Ndërlidhjet

RRAMALLAH/TEL AVIV


Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, e cila gjatë ditës është takuar me presidentin e autoritetit palestinez, Mahmud Abaz, ka bërë të ditur se Abas dhe kryeministri izraelit Ariel Sharon, kanë pranuar ftesën e presidentit Bush për të vizituar Shtëpinë e Bardhë në pranverë. Edhe mbreti i Jordanisë Abdullah do jetë i pranishëm në takim.
Rice ka premtuar ndihmën amerikane në proçesin e paqes izrealito-palestineze.
"Shtetet e Bashkuara do të bëjnë pjesën e vet, derisa do jemi aktivë në këtë proçes me partnerët tanë. Ne do ndihmojmë në konsolidimin e sigurisë dhe rindërtimin e forcave palestineze të sigurisë. Do të punojmë së bashku me miqtë tanë në bashkësinë ndërkombëtare dhe në rajon që të ringjallim ekonominë palestineze dhe të jemi pranë palestinezëve në përpjekjet e tyre për krijimin e institucioneve demokratike", tha Rice. Ajo ka shtuar se Uashingtoni ka emëruar gjeneralin William Ward të veprojë si bashkërendues për forcat palestineze të sigurisë.
Njëherësh parashikohet një paketë ndihmash prej 350 milionë dollarësh, nga të cilat 40 milionë do të mbërrijnë në muajt që vijnë në territoret palestineze, për të krijuar vende pune dhe në ndërtimin e infrastrukturës. Lidhur me rolin e palëve të përfshira në konflikt Rice ka theksuar:
"Është koha që të dyja palët të bëjnë maksimumin e përpjekjeve të tyre për t'i dhënë paqes një mundësi reale. Unë kam qenë e kënaqur nga bisedimet në Rramallah dhe në Tel Aviv."
XS
SM
MD
LG