Ndërlidhjet

VLLAHOVIÇ: STATUSI I KOSOVËS NUK KA NDËRVARSHMËRI ME STATUSIN E MALIT TË ZI


Ministri i Jashtëm i Malit të Zi Miodrag Vllahoviç, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Republikën e Çekisë, ishte folësi kryesor në tryezën e rrumbullakët që e organizoi Radio Evropa e Lirë në temën "Mali i Zi dhe integrimet evropiane".
Gjatë kësaj, shefi i diplomacisë malazeze, u përgjigj edhe në pyetjet e rreth 50 gazetarëve çekë dhe të Radios Evropa e Lirë.
Ministri i jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vllahoviç, tha se Mali i Zi dëshiron t'i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe nuk dëshiron të mbetet "peng" i Serbisë dhe i mungesës së vullnetit të Beogradit, për të bashkëpunuar me Gjykatën Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë.
Vllahoviç ka shtuar se Podgorica është e durueshme dhe e gatshme të diskutojë mundësi të ndryshme lidhur me shtetësinë, por nuk është e gatshme të heqë dorë nga njohja ndërkombëtare.
I pyetur nëse ekziston ndonjë ndërvarshmëri mes statusit të ardhshëm të Kosovës dhe Malit të Zi, Vllahoviç ka thënë:
"Kosova është një nga fqinjët e Malit të Zi dhe ka pasur një histori dramatike, madje tragjike, por në këtë kontekst është shumë e lehtë të kuptohet se nuk ekziston asnjë ndërvarshmëri," tha Vllahoviç, duke shtuar se marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit e kanë dinamikën dhe kompleksitetin e vet.
"Mali i Zi nuk e konsideron Kosovën si problem të vetin dhe Podgorica nuk do të marrë pjesë në kurrfarë bisedime që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës. Kjo është porosi shumë e thjeshtë, e cila është kuptuar në Amerikë dhe Evropë, si dhe në të gjitha diplomacitë relevante, me të cilat jemi në kontakt", tha Vllahoviç.
Lidhur me raportet brenda unionit, Ministri i Jashtëm i Malit të Zi tha se sinjalet e deritanishme që janë pranuar nga Serbia janë mjaft konfuze. Krerët e Serbisë ose nuk na thonë asgjë, ose na thonë se Mali i Zi nuk është prioritet i Serbisë. Ky është sinjal i keq, sepse nuk mund të martoheni me dikë, duke i thënë se ti për mua nuk je më i rëndësishm", tha Vllahoviç.
Shefi i diplomacisë malazeze më tej foli për bashkëpunimin e Beogradit me Tribunalin e Hagës.
"Mosbashkëpunimi i qeverisë serbe me Tribunalin e Hagës, është pengesa më e madhe për Malin e Zi. Ne i kemi përmbushur obligimet ndaj Tribunalit dhe gjithçka që është pritur prej nesh. Por ata na konsiderojnë përgjegjës, sepse aty shkruan Serbia dhe Mali i Zi", tha Vllahoviç, për të vazhduar.
"Tani jemi të bllokuar për shkak të politikës së papërgjegjshme të qeverisë serbe. Ajo është e papërgjegjshme jo vetëm ndaj Malit të Zi, por edhe ndaj Serbisë dhe nevojave të qytetarëve të Serbisë, si dhe ndaj tërë rajonit", tha mes tjerash Ministri i Jashtëm malazez Miodrag Vllahoviç, në tribunën që e organizoi Radio Evropa e Lirë në temën: "Mali i Zi dhe integrimet evropiane".


XS
SM
MD
LG