Ndërlidhjet

ENVER HASANI: POLITIZIMI I PROBLEMEVE JETIKE MUND TË KETË PASOJA TË PAPARASHIKUESHME


Enver Hasani, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, nëpër qarqet e ndryshme ndërkombëtare kohët e fundit janë shtuar vlerësimet dhe analizat e ndryshme, siç ishin ato të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, të zotit Erhard Busek, etj. Përgjithësisht si i shihni ju këto parashikime në vitin 2005, i cilësuar si vit vendimtar për përcaktimin e të ardhmes së Kosovës?

ENVER HASANI
Unë mendoj se këtu më shumë bëhet fjalë për shprehje të shqetësimeve, sesa për ndonjë parashikim të asaj se çfarë mund të ndodhë. Nuk mendoj se ka ndonjë program të qartë, së paku kështu në publik, përsa i përket dinamikës së ngjarjeve dhe vetë tematikës që këtu është cilësuar fillim i zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, si në anën e ndërkombëtarëve, ashtu dhe në anën e atyre që bëjnë analiza. Më shumë është besoj fjala për shqetësim sa i përket arsyeshmërisë së mbajtjes së mëtejshme të këtij status quo-je, përkatësisht të shqetësimit përsa i përket asaj nëse është e mundur që të vazhdohet me këtë status quo edhe në kohën që vjen. Do të thotë që më shumë është fjala për një shqetësim sesa për të dhënë ndonjë parashikim.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është vlerësimi juaj rreth parashikimeve që janë dhënë duke u bazuar edhe në planin standardet për Kosovën, se mesi i këtij viti do të jetë përcaktues sa i përket bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës?

ENVER HASANI
Mund të jetë përcaktues vetëm në dy kuptime. Si për shkak të faktit se do të ketë një vlerësim pozitiv për standardet, ashtu dhe në të kundërt të saj, do të thotë do të ketë një vlerësim negativ. Pra, kur thuhet se 2005 do të jetë vit vendimtar, nuk duhet kuptuar gjithmonë vetëm ana pozitive e tij, sepse ai mund të jetë i tillë edhe si pasojë e degjenerimit eventual të procesit politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Bazuar në një dinamikë që po zhvillohet në Prishtinë, në kuadër të plotësimit të standardeve, cilat janë parashikimet tuaja, sa Kosova do të mund të zerë hapin, kushtimisht thënë, që të fillojnë diskutimet për zgjidhjen e statusit të saj?

ENVER HASANI
Këtu ka një vullnet, shihet qartë një gadishmëri dhe një dinamikë përsa i përket jetësimit të standardeve, veçanërisht se tani ashtu siç e dini, ka një prioritizim të standardeve, me kuptim në radhë të parë sigurinë e minoriteteve, bashkëjetesën dhe menjëherë pas saj edhe çështja e decentralizimit. Sa i përket këtyre dy segmenteve, unë besoj që edhe mund të arrihen rezultate të prekshme, por që në kuptim të ndonjë vlerësimi pozitiv është vështirë të thuhet, sepse është një kohë shumë e shkurtër, katër-pesë muaj dhe nuk mund të besoj që mund të ketë ndonjë lëvizje, do të ketë ndonjë përmbushje kushedi sesa pozitive. Dhe vlerësimi i parë që ka qenë më shumë teknik, ka lënë të kuptohet se nuk mund të ketë ndonjë cilësim pozitiv të përmbushjes së tyre nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Është paralajmëruar për fundin e këtij muaji edhe vazhdimi i bisedimeve me Beogradin, fillimisht për të zhdukurit. Në përgjithësi sa dialogu Prishtinë Beograd mund t'i relaksojë raportet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, para fazës, kushtimisht thënë, të fillimit të diskutimit të statusit të saj?

ENVER HASANI
Të them të drejtën, nuk besoj që do të mund të kishte ndonjë relaksim, sepse natyra e bisedës që bëhet është kryesisht për çështjet e të zhdukurve apo për çështje të tjera teknike. Kurse për të ndodhur ajo që ju i thoni relaksim të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, atëhere do duhej që palët të jenë pak më shumë kohezive, palët që dialogojnë duhet të jenë më legjitime sa i përket zgjedhësve dhe atyre, para të cilëve përgjigjen. Këtu nuk është rast i tillë si përsa i përket strukturave serbe, ashtu sa i përket strukturave kosovare. Sepse ju e dine se këtu ka një qeveri me opozitë dhe është krejt e natyrshme, që të pritet që opozita ta politizojë deri në fund çështjen e dialogut, sado që të jetë i cilësuar si teknik. Ose po ashtu në anën serbe nga pala serbe, atje kemi një mospajtim shumë të hapur, përsa i përket çështjes së Kosovës dhe problemit të Tribunalit të Hagës dhe përgjithsisht të hapjes ndaj botës dhe shumë pak ka ndryshuar edhe në atë drejtim. Relaksimi nuk mendoj se mund të vijë, gjykuar sipas asaj që zhvillohet në dy shoqëritë që duhet të dialogojnë, shoqërinë serbe dhe shoqërinë shqiptare.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni ju rolin e opozitës në proceset e vendim- marrjes për fatin e Kosovës në përgjithësi, duke patur parasysh raportet aktuale mes pushtetit dhe opozitës?

ENVER HASANI
Opozita do të luajë me letrën e përfitimit politik, sa më shumë që të jetë e mundur. Nga puna e qeverisë dhe nga puna e këtyre strukturave, veçanërisht edhe kur është fjala për çështjen e dialogut, duke provuar që t'i paraqesë ato si dështime të palës tjetër që është fare e natyrshme. Por e keqja e tërë kësaj pune është që gjithë opozitat kanë kuptimin e vet modern dhe bashkëkohor në vendet e tjera, kur ato i referohen problemeve, që lidhen me qeverisjen e përditshme të vendit. Kurse problemet e statusit që kemi këtu, nuk janë probleme të përditshme, janë probleme më afatgjatë, më jetike dhe politizimi i tyre mund të ketë pasoja të paparashikueshme dhe sigurisht që ka.

Intervistoi: Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG