Ndërlidhjet

MOORE:"SHBA-të TË MARRIN ROLIN PRIJËS NË KOSOVË"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, ditëve të fundit kemi parë një tensionim në raportet Prishtinë – Beograd, protestat në Luginën e Preshevës, por kemi dëgjuar edhe deklaratat siç ishte ajo e Tomislav Nikoliçit, se Serbia do të luftojë për Kosovën. Disa politikanë dhe analistë kosovarë kanë akuzuar Beogradin se dëshiron të provokojë trazira në Kosovë, në mënyrë që të zhagitet hapja e çështjes së statusit përfundimtar të Kosovës, ose për të krijuar pretekstin e ndarjes së Kosovës. Si i shihni ju këto zhvillime?

PATRICK MOORE
Zoti Nikoliç nuk është në pushtet, kështu që nuk duhet t'i marrim deklaratat e tij shumë seriozisht. Nuk është gjë tjetër përveçse një njeri që flet shumë. Megjithatë ai ilustron dy parime antike të jetës politike. Së pari, nëse nuk ke përgjigje për problemet brenda vendit, fol për çështjet e jashtme. Së dyti, nuk ka asgjë më të lehtë për të bërë sesa të kritikosh kur je opozitë. Prandaj le ta kemi këtë ndërmend kur bëhet fjalë për zotin Nikoliç.
Po, për çfarë shqetësohet Beogradi aktualisht? Mendoj se kanë dy lloj motivesh. Së pari siç sugjeruat, po përpiqen të krijojnë probleme për të zhagitur bisedimet për statusin. Të gjithë e dimë, se në Beograd mendojnë se koha do të punojë në favor të tyre; se eventualisht të huajt do të mërziten, do të largohen, ose do të harrojnë se çfarë ka ndodhur në 10, apo më shumë vitet e fundit dhe faktikisht do të lëshojnë pe në favor të tyre. Prandaj është e vërtetë që Beogradi do të luajë me aspektin kohë sa i përket çështjes së statusit. Kjo është një spikatje e drejtë. Çështja e dytë është, që gjithashtu po përpiqen të shtyjnë përballjen me disa prej problemeve e tyre në Serbi. Si rrjedhojë, kur ndonjë parti ose politikan, pavarësisht faktit nëse bën pjesë në koalicionin qeveritar ose është jashtë tij, si zoti Nikoliç, kur nuk kanë ndonjë zgjidhje për çështjet e krimit, varfërisë, korrupsionit, e kanë shumë të thjeshtë të krijojnë probleme diku jashtë dhe në këtë rast në Kosovë. Ata vazhdojnë të evitojn marrjen me problemet që kanë brenda vendit dhe vazhdojnë të jenë një faktor destablizues në rajon. Nganjëherë vërtet mendoj se Serbia, në vend të Kosovës apo edhe Bosnje Hercegovinës, do të kishte qenë kandidati më i mirë në fund të konflikteve në ish-Jugosllavi, për t'u vënë nën kontrollin e huaj ushtarak, si dhe me një varg standardesh që do duhej t'i plotësonte. Kjo për faktin se Serbia ka qenë burimi më i madh i problemeve në rajon që nga fundi i viteve të '80-ta dhe vazhdon të jetë një burim problemesh.

RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi kërkon që të jetë palë e barabartë në bisedimet për decentralizimin, UNMIK-u refuzon një gjë të tillë dhe thotë se Serbia mund të ketë vetëm rol këshilldhënës për serbët e Kosovës. Por edhe rreth hapjes së bisedimeve për statusin përfundimtar ka qëndrime të ndryshme. Shefi i UNMIK-ut, zoti Petersen, ka thënë se për statusin e Kosovës do të vendosë Këshilli i Sigurimit, politikanët shqiptarë thonë se janë të gatshëm të bisedojnë me Beogradin për çështjet teknike, por jo dhe për statusin. Disa apostrofojnë një rol më të madh të Grupit të Kontaktit. Si i komentoni Ju këto qëndrime?

PATRICK MOORE
Duket mjaft e qartë që fjalën e fundit do e ketë Këshilli i Sigurimit. Nuk shoh ndonjë zgjidhje tjetër që do mënjanonte këtë. Politikanët në Prishtinë kanë absolutisht të drejtë kur thonë se roli i Beogradit është te çështjet teknike dhe për asgjë tjetër më thelbësore. Për fat të keq disa anëtarë të komunitetit ndërkombëtar vitet e fundit dhe jo vetëm në Rusi, u kanë bërë të ditur njerëzve në Beograd, që kanë një rol më substancial për të luajtur në të ardhmen e Kosovës. Kjo ka qenë e keqe jo vetëm për statusin përfundimtar të Kosovës, por gjithashtu edhe për serbët. Kam ndërmend serbët e zakonshëm, njerëzit që jetojnë në varfëri. Dhe kjo lidhet me pyetjen tonë të mëparshme në të cilën thashë se, duke u lënë hapësirë politikanëve në Beograd të mendojnë se mund të kenë një rol në Kosovë, atyre u jepet një justifikim që të mos merren me problemet e vërteta të vendit të tyre. Duhet të kujtojmë fjalët e Ministrit të Jashtëm slloven Dimitrije Rupel, i cili vizitoi Kosovën në funksionin e presidentit të përkohshëm të OSBE-së, ku tha se pakica serbe duhet të shohë Kosovën si vendin e vet, Prishtinën si kryeqytetin e vet, fjalë që për mua kishin kuptimin e inkurajimit të serbëve që të mos drejtoheshin nga Beogradi për problemet e tyre. Le të kujtojmë se në disa zona të tjera në Evropë, ku problemet me pakicat kanë egzistuar dhe janë zgjidhur, çështja nuk ka qëndruar te kërkimi i zgjidhjes përtej kufirit. Kështu minoriteti gjerman në Tirolin e Jugut, duhet të shikojë drejt Romës dhe të punojë me politikanët italianë, në vend që të drejtohet drejt Vjenës apo Berlinit.

RADIO EVROPA E LIRË
Besoj se do të pajtoheni, se pa përfshirjen më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare në çështjen e Kosovës, nuk do të ketë zgjidhje. Zoti Morton Abramovicz, kohë më parë në "Washington Post" tha se çështja e Kosovës është një rast i mirë i bashkëpunimit të mundshëm të ardhshëm ndërmjet Amerikës dhe Evropës....

PATRICK MOORE
Padyshim, kjo është mëse e vërtetë. Dhe mendoj se si Shtetet e Bashkuara ashtu dhe Bashkimi Evropian kanë kuptuar se gjërat anembanë botës funksionojnë më mirë kur ata bashkëpunojnë sesa kur punojnë kundër interesave të njëri tjetrit. Për fat të keq ka patur një numër rastesh vitet e fundit, në të cilat herë njëra palë e herë tjetra kanë ecur në rrugën e tyre që nuk frymëzonte besim tek pala tjetër dhe kemi patur probleme reale. Prandaj nuk është një pyetje jo e drejtë për t'u bërë, nëse mundemi ende të flasim për Perëndimin, si një koncept i unifikuar, ashtu siç thotë eksperti për çështjet ndërkombëtare, politikani kristiandemokrat gjerman Wolfgnag Shrojble në titullin e librit të tij të fundit "A do të dështojë Perëndimi?"
Problemi që kemi këtu duke trajtuar bashkëpunimin amerikano-evropian në Kosovë, është që Bashkimit Evropian i mungon vullneti politik për të ecur drejt një zgjidhjeje, derisa çdo standard i caktuar të duket se është përmbushur. Duket se po shpresojnë se mund të kthejnë disa pjesë të ish-Jugosllavisë sërish në një bashkësi. Mendoj se ky qëndrim nuk është realist dhe as i drejtë ndaj popujve në rajon. Për këtë arsye një numër komentatorësh amerikanë kanë sugjeruar muajt e fundit, që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa perëndimore duhet të bashkëpunojnë për të mirën e të gjithë të interesuarve dhe është e rëndësishme me këtë rast, që amerikanët të marrin përsipër drejtimin, përkatësisht udhëheqjen, sepse kanë vullnetin politik për të vepruar, por edhe për faktin që gëzojnë respektin te populli i Kosovës.

Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG