Ndërlidhjet

BUXHOVI: ZGJIDHJA E ÇËSHTJES SË KOSOVËS NORMALIZON GJENDJEN NË BALLKAN


Jusuf Buxhovi, shkrimtar dhe analist nga Gjermania

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Buxhovi, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, e ka emëruar zotin Sllavisha Petkoviç, Ministër për Kthim dhe Komunitete, ndërkohë që kjo është kundërshtuar nga subjekti tjetër i serbëve. Si e shihni ju një zhvillim të tillë?

JUSUF BUXHOVI
Kujtoj se emërimi i Petkoviçit si ministër në kabinetin e kryeministrit Haradinaj, është një hap pozitiv dhe shumë i rëndësishëm, që gjithsesi çon drejt krijimit të parakushteve për hapjen e bisedimeve, të cilat duhet të bëhen për statusin e Kosovës. Pa marrë parasysh se me çfarë etiketimesh përcillet kjo, emërimi i Petkoviçit është i rëndësishëm, duhet përkrahur dhe mendoj se qeveria e zotit Haradinaj ka bërë një hap shumë të rëndësishëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të reflektohet në vetë procesin e kthimit emërimi i zotit Petkoviç?

JUSUF BUXHOVI
Kujtoj se edhe këtu do të reflektohet në mënyrë pozitive, sado që në fillim duhet pritur reagimi i palës tjetër. Këtu e kam fjalën te reagimi i palës radikale serbe, që janë kundër çdo afrimi dhe çfarëdo kthimi, që nuk u shkon për shtat, sepse kanë interesat dhe qëllimet e tyre, me të cilat nuk duhet të merremi. Mirëpo, kujtoj se te pjesa e asaj që i takon kësaj bashkësie, e cila duhet t’i realizojë të drejtat e tyre këtu, kjo do të luajë një rol pozitiv. Duhet pritur që ata që duan të kthehen në Kosovë dhe të jetojnë si qytetarë të Kosovës, mund ta kenë tani një adresë shumë më të qartë, që këto synime t’i realizojnë dhe së paku të mos pengohen nga pjesa radikale, që t’i realizojnë këto synime dhe së paku të mos pengohen nga pjesa radikale siç ka ndodhur deri tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zoti Buxhovi, përfaqësues të Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, që ka shumicën e vendeve të rezervuara për serbët në parlament, nuk kanë dhënë shenja të qarta se do të angazhohen në institucione. Si do të ndikojë kjo për proceset e mëtejshme?

JUSUF BUXHOVI
Unë mendoj se vetë fakti që Petkoviç ka pranuar të jetë ministër në qeverinë Haradinaj, kjo në njëfarë mënyre i shkrin këto qëndrime të ngurta të kësaj bashkësie dhe edhe pse ata njëherë për njëherë mund të jenë paksa të rezervuar, mendoj se ata do ta ndjekin rrugën e Petkoviçit, pasi nuk kanë alternativë tjetër. Ata ose duhet t’i bashkohen këtij procesi dhe të bëhen pjesë e një bashkësie, që sigurisht e ka perspektivën e vet, ose të largohen prej saj dhe automatikisht të heqin dorë edhe nga ato të drejta që i kanë këtu për t’i realizuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë Petkoviç është i pari nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që nuk i ka respektuar qëndrimet e Beogradit zyrtar. Në çfarë procesesh mund të çojë një zhvillim i tillë?

JUSUF BUXHOVI
Unë nuk e di a i ka respektuar apo jo ato qëndrime, por ma merr mendja që ky vendim nuk është pa marrëveshje të fshehur me disa subjekte të Beogradit, me ata që janë të interesuar që megjithatë kriza e Kosovës të zgjidhet në përputhje me këndvështrimin që e ka sot bashkësia ndërkombëtare. Tek e fundit, edhe disa shkrime që janë bërë dhe ide që janë dhënë nga pushtetarët e Beogradit si Çoviçi, lënë për të kuptuar se këtu, megjithatë, është një marrëveshje ndërmjet serbëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Po afrohet mesi i viti 2005 që është paralajmëruar si kohë e vlerësimit të përmbushjes së standardeve. Si i shihni ju gjasat për një vlerësim pozitiv të këtij procesi?

JUSUF BUXHOVI
Unë mendoj se tani është koha dhe mendoj se është me rëndësi, që edhe faktori ndërkombëtar këtë e ka kuptuar drejt. Faktori ndërkombëtar, me ato që po deklaron vlerësoj se është përcaktuar ta thyejë atë gjendjen e status-quo-së që ka ekzistuar deri tani. Me këtë është kuptuar drejt, që zgjidhja e problematikës së Kosovës, është një hap drejt normalizimit të gjendjes në Ballkan. Këtu, deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, gjendet nyja e zgjidhjes së kësaj problematike, ashtu siç e parashohin sot edhe parametrat e globalizimit botëror, por edhe të BE-së. Bashkimi Evropian duhet që gjithë hapësirën e Ballkanit ta kyçë në një formë, përmes këtyre standardeve, në infrastrukturën e vet ekonomike dhe politike, gjë që do të mbyllte një herë e përgjithmonë virusin e krizës ballkanike, i cili po shihet se ka filluar te shqiptarët dhe duhet të mbyllet te shqiptarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të BE-së kanë tërhequr vërejtjen se mund të ketë ndryshime në qëndrimet amerikane dhe ato evropiane lidhur me statusin e Kosovës. Sa janë reale këto paralajmërime?

JUSUF BUXHOVI
Kujtoj se këto paralajmërime është mirë që janë dhe mirë që do të jenë, pasi qëndrimi amerikan është shumë më i avancuar sesa ai i evropianëve dhe kjo është çështje që duhet të na interesojë. Kjo për arsye se amerikanët jo vetëm që kanë qëndrim më të avancuar, por ata janë edhe ata që vendosin në fund të fundit. Në tryezën e bisedimeve qëndrimi amerikan gjithsesi mund të kontestohet dhe mund të mos pranohet, por në fund të fundit, atij i çohen gishtat. Kujtoj se në këtë drejtim ka edhe spekulime, që ndoshta edhe jepen për opinion, por mendoj se as evropianët faktikisht, sa u përket këtyre qëndrimeve, nuk janë larg nga qëndrimet e Amerikës. Ata, ndoshta për arsye të konjukturave politike, dëshirojnë që atë t’ia veshin Amerikës dhe në njëfarë mënyre atë zgjidhje që do të bëhet për Kosovën, ta arsyetojnë se ka qenë ndoshta një imponim amerikan. Por edhe Evropa e dëshiron këtë, pasi edhe Evropa e ka parë se nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse një pavarësie të kushtëzuar të Kosovës apo çfarëdo që të jetë të jetë, në përputhje me faktorin ndërkombëtar të vendosjes, me ato që u prijnë proceseve të rendit të ri botëror, siç janë SHBA-të dhe me këtë ka edhe alibi ndoshta për ndonjë konjukturë tjetër, që evropianët pa to nuk mund të veprojnë. Suma sumarum, mendoj se ky dallim është i rëndësishëm dhe flet për atë që edhe evropianët janë të bindur se ashtu duhet të shkojë, por ata kërkojnë të kenë mbulesën e Uashingtonit.


Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG