Ndërlidhjet

RUECKER: KOSOVA DO TA PËRMBUSHË STANDARDIN PËR EKONOMINË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kosova është në udhëkryq të rëndësishëm të vlerësimit të standardeve, ka deklaruar sot shefi i ri i shtyllës katërt të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, duke u shprehur optimist se standardi për ekonominë do të jetë i përmbushur brenda kohës. Joachim Ruecker nga Gjermania, që ka zëvendësuar në këtë post bashkëvendësin e tij Nikolaus Lambsdorf, tha se punën e tij rreth privatizimit e ka nisur mirë dhe ka premtuar vazhdimin e shpejtë të saj.
Sidoqoftë, standardet për të mbeten prioriteti numër një, pasi ekonomia është prioritare në kuadër të standardit pesë:
"Unë jam optimist i moderuar që ne mund të kemi një vlerësim pozitiv të standardeve," tha zoti Ruecker, duke vlerësuar se në Kosovë ende mbetet shumë për t’u bërë, por ajo që është bërë deri tani mbështetet në themele të suksesshme. Joachim Ruecker, i cili tani e tutje do të jetë përgjegjës për ekonominë e Kosovës në kuadër të kompetencave të rezervuara për UNMIK-un, tha se puna e tij do të mbështetet mbi partneritetin me qeverinë Haradinaj, punën e deritanishme të së cilës e ka vlerësuar të suksesshme:
"E gjitha duhet bërë në partneritet ndërmjet UNMIK-ut dhe qeverisë, pasi ne jemi të varur nga njëri-tjetri dhe jemi këtu për të përkrahur kosovarët, që është misioni ynë," tha Ruecker, duke e cilësuar një shenjë të mirë të veten në drejtim të përshpejtimit të privatizimit nënshkrimin e kontratave me blerësit e 12 ndërmarrjeve:
"Dje unë kam nënshkruar kontratat për raundin e tretë të privatizimit dhe aty kishte 12 kontrata me një vlerë të përgjithshme prej gati 10 milionë eurosh," tha Ruecker. Ai ka thënë se nuk planifikon të ndryshojë strukturën e bordit të Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit, si dhe politikat operacionale, pasi kjo do të kërkonte shumë kohë për shkak se çdo ndryshim duhet ta miratojë zyra ligjore në Nju Jork.
Edhe pse është përqendruar më së shumti në çështjen e privatizimit dhe të energjisë elektrike, ai tha se një çështje e rëndësishme janë edhe marrëveshjet e tregtisë së lirë:
"E ardhmja e Kosovë qëndron në kontekstin evropian dhe të rajonit, jo vetëm në çështjen e energjisë dhe marrëveshjes së Athinës, por edhe në marrëveshjet e tregtisë së lirë me vendet e tjera," tha Ruecker, i cili duke komentuar paralajmërimet për dështimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë me Maqedoninë, tha se nuk ka tërheqje nga bisedimet për arritjen e marrëveshjes së tregtisë së lirë, por është një shtyrje teknike e datave.




XS
SM
MD
LG