cilat opozita nuk mori asnjë ulëse të vetme. Raporti thotë kjo të paktën pjesërisht, është pasojë e kontrollimit shtetëror të pothuajse të gjitha radiove dhe televizoneve në vend.
"Kur shihni mungesën e ndryshimeve, kur shihni përsëritjen e zgjedhjeve, ku opozita mbetet jashtë, kur shteti nuk lejon zhvillimin e shoqërisë civile dhe mediave, është e qartë se situata po përkeqësohet", thotë Denber.
Raporti vë në pah se situata nuk po përmirësohet as në vendet fqinje, në Armeni dhe Azerbajxhan.
Një vend tjetër i studimit është Ukraina. Human Rights Watch thekson ato që i quan përpjekjet më të suksesshme të qeverisë së presidentit Leonid Kuçma, për të kufizuar lirinë politike që nga pavarësia e vendit më 1991.
Raporti thotë se këto abuzime politike çuan në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, në të cilat kryeministri Viktor Yanukovich qe shpallur fitues, edhe pse shumë vëzhgues të huaj thanë se zgjedhjet u përcollën me manipulime.
Përkrahësit e opozitës protestuan me ditë të tëra në Kiev, derisa Gjykata Supreme hodhi poshtë rezultatet e nëntorit dhe një muaj më vonë, në zgjedhjet e reja, Yushchenko u zgjodh fitues. Denber thotë se duke marrë parasysh 13 vjet të korrupsionit politik në Ukrainë, oferta zgjedhore e Yushchenkos ofron shpresa reale për popullin e Ukrainës, sepse ata demonstruan fuqinë e tyre si votues të angazhuar dhe të arsimuar:
"Yushchenko tani ka ngarkesë të madhe, sepse aq shumë pritet nga ai. Do të ishte shumë keq, nëse në vend të premtimeve të dhëna, qeveria e re përfundon në mosrealizimin e tyre. Kjo do të shkaktonte zhgënjim te shumë njerëz", thotë Denber.
Ajo thotë se elektorati i zhgënjyer ukrainas mund të humbë besimin në sistemin dhe eventualisht të kthejë sytë nga ndonjë lider i ngjashëm me Putinin, i cili premton pushtet të madh, por jo demokraci.
XS
SM
MD
LG