Ndërlidhjet

FABRIKA NË KORMINJAN, SHEMBULL I MULTIETNICITETIT


Albana ISUFI, Dardanë

Veshur me rroba pune të përlyera nga pluhuri i shkaktuar nga renovimi i makinave të fabrikës, Momcillo Simiq, është i kënaqur që ka një vend pune dhe aspak nuk e pengon fakti se punon me kolegë shqiptarë. Ai dhe 39 serbë të tjerë kanë dy vjet që punojnë bashkë me 40 shqiptarë në fabrikën e Tullave në Korminjan të Dardanës, ish Kamenicës:
“Kushtet tani për tani nuk janë të këqija, ato janë të kënaqshme. Me punëtorët shqiptarë jemi shokë, që kur kemi punuar para 20 viteve, kemi bashkëpunim të mirë me ta dhe nuk kemi kurrfarë problemesh”, thotë Simiq, duke shtuar se jo vetëm në fabrikë, por edhe Berivojcë, fshatin e tij nuk ka pasur kurrë probleme ndëretnike.
Kolegu i tij shqiptar, Begzat Kallaba, i pohon fjalët e Simiqit:
“Puna shkon shumë mirë, s’ka kurrfarë problemi, me serbët jetojmë mirë, sidomos në fabrikë mirë shkojmë me ta,” thotë Kallaba.
Fabrika e Tullave, që shpesh nga ndërkombëtarët është quajtur model për ndërtimin e multietnicitetit, ka filluar punën më 2003 dhe udhëhiqet nga menaxheri shqiptar Mustafë Borovci:
“Punëtorët janë 50 për qind shqiptarë dhe 50 për qind serbë, kjo për shkak të vendndodhjes së fabrikës, sepse ajo ndodhet mes fshatrave të banuara me serbë në njërën anë dhe shqiptarë në anën tjetër. Puna ka shkuar mirë, prodhimi ka qenë i mirë, marrëdhëniet mes punëtorëve kanë qenë shumë të mira dhe nuk kemi pasur probleme”, thotë Borovci, i cili nga punëtorët e tij vlerësohet si pronar korrekt.
“Pronari ka mirëkuptim për të dyja palët, kështu që puna na shkon mirë”, thotë Momcillo Simiq.
Këtë gjë e pohon edhe i riu Bojan Ristiq, derisa merret me pastrimin e makinave.
“Është viti i dytë që punoj në këtë fabrikë dhe jam i kënaqur, kemi marrëdhënie të mira me shqiptarët dhe nuk kemi kurrëfarë problemesh”, thotë Bojan Ristiq nga Drenovci.
Ku qëndron sipas menaxherit Borovci suksesi i raporteve të mira mes punëtorëve serbë e shqiptarë:
“Mendoj se mund të jetë një shembull, sepse ne këtu udhëhiqemi kryekëput nga parime ekonomike dhe punën e bëjmë si të tillë. Kurse sa i përket aspekteve të tjera, ka njerëz që janë të thirrur dhe të paguar për atë punë dhe ata merren me atë punë”, thotë Borovci.
Por, sipas kreut komunal të Dardanës, Shaip Surdulli, nuk është vetëm kjo fabrikë ajo që përfaqëson tolerancën ndëretnike në Dardanë.
“Marrëdhëniet mes dy apo tre komuniteteve (shqiptarë, serbë, romë), janë shumë të mira, nuk ka pasur probleme të veçanta, që prej 2 vjetësh nuk ka ndodhur as incidenti më i vogël. Çdo gjë është në regull, ata janë të integruar edhe në Kuvend, edhe në administratën komunale, por edhe më tej ka nevojë që të eliminohen disa paralelizma nga UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës, sepse po paraqesin pakënaqësi te shumica e popullatës”, thotë Surdulli.
Dardana, sipas kreut komunal të saj, ka kohë që e ka përmbushur një nga standardet kryesore, lirinë e lëvizjes.
“Plotësisht mund të themi që 100 për qind është përmbushur liria e lëvizjes dhe përdorimi i gjuhës”, thotë Surdulli.
Dardana vazhdimisht është vlerësuar si model i qytetit, ku të gjitha komunitetet bashkëjetojnë pa tensione mes vete. Këtë gjë e ka pohuar edhe shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, i cili ka kërkuar që pjesa tjetër e Kosovës të nxjerrë mësim nga Dardana, e veçanërisht veriu, në të cilin, siç ka thënë Jessen Petersen, edhe me tej flitet me gjuhën e së kaluarës.





XS
SM
MD
LG