Ndërlidhjet

RAJS: SHBA DHE BE DO VAZHDOJNË BASHKËPUNIMIN NË BALLKAN


Augustin Palokaj, Luksemburg

Në fund të turneut të saj evropian Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs, ka qëndruar sot në Luksemburg, vendin që kryeson Bashkimin Evropian, ku u takua me Ministrin e Jashtëm, Jan Aselborn dhe me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana. Pas këtyre takimeve Rajs ka deklaruar se është diskutuar gjerësisht edhe për situatën në Ballkan e posaçërisht për Kosovën.
"Jemi në pajtim të plotë për Ballkanin, sidomos rreth Kosovës, ku këtë pranverë nga pret shumë punë", ka thënë Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs dhe ka shtuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vazhdojnë bashkëpunimin në Ballkan për të promovuar paqen dhe demokracinë, sidomos në rastin e Kosovës, ku pritet vlerësimi i standardeve gjatë këtij viti. Edhe ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jan Aselborn, ka thënë se BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të pajtimit se duhet punuar së bashku në Kosovë dhe se bashkëpunimi në rastin e Kosovës është tepër i rëndësishëm pikërisht këtë vit për arsye që tashmë dihen, siç ka thënë ai. Diplomatët në BE pohojnë se është qëndrim i tyre dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës se në Kosovë duhet vazhduar përmbushja e standardeve dhe nëse vlerësimi i përmbushjes së tyre do të jetë pozitiv në mesin e këtij viti, atëhere më vonë do të mund të pasohet me debatet për statusin përfundimtar të Kosovës. Burimet diplomatike në Bashkimin Evropian dhe në NATO, edhe pas takimeve me zonjën Rajs, përmendin vjeshtën e këtij viti si afat kur do të mund të nisej debati për statusin përfundimtar të Kosovës, por gjithnjë duke patur parasysh kushtin e përmbushjes së standardeve. Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, kanë thënë se debati i nisur mes aleatëve transatlantikë, përfshirë edhe Ballkanin edhe Kosovën, do të vazhdohet me ardhjen e presidentit Bush me datën 22 të këtij muaji në Bruksel, ku ai do të ketë takime në NATO dhe në Bashkimin Evropian.



XS
SM
MD
LG