Ndërlidhjet

TADIQ VIZITON KOSOVËN DHE VLERËSON PAVARËSINË SI "TË PAPRANUESHME"


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka deklaruar sot se Kosova është pjesë e Serbisë dhe Malit të Zi. Këto komente ai i ka bërë në vendbanimin e quajtur Shillovë të komunës së Gjilanit, që është njëra nga ndalesat gjatë vizitës dy ditëshe që po i bën Kosovës.
Vizitën e tij në Kosovë, Tadiq e ka përshkruar me qëllim të njihet më për së afërmi me gjendjen e vërtetë në Kosovë, sidomos me pozitën në të cilën jeton komuniteti serb.
Në mesditën e së dielës, Tadiq është pritur dhe nga shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen. Ndërsa mbi 10 mijë pjesëtarë të policisë vendore, ndërkombëtare dhe njësi ushtarake të KFOR-it, siguronin vizitin e tij në Kosovë, gjatë takimit me Jessen -Petersenin, disa qindra protestues kanë fishkëlluar dhe kanë hedhur vezë në drejtim të ndërtesës së UNMIK-ut dhe mbi eskortën e presidentit serb. Nën masa të rrepta sigurie, Tadiq është larguar nga takimi me shefin e UNMIK-ut pa deklaruar asgjë për media. Ndërkohë që ai paraprakisht gjatë vizitës nëpër vendbanime të ndryshme me popullatë serbe, tha se ka ardhur në Kosovë që të flas me përfaqësuesit ndërkombëtarë për pozitën në të cilën jetojnë serbët këtu.
“Fatkeqësisht nuk kam ardhur me një shkop magjik, kisha dashur të jetë kështu, por ato ekzistojnë vetëm në përralla”, tha Tadiq, duke shtuar se me gjithë forcën e tij do të luftojë për të drejtat e njerëzve dhe qytetarëve të Serbisë që jetojnë në Kosovë:
“Kosova është pjesë e Unionit Serbi dhe Mali i Zi, jo vetëm sipas të drejtës serbe, por edhe sipas së drejtës ndërkombëtare. Ky është qëndrimi im këtu dhe në Serbi”, theksoi Tadiq. Më pas ai ka vizituar dhe kishën ortodokse serbe Shën Nikolla në Prishtinë, e cila qe dëmtuar gjatë trazirave të marsit. Ai bëri thirrje për rindërtimin e kësaj kishe dhe ngritjen e shkallës së respektimit të të drejtave njerëzore në Kosovë, duke u përqëndruar në pozitën e komunitetit serb. Më pas, Tadiq ka kritikuar dhe qëndrimet e zyrtarëve të lartë ndërkombëtar përsa i përket pozitës së komunitetit serb:
“Të gjithë ata që kanë dhënë vazhdimisht porosi të mëdha dhe kanë ardhur këtu si përfaqësues të lartë shtetëror, këto vitet e fundit nuk kanë lënë pas vetes edhe vepra të mëdha. Mua më intereson se a mundemi ne që të ndryshojmë jetën e njerëzve këtu”, tha presidenti serb Tadiq, në kishën Shën Nikolla në Prishtinë.
Gjatë kësaj vizite, që është e para vizitë zyrtare që një president i Serbisë i bën Kosovës që nga vendosja e misionit të Kombeve të Bashkuara dhe forcës paqeruajtëse të KFOR-it në qershorin e vitit 1999, Tadiq planifikon të vizitojë dhe vendbanime të shumta me popullatë serbe nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës, si Shtërpcen, Hoçën e Madhe, Graçanicën, Deçanin, Batushën dhe Lypjanin, si dhe pjesën veriore të Kosovës. Vizita e Tadiqit përfundon nesër.

Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG