Ndërlidhjet

MITROVICË: SISTEMI I NDARË SHËNDETËSOR, POR PROBLEMET TË NJËJTA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Institucionet shëndetësore në Mitrovicë përballen me probleme të shumta, si në pjesën jugore, ashtu edhe në atë veriore. Kur kësaj i shtohet edhe pasqyra e keqe shëndetësore e qytetarëve të Mitrovicës, atëherë mund të thuhet se situata e përgjithshme nuk është në nivel të lakmueshëm.
Dr. Vehbi Leku, kirurg dhe traumatolog në Shtëpinë e Shëndetit në Mitrovicë, thotë se një nga problemet kryesore është mungesa e kapaciteteve:
"Furnizimi me barna, medikamente është në një nivel si për tërë Kosovën. Mendoj se është i mirë. Është paradoksale të thuhet se furnizimi në vitin 2005 ngec, në krahasim me vitin 1999, ose 2000 pas luftës. Kjo nuk është e shpjeguar për mua, përveçse në aspektin që barnat janë shumë të shtrenjta. Mirëpo mendoj se deri diku furnizimi, mund të them se është i kënaqshëm."
Doktor Leku thotë se furnizimin me ilaçe e bën resorti i caktuar i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, mirëpo problem real paraqet mungesa e spitalit për banorët e pjesës jugore, pasi spitali ndodhet në pjesën veriore të qytetit, ku banorët shqiptarë nuk kanë qasje
"Për momentin ne jemi të organizuar në një spital të ashtuquajtur, një improvizim të spitalit, në lokalet e Shtëpisë së Shëndetit, ku këto lokale as për së afërmi nuk mjaftojn. Siç dihet kjo Shtëpi e Shëndetit, edhe më përpara nuk ka mundur të jetë aq mirë e furnizuar, lëre më kur këtu veprojnë edhe Shtëpia e Shëndetit, edhe spitali rajonal për një rajon të Mitrovicës që është shumë i madh".
Mjeku Vehbi Leku, thotë se gjendja shëndetësore e qytetarëve të pjesës jugore është jo e mirë dhe vërehet edhe një shtim i pranisë së tumoreve të ndryshme. Ai thotë se problemi kryesor është mungesa e infrastrukturës tjetër përcjellëse, siç është mungesa e rrymës dhe e ujit.
Në anën tjetër, Brankica Vasiq, mjeke në pjesën veriore të qytetit, thotë se problemi kryesor me të cilin përballen qytetarët e kësaj pjese të qytetit të Mitrovicës, është mungesa e kapaciteteve për trajtimin e të gjithë pacientëve që kanë nevojë për këtë. Ajo tha se ka disa tendenca për të zgjeruar hapësirën e Shtëpisë së Shëndetit, mirëpo ka nevojë për më shumë hapësirë dhe për mjete pune, të cilat aktualisht i marrin nga Serbia dhe nga organizatat humanitare:
"Ndihma që kemi marrë nga organizatat humanitare tani është shumë më e vogël," tha mjekja Vasiq, sipas të cilës personeli mjekësor në pjesën veriore të Mitrovicës, edhe furnizimin me mjete pune, edhe të ardhurat personale, i siguron nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë.
Ashtu si dr. Vehbi Leku, edhe Brankica Vasiq, thotë se gjendja shëndetësore e qytetarëve të Mitrovicës nuk është shumë e mirë dhe ata përballen me probleme, kryesisht të rrugëve të frymëmarrjes dhe me shtim të pacientëve me tumore.
Sidoqoftë, të dy mjekët nga dy pjesët e qytetit, që aktualisht funksionon i ndarë, pajtohen se situata mund të ndryshohet për të mirë, me përmirësimin e situatës së përgjithshme, kur mjekët do të kenë më shumë hapësirë dhe mjete pune për të trajtuar pacientët.

XS
SM
MD
LG