Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

SERBËT E KOSOVËS PARALAJMËROJNË MUNDËSINË E PËRFSHIRJES NË GRUPIN PUNUES PËR DECENTRALIZIMIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nga mospjesëmarrja në institucionet e Kosovës më së shumti ka pësuar vetë bashkësia serbe, kanë vlerësuar liderë të serbëve të Kosovës, duke paralajmëruar njëkohësisht përfshirje të shpejtë të përfaqësuesve serbë në grupet punuese për decentralizimin. Mirëpo, ata kanë thënë se pa përmirësim thelbësor të kushteve të jetës për bashkësinë serbe, përfaqësuesit e serbëve nuk mund të përfshihen në organet e pushtetit të Kosovës. Serbët e Kosovës prej më shumë se një vit po i bojkotojnë institucionet, grupin punues për decentralizimin dhe grupet që merren me jetësimin e standardeve. Rangjel Nojkiç nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë, thotë se një qëndrim i tillë sjell pasoja negative:
"Dëmin më të madh për shkak të mospjesëmarrjes në institucione e ka pasur bashkësia serbe, para së gjithash për shkak se Petersen dhe përfaqësues të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, kanë thënë se institucionet e Kosovës po punojnë mirë, se kryeministri dhe zyrtarët e tjerë kanë orientime demokratike dhe se praktikisht nuk ka kurrfarë problemesh," tha Nojkiç, sipas të cilit një vlerësim i tillë është mundësuar nga fakti që serbët nuk janë në institucione dhe nuk mund të iniciojnë çështje që janë me rëndësi për bashkësinë serbe. Nojkiç tha se përvoja ka dëshmuar se nëse serbët do të ishin në institucionet e sistemit dhe t’i ngrinin ato çështje, atëherë do të mund të dëshmohej në vepër diskriminimi, që sipas tij u bëhet serbëve në institucione.
Ndërkaq, Milan Ivanoviç, kryetar i Këshillit Nacional Serb, thotë se serbët nuk mund të hyjnë në institucione, gjithnjë deri sa serbëve u ndërpritet furnizimi me rrymë:
"Pas gjithë këtyre zhvillimeve, pas këtij qëndrimi ndaj serbëve, është fakt që serbët jetojnë në terr dhe serbëve u ndërpritet rryma, ndërkohë që kjo koincidon me zgjedhjen e Ramush Haradinajt kryeministër dhe kjo sigurisht që i pamundëson serbët të marrin pjesë në institucione," tha Milan Ivanoviç.
Mirëpo, sipas zoti Rangjel Nojkiç, bisedimet rreth pjesëmarrjes së serbëve në institucione do të vazhdojnë me autoritetet e Beogradit.
Milan Ivanoviç, i cili ka kundërshtuar pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 23 tetorit tha se përfaqësuesit e serbëve nuk kanë legjitimitet pasi vetëm 0.3 për qind e qytetarëve serbë kanë dalë në zgjedhje:
"Ashtu siç zgjedhjet nuk kanë qenë multietnike apo kanë qenë monoetnike, ashtu edhe institucionet janë monoetnike dhe kjo do të paraqesë problem për bashkësinë ndërkombëtare, pasi nuk do të mund të tregojnë atë që në fakt nuk ekziston," tha Ivanoviç. Ai ka thënë se serbët do t’i thonë jo decentralizimit sipas modelit që ai e ka quajtur shqiptar, duke u angazhuar për një decentralizim, që do të ishte më shumë në favor të serbëve të Kosovës, që Ivanoviç i cilëson si qytetarë të rrezikuar.
Në anën tjetër, shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, pas bisedimeve me autoritetet e Beogradit ka thënë se është e domosdoshme që serbët të inkuadrohen në proceset e Kosovës.
Edhe pse zyrtarisht nuk është shprehur ndonjë shpresë se zyrtarët e Beogradit i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së zotit Petersen që Beogradi t’i ftojë serbët të marrin pjesë në institucionet e Kosovës, Rangjel Nojkiç thotë se Beogradi ka dërguar sinjale pozitive për këtë:
"Vladeta Jankoviç, këshilltar i kryeministrit Koshtunica ka deklaruar se serbët shumë shpejt do të përfshihen në komisionin për decentralizim," tha Nojkiç, sipas të cilit është shqetësues fakti që përfshirja e vonshme e serbëve nuk do t’i përgjigjet bashkësisë serbe. Ai tha se serbët janë të vetëdijshëm se vetë duhet të angazhohen për çështjen e decentralizimit, për të gjetur një zgjidhje më të mirë për bashkësinë serbe.

XS
SM
MD
LG