Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

IRAKU, IRANI DHE ZGJERIMI I DEMOKRACISË MBETEN PRIORITETE TË ADMINISTRATËS BUSH


Jeffrey DONOVAN

Prioritetet e politikës së jashtme të presidentit Bush në mandatin e tij të dytë, përveç të tjerash përfshijnë Irakun, Iranin dhe promovimin e demokracisë në botë.
Kondoliza Rajs, që pritet të emërohet Sekretare e Shtetit në këtë plan para Senatit ka shpjeguar:
"Amerika dhe bota e lirë sërish janë të angazhuara në luftën afatgjatë kundër ideologjisë së urrejtjes, terrorit dhe tiranisë. Ne duhet të përballemi me këto sfida me të njëjtin vizion dhe kurajo, si përballuam fenomenet e tilla që dominuan periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore", tha Kondoliza Rajs.
Ruel Geret, ish - specialist për Lindjen e Mesme në Shërbimin Informativ Amerikan CIA, ndërsa tani drejtor i Projektit për Amerikën në shekullin e ri, thotë se nga fjalimi i zonjës Rajs del se politika e jashtme e kësaj administrate amerikane në disa plane dallon nga ato të mëparshmet:
"Mendoj se administrata e Bushit ka bërë kthesë thelbësore në planin e politikës së jashtme dhe ajo do të vazhdojë këtë orientim", thotë Ruel Geret, për të shtuar se kjo ka të bëjë me qëndrimin ndaj diktaturave, autokracive dhe ekstremizmit islamik.
Ai pohon se administrata ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me Iranin, ku dëshiron të shohë ndryshime demokratike. Megjithatë një gjë është e sigurt – për Uashingtonin është prioritet urgjent që Teherani të jetë i liruar nga disponimi me armët bërthamore. Geret nuk përjashton mundësinë që në këtë qëllim Uashingtoni të përdorë edhe forcën:
"Do të ketë njerëz brenda administratës që do të fillojnë të mendojnë për sulme parandaluese ushtarake, sepse përpjekjet diplomatike, veçanërisht të evropianëve, nuk japin shumë shpresë", thotë Ruel Geret.
Por, Rejmond Tanter që ka shërbyer në Këshillin Për Siguri Kombëtare të presidentit Regan, thotë se një pjesë e administratës angazhohet për politikë afatgjatë të ndryshimeve në Iran, por duke mbështetur opozitën e atjeshme dhe duke shmangur çfarëdo aksioni ushtarak:
"Ata angazhohen për presion përmes opozitës ndaj Teheranit në mënyrë që regjimi iranian të mos jetë në gjendje ofenzive sa i përket armëve bërthamore dhe sponzorizimit të terrorizmit ndërkombëtar", thotë Rejmond Tanter.
Çfarëdo që të ndodhë në raportet e Uashingtonit me Iranin, kjo do të jetë një provë tjetër në raportet e Shteteve të Bashkuara me Evropën. Provë tjetër në raportet amerikano – evropiane pritet të jetë edhe konflikti izraelito–palestinez.
Muajin e ardhshëm presidenti Bush pritet të vizitojë Evropën dhe zyrtarë të lartë në administratë kanë thënë se Uashingtoni është i gatshëm të bëjë përpjekje për zvoglimin e dallimeve me Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG