Ndërlidhjet

WHYTE:"PAVARËSIA NË RRITJE E KOSOVËS TASHMË ËSHTË VENDOSUR...."


Nicholas WHYTE, Drejtor i Grupit Ndërkombëtar të Krizave


EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, në komentin tuaj me titull "Për një angazhim real në Kosovë", ju thoni se Kosova po shkon drejt pavarësisë prej vitit 1999, dhe se është koha që këtë ta thotë edhe bashkësia ndërkombëtare.
Në çfarë baze është mbështetur ky vlerësim, dhe a do të thotë kjo se pavarësia është zgjidhja e vetme reale?

NICHOLAS WHYTE
Këtu janë dy pyetje. E para është se në çfarë baza e bëmë një vlerësim të tillë. Është fakt se Kosova tani ka institucione të vetëadministrimit, të cilat e kanë shumicën e pushtetit të brendshëm. Kosova është e njohur nga Bashkimi Evropian si entitet i veçantë i Doganave dhe entitet i veçantë i Tregtisë, me ligjet e veta në skenën ndërkombëtare, dhe këto janë aspekte shumë të rëndësishme.
Prandaj, në këtë drejtim, pavarësia e Kosovës, më shumë është çështje faktike se sa ligjore. Për këtë arsye, shohim se pavarësia në rritje e Kosovës tashmë është vendosur.
A është opcioni i vetëm? T'i vështrojmë gjërat si vijon: ne nuk mendojmë se dikush nga bashkësia ndërkombëtare do të ishte i gatshëm t'i paguajë implikimet për sigurinë, nëse Kosova do të kthehej nën sundimin e Beogradit. Madje Serbia as që do të mundej ta zbatojë këtë. Ne mendojmë se kjo nuk është ndonjë mundësi kredibile dhe e besueshme. Në të njëjtën kohë, ne nuk shohim kurrfarë gjasash reale për bashkimin me ndonjë territor fqinj si Shqipëria, apo pjesët e Maqedonisë të banuara me shqiptarë. Ne nuk kemi vërejtur asnjë dëshirë reale për këtë, qoftë nga Kosova apo nga vendet tjera. Dhe, kjo vërtet ju shpie në çështjen e pavarësisë. Ne e kundërshtojmë ndarjen e brendshme të Kosovës, sepse mendojmë se kjo do të dërgonte mesazhe të këqija për zonat tjera potenciale të konfliktit. Prandaj në këtë rast mbetet vetëm opcioni i pavarësisë, i përcjellë me pyetjen se sa shpejtë gjërat në Kosovë mund të shënojnë progres. Ne ndiejmë shumë fuqishëm se kjo do të duhej të mbështetet në demonstrimin e zotimit të vetë kosovarëve për koegzistencë paqësore me fqinjët e tyre të përkatësive tjera etnike, veçanërisht me serbët.

EVROPA E LIRË
Në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave i titulluar "Kosova drejt statusit final", ju keni përcaktuar një plan të afatizuar për zgjidhjen e çështjes së statusit.
A mendoni se afatet e përcaktuara janë reale?

NICHOLAS WHYTE
Po, mund të jenë reale nëse ka vullnet të mjaftueshëm ndërkombëtar. Do ta kisha thënë si vijon: para se ta bëjmë publik raportin tonë, ne u këshilluam me zyrtarëm të lartë të ndryshëm, për aq sa mundëm. Dhe, nëse ata do të na kishin thënë se ajo që kemi vënë në raportin tonë është plotësisht jorealiste, atëherë ne zakonisht e mendojmë përsëri. Por, ky nuk ishte një nga rastet e atilla. Ndoshta nuk do thotë se gjithçka do të plotësohet si kemi thënë apo si dëshirojmë, por mendoj se ajo që e kemi shkruar, të paktën është një nga mënyrat e mundshme për të shkuar përpara. Dhe, nëse diçka hetova, atëherë kjo është një mbështetje për raportin nga disa ministri të jashtme.

EVROPA E LIRË
Në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, politika e Beogradit është identifikuar si 'fantazi', dhe thuhet se 'bashkësia ndërkombëtare nuk guxon t'i shpërblejë fantazitë e Beogradit'.
A mendoni se politika e deritashme e Beogradit ndaj Kosovës, ka qenë të paktën e gabuar?

NICHOLAS WHYTE
Po, ishte politikë e gabuar në thelb dhe gabimisht zhvillohej. Beogradi ka interes legjtim në Kosovë, këtë nuk duhet harruar. Ekzistojnë çështje të pronës publike, të pronës private, është çështja e mbrotjes së institucioneve fetare serbe, veçanërisht Patriarkanës. Dhe në kuadër të pavarësisë së ardhshme të Kosovës, do të shtrohej pyetja edhe e nivelit të reduktimit të borxhit të jashtëm të Serbisë, sepse një pjesë shkon edhe në llogari të Kosovës. Këto janë pyetje vërtetë serioze, për të cilat serbët meritojnë përgjigje zemërgjera nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga kosovarët. Mendojmë se këto janë çështje serioze, mbi të cilat Beogradi do të duhej të përqëndrohet. Nga ana tjetër, në Beograd ka shumë njerëz, të cilët i bëjnë qejfin vetes dhe mendojnë se mund ta kthejnë prapë Kosovën. Jeta ka shkuar përpara, kjo nuk do të ndodhë, dhe bashkësia ndërkombëtare këtë duhet ta thotë qartë.

EVROPA E LIRË
Si e shihni takimin e fundit të zotit Jessen-Petersen në Beograd, ku bisedimet u zhvilluan për fakturat e energjisë elektrike?

NICHOLAS WHYTE
Mendoj se zoti Jessen-Petersen kishte ndërmend një agjendë më të madhe. Më erdhi shumë keq kur dëgjova. Unë kam respekt për një numër të politikanëve serbë, dhe mendoj se me këtë sjellje që bënë, ata nuk i sollën ndonjë dobi reputacionit të tyre. Siç thashë, ka çështje të vërteta që mund të diskutoheshin. Sa i përket çështjes së energjisë elektrike, ndonëse është e rëndësishme, duhet patur parasysh se edhe shqiptarët vuajnë nga kjo po aq sa edhe serbët e Kosovës, në mos edhe më tepër. Pastaj, arsyeja përse këta njerëz nuk kanë rrymë është sepse nuk i kanë paguar faturat.

EVROPA E LIRË
Kreu i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, zoti Erhard Busek tha së fundi se Bashkimi Evropian nuk ka strategji të qartë për Kosovën, dhe se Shtetet e Bashkuara njëanshëm mund ta njohin Kosovën, siç e bënë me emrin kushtetues të Maqedonisë.
Çfarë është komenti i juaj?

NICHOLAS WHYTE
Mendoj se ai ka të drejtë. Mendoj se ende nuk kemi ardhur deri në atë shkallë. Për momentin, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në një proces multilateral ndërkombëtar ku përfshihen katër shtete të mëdha evropiane, si Franca, Gjermania, Italia dhe Britania. Por, zoti Busek, i cili është një vëzhgues me përvojë i kësaj çështjeje, sigurisht që ka të drejtë kur thotë se nëse evropianët nuk lëvizin më shpejt, atëherë amerikanët ndoshta gjatë vitit të ardhshëm do të vepronin vetë. Kjo ka qenë karaktaristikë mjaft e qartë e politikës së jashtme aktuale amerikane. Nuk mendoj se kemi ardhur deri në atë gjendje, por mendoj se është e drejtë ajo që zoti Busek paralajmëron se mund të ndodhë në të ardhmen.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG