Ndërlidhjet

SAWERS: NËSE VAZHDOHEN TRENDET E DERITANISHME, DO KEMI REZULTATE POZITIVE PËR KOSOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nëse Kosova arrin të mbajë ritmin e tanishëm të proceseve pozitive, atëherë vlerësimi i standardeve do të jetë pozitiv dhe mund të shkohet drejt shqyrtimit të statusit përfundimtar të Kosovës, ka deklaruar sot në Prishtinë, Sekretari në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe John Sawers. Ai i ka bërë këto komente pas takimeve që ka pasur me presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe me shefin e Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, ndërsa mbrëmë ka takuar edhe kryeministrin Ramush Haradinaj dhe liderin e Partisë Demokratike në opozitë, Hashim Thaçi.
Zyrtari britanik, Sawers tha se ky vit është shumë i rëndësishëm për Kosovën:
"Nëse shohim se ka përparim të mjaftueshëm, ndërkohë që trendet janë në drejtimin e duhur, ne mund të shkojmë përpara në drejtim të adresimit të statusit përfundimtar të Kosovës," tha John Sawers, për të shtuar se nëse mund të mbahen trendet e tanishme në drejtimin e duhur dhe nëse mbahet në binarët e tanishëm përmbushja e standardeve, atëherë parashikimet për Kosovën janë mjaft pozitive.
Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova tha se Kosova është e përqendruar në përmbushjen e standardeve dhe pret edhe vlerësimin e tyre:
"Jemi të pëqendruar në realizimin e standardeve prioritare, që t’i përmbushim këto detyra dhe më shumë në vlerësimin e tyre, pasi ne kemi bërë mjaft progres dhe po ashtu do të shikojmë të koncentrohemi në zhvillimin ekonomik të Kosovës, në mundësitë e investimeve dhe gjithsesi të kemi një vlerësim pozitiv të progresit në Kosovë".
Në anën tjetër, përderi sa zoti Sawers tha se pjesëmarrja e të gjithëve, përfshirë edhe serbët në institucione, është e rëndësishme për të tejkaluar pengesat aktuale, lideri i listës serbe Oliver Ivanoviq, tha se pozicioni i këtij subjekti që ende nuk ka marrë pjesë në institucionet e reja, është që nuk mund të hyjnë ende në institucione, edhe pse e shqyrtojnë këtë si zgjidhjen më të mirë:
"Për shkak të daljes së vogël të serbëve në zgjedhje dhe për shkak të përkrahjes së pamjaftueshme të Beogradit, nuk mund të ndërmarrim një hap kaq të madh," tha Ivanoviq, për të shtuar se decentralizimi është një proces i rëndësishëm që duhet të kryhet, në mënyrë që në zgjedhjet lokale të mund të marrin pjesë edhe komunat e reja që do të formohen. Lidhur me hapjen e çështjes së statusit, Ivanoviq tha se kjo çështje pas insistimeve të mëdha edhe mund të hapet, por jo edhe të zgjidhet këtë vit, pasi kjo, sipas tij, do të marrë mjaft kohë.
Sidoqoftë, pas takimit me presidentin Rugova, zoti Sawers, i cili bashkë me zëvendëskryeministrin Adem Salihaj, vizitoi një vendbanim të serbëve në rrethinën e Ferizajt, kërkoi që të mos rrezikohet procesi i tanishëm:
"Është me rëndësi që kushtetuta e Kosovës të respektohet në të gjitha aspektet e saj dhe që çfarëdo që të ndodhë me individët, Kosova të jetë e qetë," tha Sawers duke vlerësuar se çfarëdo prishjeje e qetësisë këtu, mund të jetë një kartë në duart e atyre që nuk duan të shohin përparim në Kosovë.




XS
SM
MD
LG