Ndërlidhjet

BUSH: TË GJITHA OPSIONET E HAPURA PËR PROGRAMIN BËRTHAMOR TË IRANIT


Golnaz Esfandari

Presidenti George Bush ka ripërsëritur se të gjitha opsionet janë të hapura për sa i përket programit të dyshuar bërthamor të Iranit, por tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë ta zgjidhin çështjen në mënyrë diplomatike.
Komentet e Bushit vijuan pas kundërthënieve që lindën me botimin e një artikulli në revistën "New Yorker", ku Seymour Hursh shkroi se Irani mund të jetë caku i ardhshëm në luftën kundër terrorizmit dhe se forcat speciale amerikane kanë kryer operacione të fshehta zbulimi në territorin e Iranit, për t'i identifikuar shënjestrat e mundshme.
Shtëpia e Bardhë e kritikoi raportin si "të pasaktë".
Në mesin e spekulimeve për qëllimet amerikane, presidenti George Bush e ripërsëriti qëndrimin e tij lidhur me programin e dyshuar bërthamor të Iranit.
"Shpresoj se ne mund ta zgjidhim këtë me rrugë diplomatike, por unë kurrë nuk e heq asnjë opsion nga tavolina", deklaroi Bush, disa orë pasi Ministri iranian i Mbrojtjes Ali Shamkhani, tha se asnjë vend nuk do të guxonte ta sulmojë Iranin.
Bush një kohë të gjatë e ka nënvizuar diplomacinë si mënyrën më të mirë për t'iu qasur dyshimeve se Irani zhvillon armë bërthamore.
"Diplomacia duhet të jetë zgjidhja e parë, dhe përherë zgjidhje e parë e një administrate, e cila përpiqet ta zgjidhë çështjen e çarmatimit bërthamor. Ne do t'i vazhdojmë presionet diplomatike", tha Bush.
Por qëllimet e Amerikës ndaj Iranit sërish u bënë kryelajme pas publikimit të artikullit të gazetarit Seymour Hursh në revistën "New Yorker".
Hursh, i cili luajti rolin kyç në publikimin e torturave në burgun Abu Ghraib, tha se Shtetet e Bashkuara tashmë përgatiten t'i sulmojnë lokacionet ushtarake në Iran.
Në artikull, Hursh në stilin e tij citon burime të paidentifikuara: një ish zyrtar të lartë të kundërzbulimit dhe një këshilltar të qeverisë me lidhje të ngushta me Pentagonin. Hursh thotë se burimet e tij janë serioze dhe të sakta, cilësi që janë në pajtim me standardet e "New Yorker".
Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni e përgënjeshtruan raportin. Lawrence Di Rita, zëdhënës i Pentagonit, tha se artikulli i Hursh-it është plot me gabime për faktet themelore, sa e rrënon kredibilitetin e gjithë artikullit. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë gjithashtu tha se raporti është "përplot pasaktësi". Ndërkaq Dan Bartlett, zëdhënës i Bushit, tha se Uashingtoni do të vazhdojë të përdorë diplomacinë ta bindë Iranin që të mos zhvillojë armë bërthamore.
Shahram Curbin, drejtor i Qendrës për Politikë të Sigurisë në Gjenevë, beson në mundësinë që forcat amerikane të kryejnë operacione të zbulimit në Iran, por shton se kjo strategji mbart rreziqe.
"Amerikanët janë vendosur në Irak dhe në Afganistan. Kufinjtë nuk mund të mbyllen qind për qind, kështu që infiltrimi i njerëzve në Iran nuk është i vështirë. Por mendoj se ata do të viheshin në rrezik nëse zbuloheshin dhe pasojat politike do të ishin të rënda", thotë Chubin.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian bëri thirrje për qasje diplomatike. Fuqitë evropiane si Britania, Gjermania dhe Franca janë angazhuar ta bindin Teheranin të heqë dorë nga teknologjia, që do të mund të përdorej për armë bërthamore.
Por Hursh i tha radios britanike se skifterët në Pentagon besojnë që bisedimet mes Iranit dhe BE-së do të dështojnë dhe se Pentagoni përgatitet t'i neutralizojë lokacionet e dyshuara në Republikën Islamike.
"Shtetet e Bashkuara fare nuk kanë nevojë për raundin e bisedimeve me BE-në, i cili zgjat tashmë një vit. Nuk mendojmë se do të kenë sukses dhe kur ato të dështojnë, neokonservatorët duan të jenë në pozicion që disa objektiva t'i godasin rëndë", tha Hursh. Por Chubin thotë se goditja është opsion i keq.
"Është absolutisht mjeti i fundit, që absolutisht nuk garanton sukses. Atje ka aq shumë uzina dhe shumë të panjohura rreth tyre. Sa është i avancuar programi i Iranit? A mundet Irani të marrë veten shpejt nga sulmet në lokacionet kryesore dhe a thua iranianët vërtetë kanë vendosur të zhvillojnë armë për shkatërrim në masë?", pyet Chubin.

XS
SM
MD
LG