Ndërlidhjet

MALOKU:"SERBISË I KONVENON ÇDO TRAZIRË NË KOSOVË"


Naim Maloku, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Ditët e fundit hetohet një dozë tensioni në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në Luginën e Preshevës pati protesta, ndërsa në Beograd disa thonë se në Kosovë mund të ketë trazira. Si i shihni këto zhvillime nga aspekti i sigurisë?

NAIM MALOKU
Unë mendoj se kohët e fundit, të gjitha këto lëvizje edhe të Serbisë, edhe rasti tragjik në Luginën e Preshevës, edhe protestat atje, janë në njëfarë forme elemente që kanë çuar në ngritjen e tensioneve, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Mendoj se këto janë hapat që i ndërmerr politika serbe dhe mekanizmat represive të Serbisë, ushtria, policia dhe shërbimet sekrete, për të arsyetuar paralajmërimet e tyre, se në Kosovë do të ndodhë një pranverë e nxehtë. Thjesht, janë imponim, ose orientim i tyre drejt tensionimit të situatës në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë thonë se Beogradit do t’i konvenonin trazirat në Kosovë. A mendoni se është i saktë ky supozim dhe nëse po, pse?

NAIM MALOKU
Normalisht që Beogradit, që nga tërheqja e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, i ka konvenuar çdo trazirë në Kosovë, apo tensionim i situatës brenda, për vetë faktin se Serbisë dhe politikës oficiale serbe, nuk i konvenon një proces i qetë dhe demokratik në Kosovë dhe nuk i konvenon që Kosova të arrijë realizimin e standardeve dhe fillimin e negociatave për statusin përfundimtar të saj. Serbia e di që në këto raporte që janë sot në Kosovë dhe në këtë qetësi që po mbretëron në Kosovë dhe në këto procese që po zhvillohen, përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës do të përfundonte me një rezultat jo të favorshëm për politikën serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, këto tensione dhe këto paralajmërime, zoti Maloku, si reflektohen në situatën e sigurisë, si edhe në proceset e tjera që e presin Kosovën?

NAIM MALOKU
Tensionimi i situatës në Kosovë e rëndon Kosovën dhe procesin e realizimit të standardeve dhe fillimin e procesit të përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Këto Serbia i di dhe normalisht ajo synon që në Kosovë të ketë tensione dhe proceset të mos zhvillohen në drejtimin që kanë marë. Serbia e di që në një Kosovë të tensionuar dhe me probleme, do të zhvarriset edhe fillimi i përcaktimit të statusit përfundimtar të saj, që është edhe synim i Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, një analist i jashtëm këto ditë tha se nuk përjashton mundësinë e dërgimit të forcave në pjesën veriore të Kosovës.

NAIM MALOKU
Një plan i tillë ka egzistuar që nga tërheqja e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova. Ne e dimë që ushtria serbe nuk e ka ndërruar politikën dhe strukturën e brendshme organizative, por ka ndryshuar doktrinën. Tani doktrina ushtarake serbe, praktikisht parasheh rikthimin e atyre forcave në Kosovë. Dhe Kosovën, që nga viti 1999, ushtria serbe e konsideron si territor përkohësisht të okupuar nga një forcë e huaj, që në këtë rast është KFOR-i. Kur jepet një vlerësim i tillë, natyrisht se bëhen edhe përgatitjet e tjera përcjellëse, në mënyrë që ajo forcë të kthehet në Kosovë dhe të rikthehet ai territor që përkohësisht, sipas tyre, është i humbur dhe përkohësisht, është i kontrolluar nga forcat e jashtme. Nuk është asgjë e re kjo që analistët e huaj e parashohin ndërhyrjen e forcave ushtarake – policore serbe në veriun e Kosovës, mirëpo unë do të shtoja se në njëfarë forme Serbia e kontrollon pjesën veriore të Kosovës, përmes mekanizmave të tjera siç janë Rojat e Urës dhe mekanizmat e tjera të shërbimeve sekrete, që e kanë gjetur një modus të bashkëpunimit edhe me KFOR-in dhe me UNMIK-un, në stilin “na lini rehat dhe ne ju lemë rehat juve”. Unë mendoj se një ndërhyrje eventuale e hapur e forcave serbe në atë territor, do të provokonte një konflikt të ri, jo vetëm Kosovë-Serbi, por shqiptaro-serb dhe natyrisht se do të kthehej gjendja jo vetëm e vitit 1999, por edhe para 1999, atëherë kur filloi konflikti në Kosovë, por me përmasa shumë më të mëdha dhe më të rrezikshme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Natyrisht se shqiptarët nuk do të rrinë duarkryq dhe tani pozicionet janë më të favorshme për shqiptarët dhe këtë e dinë edhe serbët. Personalisht mendoj se Serbia nuk do t’i hynte një aventure të tillë, por këto janë më tepër kërcënime dhe tentime, që të tensionohet dhe të mbahet në tension opinioni kosovar, qeveria e Kosovës, institucionet dhe të mbahen nën tension dhe frikë të përhershme për një ndërhyrje të tillë nga forcat ushtarake të Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur i përmendët institucionet zoti Maloku, a është duke bërë gjithshka çfarë duhet faktori politik në Kosovë, që evitojë ndonjë zhvillim eventual të papritur?

NAIM MALOKU
Ne nuk kemi as kompetenca që të ndërmarrim masa dhe hapa të tillë. Mendoj se as do të ketë nevojë për hapa të tillë. Ne duhet të punojmë për përmbushjen e standardeve, bashkëpunimin e ndërsjellë si opozitë-pozitë, ashtu edhe përgjithësisht me faktorin politik kosovar; të bëjmë një ofertë për faktorin serb të Kosovës, për një bashkëpunim dhe integrim të sinqertë në Kosovë, në mënyrë që tensionet brenda Kosovës të zbuten ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe pakicave të tjera; të punojmë me faktorin ndërkombëtar dhe qytetarët e Kosovës të shohin dobi nga institucionet dhe t’i shohin ato në veprim. Kjo është me rëndësi, në mënyrë që të jemi imunë nga provokimet tilla të Serbisë. E vetmja mënyrë se si duhet të shkojmë përpara është të punojmë për një zhvillim më të madh ekonomik dhe në mesin e vitit 2005 ta sjellim Kosovën kështu të qetë, në mënyrë që të fillojë përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës që për ne është me interes dhe me rëndësi.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG